Sot është zhvilluar i ashtuquajturi Samit i Sofjes, pjesë e Procesit të Berlinit. Në këtë takim është vendosur ngritja e Tregut të Përbashkët Rajonal ku përfshihet Shqipëria, Bosnje&Hercegovina, Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Serbia.

Prej disa vitesh tashmë Shqipëria renditet në kontekst rajonal duke u asociuar me vendet e brendisë së rajonit. Është një lidhje gjeopolitike që e bën vendin tonë mish të huaj në një aks përndryshe të natyrshëm ndërveprimi njerëzor dhe ekonomik. Me urdhërin e Gjermanisë janë vënë bashkë vende që kanë histori politike dhe ngashmëri të madhe ekonomike dhe kulturore, siç janë vendet nën ish-Jugosllavinë e me to është ngjitur si pullë takse edhe Shqipëria.

Kush ka udhëtuar në atë që sot quhet Ballkan Perëndimor, e vë re lehtë se aty gjallon sot e kësaj dite një identitet ballkanik, që ushqehet dhe kultivohet nga mënyra e jetesës, shkëmbimi I mallrave, rrugët e komunikimit dhe historia. Në ish-Jugosllavi ka një narrativë ballkanike që pajton mikronarrativat sllave, fetare dhe kulturore. Aty Europa nuk është ndonjë dalldi, as edhe “e vetmja rrugë”, ndërkohë që Shqipëria e 1912-ës ka ecur në shtegun e krijimit të një identiteti që e quan europian, duke dalluar nga fqinjët e tjerë që e kanë pranuar historinë e tyre, të cilën e ka shtyrë dhe modifikuar përmes leximeve politike.

Lexo po ashtu:  Siguria në plazhet shqiptare: Krijohet njësia detare që do kontrollojë bregdetin

Shqiptarët nuk lidhen shumë me fqinjët e vet veriorë në mënyrën e të menduarit dhe në zgjedhjen e referencave të veta. Vërtet që Italia ka gjurmë urbanistike dhe arkitektonike më shumë gjetkë sesa në Shqipëri, por askund nuk sheh këtë lidhje me Italinë sa në Shqipëri. Vetë debati historiografik në Shqipëri buron në thelb nga konflikti mes përpjekjes për rikrijimin e identitetit të lidhur me Perëndimin dhe nevojës për të shkruar historinë tonë dhe integrimin në Perandorinë Osmane.

Ky lloj tregu është po aq artificial sa edhe Federata Ballkanike e viteve ’50 të shekullit të 20-të pse vendos në lidhje artificiale vende që përndryshe nuk i lidh ndonjë orientim i natyrshëm. Europa vetë që e nxit këtë zonifikim vuan nga ndarje të thella që nuk arritën të shkriheshin sado që Unioni arriti mirëqenie të jashtëzakonshme dhe në fushën e të drejtave është pika më e lartë sot në botë.

Është një aventurë që nuk do ta ketë jetën të gjatë, por duhet uruar që të paktën të mos shtojë keqkuptimet që edhe kështu janë jo të vogla.

Lexo po ashtu:  Mos harro! Kalimi në “orën verore” këtë të dielë

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *