Faik KONICA do ta rrëfente me besnikëri e sqimë të hollë, admirimin e veçantë për kombin shqiptar të Lord BAJRONIT: I dua shumë SHQIPTARËT – karakterin, zakonet dhe natyrën madhështore!

“Ja tek e pa veten në breg të panjohur, nga të gjithë admiruar, kur shumëkush tutet duke e vështruar”… Këto vargje janë fillesa e Këngës së dytë të Çajld Haroldit dhe ajo vazhdimësi strofash magjepssëe që do përjetësonin shqiptarët, që kishin nevojë për pavdekësi. Duhen lëçitur e rilëçitur ato faqe për të ndier thellë entuziazmin që i ngjallte Bajronit, Shqipëria dhe shqiptarët; por, para atyre këngëve hyjnore, ne vazhdojmë të parapëlqejmë letrat, shënimet, kujtimet, gjithçka që, e shkruar nga penë më familjare dhe më pak e përpunuar, shfaq më shumë gjendjen shpirtërore të Lord Bajronit.

Ballkani gjëmonte në atë, kohë nga emri i një shqiptari i cili, bujar i thjeshtë, kishte arritur aq fuqi sa të kërcënonte seriozisht praninë e turqve në Evropë. Lavdia e Ali Tepelenës ishte shtrirë madje, gjer në Perëndim; kështu mbreti Gustave-Adolphe, duke shkuar për në Jeruzalem, ktheu rrugë enkas për t’u pjekur me të. Lord Bajroni, në një letër drejtuar së ëmës (Letra nga Preveza, 13 tetor 1809), flet për udhëtimin e tij nëpër Shqipëri dhe pritjen që i bëri atij, Aliu i Tepelenës: “Përshkova brendësinë e viseve të Shqipërisë, për të shkuar e për t’i bërë vizitë pashait. Shkova në Tepelenë, vendlindja e Lartësisë së tij (his Highness’s birth-place) rreth njëqind e pesëdhjetë milje larg që këtej, ku ndenja tri ditë. Pashai quhet Ali dhe është njeri me shumë zotësi; qeveris krejt Shqipërinë, domethënë: Ilirinë e lashtë, Epirin dhe një pjesë të Maqedonisë”

Përshtypja e atij udhëtimi gjithë magjepsje, përmes maleve të Shqipërisë, me bukuri të zymtë dhe madhështore shfaqet kryesisht në poemën e Çajld Haroldit. Ai i tregon të ëmës vizitën e tij në Janinë: “Kur mbërrita në Janinë, kryeqyteti i tij, pas një udhëtimi prej tri ditësh, mësova se Veziri ishte në Iliri, me ushtrinë e tij, për të rrethuar Ibrahim pashën në kështjellën e Beratit. Kishte marrë vesh se një anglez i shquar kishte ardhur për të vizituar shtetet e tij dhe kishte dhënë urdhra që, me të mbërritur unë, të më gatitnin një shtëpi dhe të më jepnin falas gjithçka që do të ishte e nevojshme. U bëra disa dhurata shërbenjësve, por as që bëhej fjalë që unë të paguaja gjithë sa konsumoja për vete”. Dhe më tej: “U hipa kuajve të Vezirit dhe vajta të shoh sarajet e tij dhe ato të nipërve; janë gjithë shkëlqim, por si shumë zbukuruar me ar e mëndafshe.” Nuk do vonojë dhe ai do rifillojë udhëtimin me kalë përmes udhëve të gjata, monotonia e të cilave i shpërblehet me hijeshinë e trevave që përshkon, “me bukurinë më fshatarake” që ka parë mëndonjëherë.

Lexo po ashtu:  Poligloti shqiptar Sami Frashëri, Personaliteti më i madh i gjuhës turke

Pas nëntë ditësh, sos në Tepelenë. Ja sesi e tregon pritjen që iu bë: “Më shpunë në një sallon të shkëlqyer dhe vjen sekretari i pashait, që më pyeti për shëndetin. Aliu më priti të nesërmen. Kisha veshur një uniformë të plotë oficeri të shtatmadhërisë dhe mbaja një kordhë të hijshme. Salla ishte e shtruar me mermer: një shatërvan mes saj lëshonte ujët, ndërsa muret ishin veshur me qilima të kuq otomanë. Veziri më priti në këmbë, veçori e madhe nga ana e një myslimani dhe më uli në krahun e tij të djathtë. Kisha marrë me vete një terxhuman për raste të veçanta, por këtë herë, një mjek i Aliut, i quajtur Femlario, që e kuptonte latinishten, përmbushi funksionin e duhur. Kërkesa e parë e pashait ishte se përse unë kaq i ri, isha larguar nga vendi im. Shtoi pasandaj, se ministri anglez, kapiteni Leake, i kishte thënë se unë vija nga një familje e madhe; dhe m’u lut të përcillja nderimet e tij për time më, ccfarë unë po ua paraqes në emër të Ali Pashait. Më tha, se ishte i bindur që unë isha njeri nga sërë e lartë, ngaqë i kisha veshët e vegjël, leshrat me bukle dhe duart të holla e të bardha; nuk e fshehu që sjellja dhe kostumi im, i kishin pëlqyer. M’u lut ta konsideroja si baba, për aq kohë sa do të isha në Shqipëri, duke më siguruar se më shihte si birin e tij; në fakt, më trajtoi si fëmijë, duke më dërguar njëzet herë në ditë bajame, sherbete, fruta dhe gliko”.

Shfaqja e maleve të Shqipërisë, “me epërsi të dukshme në bukuri, krahasuar me peizazhet më tërheqëse të Greqisë”, veçoria e zakoneve, karakteri kalorësiak i shqiptarëve, kostumi i tyre “më i shkëlqyeri në botë”, gjithçka do t’i bëjë Bajronit përshtypje të tillë, që do t’i mbetet në mendje përgjithnjë. Admirimi dhe simpatia që ushqen për “bijtë krenarë të Shqipërisë” shfaqen në fjalën më të vogël që thotë. Dhe domosdo, nuk do të ishte me interes të paktë, po të tregohej – përkrah kësaj simpatie dhe këtij admirimi për shqiptarët, – përbuzja e fshehur keq, që i ngjallte “greku gënjeshtar e hileqar” (Child Harlod’s piligrimage, II, pasim – dhe gjetkë.) Në thellësi të zemrës së tij, lord Bajroni nuk mund t’ua falte grekëve zhgënjimin që pësoi; i mbushur tejet me kujtime nga lashtësia klasike, kishte fluturuar ai vetë në ndihmë të Greqisë gjithë entuziazëm; por kushedi sa iu desh të vuante me idealin e plagosur, kur gjeti, në vend të Akilejëve e Tezejëve siç pandehte, Tartaninë, madje pa mendjen e Tartarinit; kur gjeti, në vend të perëndive, bij të Fidias, majmunë dhe marioneta (kukulla teatri); në vend të njerëzve, papagaj; në vend të gojartëve të një gjuhe që do duhej të kishte brishtësinë e lirave dhe shkëlqimin e cimbaleve, skatostomë që venë e flasin shatra-patra një nga zhargonet më të llahtarshme, tek e quajnë edhe atë vetë lordhosss Viroonnn (Lord Bajron) – gjë që me siguri, duhet ta ketë nervozuar e ta ketë bërë njëkohësisht për të qeshur; kur gjeti, në vend të athinasve të dikurshëm, banorë të rëndomtë të Athinës.

Lexo po ashtu:  Bashkëpunimi i partizanëve me çetnikët, për ta okupuara Sanxhakun

Ky zhgënjim, që gati nuk bie në sy në poemat e tij, shfaqet më ndonjë rast në letërkëmbimin e tij në mënyrë krejt të hapur. Kështu, duke bërë të vetën një distikë greke kundër grekëve: Ώ Αθηα πρωτη χωρα / Τι γαϊδαρους τρεφεις τωρα – O Athinë, truall i parë në botë, / Ç’gomerë vete e ushqen ti sot!*” (*Po e jap të traskriptuar ashtu siç e lexoj tek lord Bajroni, pa theks, pa shpirt. Letër nga Athina, nga kuvendi franciskan, 7 mars 1811, në përmbledhjen e përmendur. Shënim i autorit Faik Konica), ai e shoqëron gjithë këtë me komente aspak mikluese për grekët. Nga ana tjetër, duke i goditur paraprakisht në pretendimet e tyre zonjat greke që kërkonin të rifitonin famën e modeleve të Fidiasit dhe të Praksitelit, ai thotë: “Gratë shqiptare janë shumë më të bukura nga gratë greke dhe kostumi i tyre është shumë më piktoresk”.

Lord Bajroni shpreh edhe më qartë përshtypjet e veta, në letrën e gjatë që ai i shkruante të ëmës nga Preveza, paragrafë të së cilës po i përmendim: “I dua shumë shqiptarët; nuk janë të gjithë muhamedanë, ka mes tyre edhe fise të krishtera; por feja që kanë, nuk bën dallim të madh nga zakonet dhe mënyra e tyre e të jetuarit. Janë trupat më të mira të ushtrisë turke. Në udhëtim e sipër, kalova një herë dy ditë dhe më pas tri ditë, në një kazermë në Salonë dhe asnjëherë nuk më kanë zënë sytë ushtarë aq të durueshëm e bindur sa ata, edhe pse kam qenë në garnizonet e Maltës e të Gjibraltarit, ku kam parë mjaft trupa spanjolle, franceze, siçiliane dhe angleze. Asgjë nuk më vodhën dhe gjithnjë kam qenë i mirëprituri i tyre, duke ndarë me mua ushqimet dhe qumështin që kishin”. Më pas, Bajroni flet për një shqiptar i cili, pasi e bujti dhe e mikëpriti në vatrën e vet, atë dhe bashkudhëtarët e tij, nuk pranoi të shpërblehej me para; dhe kur Bajroni këmbënguli që të pranonte të paktën disa sekenë ari, shqiptari i dha një përgjigje të tillë, bukuria e së cilës do shpërfillej veç prej shpirtrash gatuar me tregti: “Dua që të më doni, jo të më paguani”.

Lexo po ashtu:  I vetmi komb, ajka e të cilit kritikon gjuhën standarde

“I dua shumë shqiptarët”, i shkruante Bajroni së ëmës, duke shprehur njëkohësisht shkakun e një simpatie të tillë, me qëllim që edhe e ëma të ushqente dashuri për ta. Dhe ndjeni tani ironinë dhe urrejtjen e këtyre fjalëve që ai i shkruante mikut të vet Drury: “I dua grekët; janë kopukë qerratenj, me tërë veset e turqve, por pa guximin e tyre” (Letër drejtuar Drury, 3 maj 1810). Të interesuarit janë të lutur të kontrollojnë këtë thënie, ashtu sikurse edhe ato të mëparshmet.

Ja pra, si shprehej lordhosss Vrioonnn duke folur për grekët; dhe këto fjalë mund të shërbenin si pikënisje për një studim interesant e të thellë që ndoshta do nxirrte si konkluzion se, duke luftuar për një popull të përbuzshëm e të përbuzur, lord Bajroni nuk kishte në mendje veçse ata helenë të dikurshëm, krijues të Bukurisë, raca hyjnore e të cilëve prehej, e bërë hi, mbi dheun e Helladës së ripopulluar dhe ata malësorë të Shqipërisë të cilët, të padjallëzuar në heroizmin që i karakterizonte, kishin pleksur kauzën e tyre me atë të grekëve të rremë.

Faik Konica, “Albania 1” [1897]

(Më 19 prill 1824, Lord Bajroni vdes në Greqi, ku kishte shkuar për të mbështetur luftën greke për pavarësi nga perandoria osmane. Edhe sot, ai konsiderohet si hero kombëtar grek.)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *