Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka dhënë një intervistë për prestigjozen “Forbes” lidhur me pandeminë, integrimin europian, rindërtimin, karrierën e tij politike dhe të ardhmen ekonomike të vendit.

Rama thotë se Shqipëria është një nga vendet më pak të prekura nga COVID-19, për shkak se qeveria vlerësoi në kohë situatën duke parë edhe gjendjen në Italinë fqinje. Kryeministri pohon se mbyllja e vendit dhe botës ishte një sfidë e vërtetë.

Sa i përket integrimit europian dhe negociatave, Rama thekson se eurskepticizmi është në rritje teksa kritikon disa liderë duke thënë se kanë harruar pse është krijuar BE.

Kryeministri shqiptar garanton se nuk do që ta shohë vendin e tij objekt zilie nga fuqi jashtë kufijve europianë, teksa konfirmon se e ardhmja e Shqipërisë është vetëm në BE.

ARTIKULLI I FORBES

Rama për ”Forbes”: Mes ambicieve tona shndërrimi në një vend i bizneseve inovative

– Viti 2020 është dyfish i paharruar për Shqipërinë, që dallohet si vendet më pak të prekura nga Covid-19 dhe së cilës i është dhënë statusi i kandidates zyrtare për në Bashkimin Europian, shkruan Sabah Kemel Kaddouri për filialin francez të revistës së njohur ”Forbes”.

Toka e Shqiponjave është në zhvillim e sipër, me një dinamizëm të mishëruar edhe nga kryeministri i saj, Edi Rama. Frankofil dhe artist në shpirt, Edi Rama u fut në politikë “rastësisht”. Sot, ky takticien inteligjent po ndërton një Zonë të Lirë në stilin e Dubait për të marrë pjesën e luanit në tregun shumë të dëshiruar ”Digital Nomad”.

Forbes: Si po e përballon Shqipëria këtë krizë shumëplanëshe në botë? Cilat janë masat tuaja për të mbështetur ekonominë dhe popullatën?

Rama: Shqipëria është një nga vendet më pak të prekura nga Covid-19. Ne e vlerësuam shumë shpejt rëndësinë e situatës duke ndjekur nga afër përkeqësimin e gjendjes shëndetësore te fqinjët tanë italianë. Ne u mbyllëm para shumë të tjerëve. Mbyllja e kufijve dhe pasja nën kontroll e gjithçkaje ishte një sfidë e vërtetë! Përtej çështjes së paprecedent të shëndetit publik, ne nuk kemi dashur të braktisim projektet tona kryesore ekonomike. Në drejtim të modernizimit të infrastrukturës sonë dhe rindërtimit sepse, sa për kujtesë, Shqipëria u dëmtua në mënyrë dramatike nga një tërmet i nëntorit të vitit 2019. Dhe kjo, disa muaj para se OBSH të shpallte emergjencën ndërkombëtare ndaj epidemisë Covid-19, që është shndërruar në një pandemi globale…

Lexo po ashtu:  BBC ngre dyshime për imazhet e mjegullta të Gazës në Google Maps

Gjatë kësaj periudhe, qeveria jonë vazhdoi të paguante qiratë e popullatës së prekur që duhej të zhvendosej, të financonte rindërtimin e 100 shkollave apo edhe disa prej thesareve tona të trashëgimisë kulturore, të dëmtuara seriozisht. Gjatë izolimit, ne gjithashtu u përqendruam te bizneset duke subvencionuar papunësinë dhe duke mbështetur bizneset e vogla. Këto investime të drejtuara mirë na kanë lejuar të jemi të qetë.

Toka e Shqiponjave priti një numër rekord vizitorësh nga Ballkani, Europa Lindore dhe Italia gjithashtu.

Forbes: Ju jeni kulturalisht shumë afër Italisë. Ka shumë ndikime nga pikëpamja arkitektonike, gastronomike ose gjuhësore.

Rama: Po, Shqipëria dhe Italia kultivojnë një marrëdhënie shumë të veçantë. Çizmja (Italia – shën. i përkth.) është investitori ynë i parë. Italia po na mbështet për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian. Ne jemi të angazhuar në një dinamikë të mirë për të përmbushur kriteret për anëtarësim në BE. Këtë vit, ne kemi bërë një hap përpara me njohjen zyrtare të kandidaturës sonë, pavarësisht nga një kontekst shumë i ndërlikuar në nivelin global dhe europian… Për ta përmbledhur, më pëlqen të perifrazoj frazën e famshme të presidentit François Mitterrand: ”Shqipëria është atdheu ynë dhe Europa është e ardhmja jonë”. Ne shqiptarët jemi të rrethuar nga vendet që i përkasin të 27-ëve, në fakt thirrja jonë është të vendosim të ardhmen tonë në këtë bashkim. Unë nuk dua ta shoh Shqipërinë të bëhet një objekt zilie për aktorët e fuqishëm që veprojnë jashtë kufijve europianë. Fuqi, të cilat, për më tepër, nuk ndajnë të njëjtat standarde të demokracisë si BE.

Forbes: Siç e dini, aktualisht ka shumë mosbesim ndaj Bashkimit Europian. Euroskepticizmi po fiton terren. Pavarësisht këtij konteksti, Evropa mbetet ende një objektiv i fundit për vendin tuaj?

Rama: Absolutisht dhe unë e pohoj fort këtë. Unë mendoj se midis brezit të ri të europianëve, shumë kanë harruar pse u krijua Bashkimi Europian. Është për të ardhur keq që disa njerëzve u mungon kjo ndjenjë e historisë. Europa ka sjellë paqe dhe prosperitet! Ndërsa shqiptarët, të çliruar nga zgjedha komuniste në vitet ’90, ne e shohim Europën si një vend të lirisë dhe stabilitetit.

Është gjithashtu e dobishme të kujtohet se nëse Europa ka peshë sot, kjo është për shkak se është e unifikuar. Individualisht, si mund të peshonin fqinjët tanë përballë fuqisë së BRICS-it, me Kinën në mendje? Uniteti është forcë.

Lexo po ashtu:  Mes kanibalizmit dhe mbijetesës

Sa për këto kriza ekzistenciale që po kalon BE, unë mund të ndaj vetëm vizionin e Emmanuel Macron. Presidenti juaj ka të drejtë që dëshiron të përparojnë 27 vendet përmes ndikimit të ”qarqeve”, si çifti franko-gjerman, sepse fati i këtyre dy vendeve është të vendosin veten në pozicionin e lokomotivës. Mekanizmat duhet të zhvillohen qartë për të kapërcyer bllokimet e kryera nga “vendet e vogla”. Kjo është bindja ime.

Forbes: Shoh se ju jeni duke ndjekur nga afër veprimin e presidentit tonë. Siç e dini, Emmanuel Macron gjithmonë ka pasur ambicien për ta bërë Francën një vend Start-Up. Si punoni për të inkurajuar sipërmarrjen?

Rama: Po, unë jam shumë i interesuar për atë që po ndodh në Francë. Një vend në të cilin kam jetuar, të cilin e njoh dhe me të cilin jam i lidhur. Unë jam gjithashtu i bindur që ne duhet ta marrim këtë kthesë për brezat e ardhshëm. Veprimi im bazohet në disa akse për t’i ofruar Shqipërisë diçka tjetër përveç një horizonti të ashpër në sektorin e prodhimit. Qëllimi është të krijojmë produkte me vlerë të shtuar të lartë për të inkurajuar krijimtarinë, kërkimin dhe zhvillimin midis shqiptarëve. Ne mbështesim fillestarët përmes mekanizmave të ndryshëm siç është një platformë dixhitale kushtuar tyre. Në këtë hapësirë, sipërmarrësit mund të raportojnë bllokime burokratike drejtpërdrejt te qeveria. Ne përqendrohemi në transparencën e jetës politike dhe publike, por edhe në dematerializimin e procedurave profesionale dhe private.

Në të njëjtën kohë, ne jemi në proces të ndryshimit të legjislacionit për të ndërtuar një ekosistem financiar, i aftë për të tërhequr liderë ndërkombëtarë nga teknologjia dhe financat (tregtarët, për shembull) përmes stimujve dhe masave konkurruese. Ambicia jonë është të ndërtojmë një “Zonë të Lirë”, mbi bazën e asaj që mund të ekzistojë në Dubai. Në veçanti, ne jemi duke finalizuar një ligj që synon ”Digital Nomads”, së shpejti ata do të jenë në gjendje të përfitojnë nga një status pa taksa, nga një aeroport i ri ndërkombëtar në qytetin bregdetar të Vlorës, në Rivierën Shqiptare. Toka e Shqiponjave është padyshim një vend ku jeta është e mirë, një nga vendet më me diell në kontinent, një kosto jetese shumë më e ulët sesa e fqinjëve tanë në BE, aq sa shumë pensionistë italianë të vendosen në Shqipëri ku po blejnë një shtëpi të dytë. Kaq shumë përparësi nuk i kanë shpëtuar vëmendjes së disa kompanive shumëkombëshe, të cilat kanë gjithnjë më shumë gjasa të investojnë tek ne, si për shembull udhëheqësi i industrisë botërore të hotelerisë ”Marriott”.

Lexo po ashtu:  Shoku i Finsik Bllacës i cili humbi je ten dje në Gjilan, thotë se nuk e beson verzionin që atij ia mori jetën

Forbes: Ju keni pasur rezultate të shkëlqyera në drejtim të përmbysjes së kurbës së papunësisë dhe udhëheqjes së një politike shumë ambicioze për vendin tuaj. Megjithatë, keni ardhur në politikë krejt rastësisht.

Rama: Jam një politikan rastësor! Gjithmonë jam përmbushur nga jeta ime si artist, piktor dhe profesor i Arteve të Bukura, aq sa kurrë nuk kam pasur ambicie për të ushtruar profesionin e kryeministrit! Të qenit në një zyrë gjatë gjithë ditës me telefonata dhe mesazhe të vazhdueshme sigurisht që nuk ishte dëshira ime kryesore. Por, jeta shpesh ka plane të tjera për ju … Unë hezitova për një kohë të gjatë para se të hyja në politikë kur më ofruan një post ministror. Më në fund, u nxita nga ideja e të ndjerit i dobishëm për vendin tim: Shqipëria kishte një të kaluar shumë të vështirë, më e vështira nga të gjitha vendet komuniste, kështu që unë isha i etur të merrja pjesë në rinovimin e saj, në marshimin drejt progresit dhe lirisë. Përgjegjësia e udhëheqjes së qeverisë së vendit është nderi më i madh i mundshëm! Vendi ynë po ndryshon çdo ditë për t’u bërë i denjë për familjen e madhe europiane.

Forbes: Si i keni marrëdhëniet me pushtetin?

Rama: Më parë, kur kam qenë kryetar i bashkisë së kryeqytetit Tiranë, nuk përballesha me të njëjtat përgjegjësi dhe të njëjtat kritika. Puna ime tërhoqi më shumë mbështetje dhe më lejoi të marr çmimin e “Kryetarit të Bashkisë më të Mirë në Botë” në 2004. Sot, si Kryeministër, unë jam më i ekspozuar ndaj jopopullaritetit sepse bëhet fjalë për fillimin e reformave strukturore në nivel kombëtar… Ju duhet të jeni shumë bindës dhe i durueshëm në shpjegimin e meritave të veprimit tuaj. Më në fund, do të huazoj një citim tjetër nga presidenti Mitterrand i cili ka folur, dhe me të drejtë, për ”vetminë e udhëheqësit”.

Ishte e vërtetë dje, është e vërtetë edhe sot.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *