Shkronja nr. 37

Kongresi i Alfabetit shqip, 112 vite më vonë shqiptarët gati krejt janë përzënë prej Manastiri, e shqipja gati krejt është përzënë prej shkencës dhe politikës.

Kur vendosën ta mbanin Kongresin e Alfabetit në Manastir, rilindasit zgjodhën atë vend sepse e ndjenin rrezikun e përzënies dhe asimilimit të shqiptarëve. Ata deshën ta linin atje një shenjë, dhe ky mësim – përkujdesja për atdheun si komunitet+territor – është shkronja nr.37 e alfabetit, që ne e kemi harruar.
Gati 3000 shqiptarë aktualisht po studiojnë për piejçdi në universitete të botës, në shqip rrallë gjen ndonjë botim a lëvrim shkencor, përkundrazi arsimi universitar e ai parauniversitar kanë hedhur hapa të mëdhenj pas, e në radhët e mësimdhënësve ashtu si dhe në ato të mësimnxënësve është shfaqur analfabetizmi, jo vetëm funksional.
Ndërsa një zyrtare e lartë shqiptare, Majlinda Bregu, sekretare e përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC), mbronte paradoditësh të ashtuquajturin minishengen duke thënë se “nuk mund ta ndalim zhvillimin dhe tregtinë për shkak se Kosova ka një dispjut me Serbinë”. Pra, thjesht një “dispjut”, analfabetizëm i dyfishtë, edhe mosnjohje e gjuhës edhe e politikës shqip. Ky është veç një shembull prej një klase sunduese që e sheh veten si menaxhere të një turme e territori, jo si përfaqësuese kombi, qytetarësh, historie.

Lexo po ashtu:  Shqipëria është projekt – Kosova është aksident

Asgjë e re (ndërkohë që e reja do të duhej kërkuar me ngulm). Pse, kot konsiderohet gjuha shqipe si gjysmë e latinizuar? Kot i kemi gjithë këto trashëgime prej bullgarishtes së vjetër e serbishtes mesjetare, sidomos në toponimi? Apo leksikun perso-arab e turkik prej otomanishtes? Tash së fundi “shifti” shqanglisht nga klasa “e re” drejtuese… Ne kemi traditë të tradhtimit dhe braktisjes së vetes. Dijetarët dhe politikanët tanë – me përjashtimin e Rilindjes – vazhdimisht kanë prurë te ne gjuhën e kulturën e perandorisë dhe e kanë parë me përbuzje tonën.

Në këtë aspekt ne jemi të gjithë në Manastir, në periferi të vetes, në prag të asimilimit dhe shpërnguljes. Edhe Rilindjen e mori Rama, e shndërroi në “brend”, e përdhosi, e shiti, e shfrytëzoi. Fati ynë do të mbetet fati i shqiptarëve të Manastirit, deri në momentin kur nuk ia dëshmojmë vetes të kundërtën.
Dikush mund të thotë se ky është fati i popujve të vegjël, por jo. Shikoni lagjen tonë, lagje popujsh të vegjël, po as dijetarët e tyre, as politikanët e tyre nuk kënaqen me kaq pak për atdheun e vet. Ata studiojnë veten, botën madje edhe ne, ndërsa ne jo vetëm që nuk i njohim e nuk i studiojmë ata, po nuk studiojmë as veten. Ne studiojmë vetëm qendrën e madhe, por historia tregon se as atë nuk e kuptojmë përveçse si peshë.

Lexo po ashtu:  Si e pengoi shteti shqiptar hapjen e bankës jugosllave në Shkodër në vitin 1923

Nuk ka nevojë për izolim për të ndërtuar një shtet, kulturë, dije, ekonomi, politikë, sport, mjedis, për shqiptarët. Ka nevojë vetëm të mos e tradhtosh veten plurale, bashkësinë dhe njeriun e zakonshëm. Besnikëri, jo kundër botës, por si kontribut për botën. Sepse bota është më e bukur kur jetojnë larmitë brenda saj, mes tyre dhe shqipja, e jo kur të gjithë amalgamohen nëpër “dispjute” e “brende” të tregtarizuara./Arbër Zaimi/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *