Nuk mund të klasifikohet ndryshe veçse një skandal diplomatik ndërhyrja e Komisionerit të Lartë të BE për zgjerimin, Oliver Varhelyi, në punët e brendshme të një shteti sovran, kur i kërkoi në 29 nëntor qeverisë së Malit të Zi që të revokojë vendimin për dëbimin e ambasadorit serb nga vendi. Një ditë më parë, në datën 28 nëntor qeveria e Malit të Zi e shpalli ambasadorin serb Vladimir Bozoviç “persona nongrata”, sepse siç shpjegon vendimi “pas një ndërhyrje të gjatë dhe të vazhdueshme në punët e brendshme të Malit të Zi”. Ambasadori i Serbisë në 27 nëntor e quajti “çlirim” Asamblenë e Podgoricës në vitin 1918, e cila u mblodh nga forcat pushtuese serbe në atë kohe dhe me detyrim miratoi shkrirjen e shtetit të Malit të Zi dhe aneksimin e tij nga Serbia. Ambasadori serb i akredituar në Mal të Zi shpalli publikisht se Serbia e konsideron “çlirim” pushtimin serb të Malit të Zi në vitin 1918 dhe zhdukjen e shtetit malazez. Nga ana tjetër ambasadori i Serbisë sfidoi dhe përçmoi publikisht vendimin e Parlamentit të Malit të Zi, i cili në 29 nëntor të vitit 2018 e ka çfuqizuar dhe bërë të pavlefshëm vendimin e Asamblesë së paligjshme të vitit 1918,e cila nën topat serbe miratoi aneksimin e Malit të Zi.

Dhunimi, që ambasadori serb i bën historisë së Malit të Zi dhe të drejtës së popullit malazez për liri e pavarësi dhe për shtet të pavarur, paraqet një shfaqje të rrezikshme të ekspansionizmit dhe të shovinizmit serb. Kjo ngjarje provon se Serbia nuk është pajtuar me pavarësinë e Malit të Zi dhe po përpiqet me të gjitha mënyrat që të rikthejë kohën kur pushtimi dhe sundimi serb konsiderohet “çlirim”. Ambasadori serb e ka patur në qendër të veprimtarisë së tij diplomatike dhe subversive në Mal të Zi linjën e rikthimit të pushtimit serb. Jo larg, por në datën 11 nëntor Ministria e Jashtme e Malit të Zi e ndaloi ambasadorin e Serbisë të vendoste kurorë me dedikim për “çlirimtarët”pushtues serbë në Malin e Zi në luftën e parë botërore. Të paraqitura në publik nga ambasadori Serbisë në Malin e Zi, këto pikëpamje antimalazeze dhe anti historike përfaqësojnë politikën dhe mendimin zyrtar të Serbisë së sotme të presidentit Aleksandër Vuçiç. Kaq flagrant është pretendimi shovinist i ambasadorit serb, sa që Beogradi në datën 28 nëntor vendosi të zbatonte reciprocitetin dhe shpalli “non grata” ambasadorin e Malit të Zi, kurse në datën 29 nëntor hoqi dorë nga ky hap.

Bën përshtypje që as presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç, as kryeministrja serbe Ana Bërnabiç dhe as ministria e jashtme e Serbisë nuk i përgënjeshtruan qendrimet antimalazeze të ambasadorit të tyre në Mal të Zi dhe as i kërkuan falje qeverisë së Podgoricës për pikëpamjet shoviniste dhe aneksioniste të tij. Sfidat publike, që ambasadori i Serbisë dhe qeveria e Serbisë pas tij, i bëjnë të drejtës historike, sovranitetit dhe pavarësisë së Malit të Zi, nuk janë të rastësishme. Ato lidhen me zgjimin e fuqishëm të revanshit aneksionist serb ndaj Malit të Zi pas zgjedhjeve parlamentare të 30 gushtit. Në Mal të Zi, si rezultat i ndërhyrjes masive të forcave agjenturore dhe institucioneve serbe dhe ruse zgjedhjet i fituan forcat radikale politike dhe fetare proserbe dhe proruse, të cilat janë kundër pavarësisë dhe kundër kombit dhe identitetit malazez,si dhe kundër anëtarësimit në NATO dhe kundër orientimit perëndimor. Ata janë për aleancë me Serbinë dhe me Rusinë. Qysh të nesërmen e fitores në zgjedhjet e 30 gushtit, kryetari i opozitës dhe tani kryeministër në qeverinë e re, Zdravko Krivokapiç, deklaroi se është kundër sanksioneve të BE ndaj Rusisë, me të cilat është bashkuar Mali i Zi, që don të thotë se qeveria e re do ta tërheqë Malin e Zi nga këto sanksione. Kaq filoserbe është qeveria e re në Mal të Zi, sa që ministre e re e arsimit dhe e kulturës është emëruar Vesna Bratiç, e cila ka shpallur vetë publikisht se “unë jam nacionaliste serbe dhe grua çetnike, dhe malazezët nuk kanë baza historike, por janë një inxhinjering etnik”. Nuk don shumë mend për të kuptuar se kujt do t’i shërbejë një qeveri e tillë. Qeveria e re e filorusit dhe e delfinit të Serbisë, Zdravko Krivokapiç, e cila fillon nga puna në 2 dhjetor, e ka entuziazmuar aq shumë Serbinë, sa që Beogradi vendosi të ndërmarrë nëpërmjet ambasadorit të saj një hakmarrje dhe provokacion ndaj qeverisë malazeze, që futi vendin në NATO dhe që dorëzon tani pushtetin. Por qeveria e deritanishme malazeze si një qeveri që mbron sovranitetin, integritetin, shtetësinë dhe historinë e vendit të vet, ndërmori aktine drejtë të dëbimit të ambasadorit serb, akt i cili mund të konsiderohet shuplaka e fundit malazeze për ambicjet aneksioniste të Beogradit.

Lexo po ashtu:  Mediat nën “Diktaturën e Albinit”

Në këtë situatë të tensionit diplomatik midis dy shteteve fqinjë të provokuar nga Serbia, ngrihet Komisioneri i BE për zgjerimin dhe del zyrtarisht dhe në mënyrë flagrante në përkrahje të Serbisë. Si nuk i bën përshtypje Komisionerit të BE që ambasadori dhe qeveria serbe po përçmojnë pavarësinë dhe integritetin e Malit të Zi? Si nuk i bën përshtypje Komisionerit që Serbia, një shtet kandidat i BE, po shpreh rivendikime territoriale ndaj Malit të Zi, shtet kandidat për në BE, dhe po i kërkon rikthim në një krahinë serbe si në vitin 1918? Ndjenjat dhe interesat filoserbe nuk e lanë Komisionerin të priste të paktën dy ditë deri në 2 dhjetor, kur vinte zyrtarisht në pushtet në Podgoricë qeveria proserbe e Krivokapiçit, e cila do ta tërheqë vendimin e dëbimit të ambasadorit serb.

Komisionerit të BE nuk i ra në sy parada ushtarake me kontigjentin e ri të 11 tankeve ruse, që zhvilloi në 28 nëntor presidenti serb Vuçiç në Nish, ku kërcënoi rajonin me makinën ushtarake serbe. Komisioneri nuk foli për akuzat e prokurorit të përgjithshëm të Malit të Zinë 30 nëntor ndaj prokurorit të përgjithshëm të Serbisë për ndërhyrje të papranueshme për të fshehur implikimin e agjentëve të shërbimit sekret serb në grushtin e shtetit të vitit 2016 në Podgoricë, kur bashkë me agjentët e shërbimit sekret rus organizuan tentativën për të përmbysur qeverinë dhe për të ndaluar anëtarësimin e Malit të Zi në NATO. Komisioneri i BE nuk foli as për implikimin e Serbisë dhe të shërbimit sekret serb në trazirat disa mujore të kishës ortodokse serbe në Mal të Zi kundër qeverisë dhe shtetit malazez gjatë pandemisë lidhur me ligjin për të drejtat e komuniteteve fetare. Ligji i kërkonte me të drejtë kishës ortodokse serbe në Mal të Zi që të dokumentonte pronësinë e kishave, manastireve dhe të pronave para vitit 1918 të aneksimit serb të Malit të Zi. Duke qenë se kisha ortodokse serbe nuk disponon asnjë dokument pronësie para pushtimit serb mbi këto prona, që i takojnë shtetit malazez, Beogradi organizoi tërë rrjetet politike, fetare dhe diversioniste proserbe për të përmbysur qeverinë e Malit të Zi. Serbia e arriti objektivin me ndërhyrjen masive në zgjedhjet parlamentare të 30 gushtit 2020në Mal të Zi dhe realizoi që të sillte në pushtet një qeveri proserbe dhe proruse. Deklaratat proserbe të Komisionerit të BE shkaktuan një indinjatë të gjërë në popullin malazez. Shkrimtari Milorad Popoviç theksonte në 30 nëntor: ”Deklarata e Varhelyit është skandaloze dhe demonstron mungesë elementare respekti për politikën sovrane të tjetrit”.

Lexo po ashtu:  Për shqiptarët që më shumë besojnë Fred Cakon, se sa qeverinë suedeze

Pas shembjes së Jugosllavisë BE është karakterizuar gjithmonë nga një kurs filoserb në Ballkan. Në gjithë fazat e marrëdhënieve me Serbinë BE ka ndjekur një politikë të standardeve të dyfishta: të rigorozitetit ndaj shteteve aspirante nga Ballkani dhe të indulgjencave dhe të tolerancës së pamerituar me Serbinë. Por tani BE ka arritur në një pikë të tillë, ku filoserbizmi po kalon çdo cak dhe kufi normal diplomatik. E vërteton këtë qendrimi i Komisionerit të BE për zgjerimin, që del dhe mbron Serbinë, e cila dhunon sovranitetin, pavarësinë dhe historinë e popullit dhe të shtetit malazez. E vërteton edhe qendrimi skandaloz i të dërguarit të posaçëm të BE për dialogun Serbi-Kosovë, sllovaku Lajçak, ku ai po shpreh qendrime sikur të jetë diplomat i Ministrisë së Jashtme të Serbisë. Është flagrant proserbizmi publik në rritje i Lajçakut, i cili siç deklaroi në 26 nëntor kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, i ka dërguar letër zyrtare me protestën pse qeveria e Kosovës nuk ka lejuar presidentin serb Vuçiç të hyjë në Kosovë dhe paska cënuar parimin e lëvizjes së lirë. Nuk duhet të jesh diplomat për të ditur se për të hyrë në një shtet tjetër duhet vizë dhe leje, pavarësisht nga posti shtetëror. Shkolla diplomatike e Ministrisë së Jashtme ruse, ku është përgatitur Lajçaku, me siguri ia ka mësuar se në marrëdhëniet midis shteteve që nuk janënë Shengen zbatohet regjimi i vizave, që është e drejtë ekskluzive e shtetit që jep vizën. Kurse arbitri apo ndërmjetësi sllovak i BE del hapur dhe mbron të pretendimin kolonial të presidentit të Serbisë që të hyjë në Kosovë kur t’i teket dhe pa pyetur njeri. Kjo don të thotë që arbitri Lajçak i BE injoron shtetin e pavarur të Kosovës dhe të drejtat e tij sovrane. Si sllovak ai mund ta mbajë këtë qendrim, sepse Sllovakia është ndër pesë shtetet e BE që nuk e njohin Kosovën, por në asnjë mënyrë nuk ka të drejtë ta bëjë këtë kur ka uniformën e të dërguarit të posaçëm të BE.

Lexo po ashtu:  Minjtë kanë nisur të dalin nga vrima për të folur për rrezikun

Po krijohet një situatë diplomatike tepër komprometuese për BE dhe për politikën e saj në Ballkanin Perëndimor. Me të drejtë ambasadori i Malit të Zi në Vatikan, Miodrag Vllahoviç, në datën 30 nëntor iu drejtua Komisionerit të BE për zgjerimin:“Z.Varhelyi, deklarata juaj flagrante komprometon dhe përçmon seriozitetin dhe objektivitetin e presupozuar të politikës së BE në Ballkanin Perëndimor. Ose ju jeni i painformuar, ose pozicioni juaj është rezultat i interesave të kundërta me vlerat dhe parimet bazë europiane”.

Afishimi publik i linjës filoserbe në qendrimet e përfaqësuesve të lartë diplomati këtë BE në mbështetje të ambicjeve dhe arrogancës shtetërore të Serbisë ndaj dy shteteve fqinjë, Malit të Zi dhe Kosovës, krijon një konjukturë të re të rrezikshme diplomatike, e cila duhet të shqetësojë seriozisht shtetet e rajonit. Duhet të shqetësojë në radhë të parë Shqipërinë për të kuptuar se duhet të rivlerësojë strategjinë dhe taktikat e saj në politikën rajonale dhe në qendrimet ndaj Serbisë dhe ndaj politikës së paqendrueshme rajonale të BE. Edhe Kosova nuk duhet të gëlltisë në heshtje çdo qendrim kolonial, që del nga goja e njerit apo tjetrit zyrtar të BE, i cili ka prioritare axhendat personale dhe jo Kosovën. Heshtja dhe pranimi apriori i qendrimeve dhe i pikëpamjeve filoserbe, që dalin nga zyrtarë të BE, mund të ketë pasoja të rënda për shtetësinë dhe rrugën e Kosovës si subjekt i pavarur i së drejtës ndërkombëtare.

Ka dhe një alarm tjetër, që duhet të tërheqë vëmendjen, pas zhvillimit negativ të ardhjes në Podgoricë të një qeverie proserbe dhe proruse. Pritet që kjo të ketë efekte negative edhe në drejtim të Shqipërisë, ku në kufirin verior do të kemi tani një qeveri më pak miqësore ndaj saj dhe më armiqësore ndaj çështjes shqiptare, siç do të jetë dhe qeveri malazeze më pak e disponuar ndaj Aleancës Atlantike. Rusia dhe Serbia do të rikthehen sërish në Mal të Zi, duke shtuar diversionin dhe kërcënimet për sovranitetin dhe për stabilitetin, qoftë të Kosovës, qoftë të Shqipërisë./Shaban Murati/Dita/MekuliPress/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *