Artur Shkurti

Konturet e reagimit dhe rezistencës ndaj largimit, ndaj shpopullimit po dalin më në pah. Me shumë vonesë, por po dalin. Ishte marrë si sport i lehtë “Mos rri në këtë vend”, por nuk doli edhe aq i lehtë, por doli me pasoja të rënda praktike për ata që rrinë, por edhe për ata që ikin. Kanë kujtuar se vendi i atyre që ikin nuk ngelet bosh por zihet nga të tjerë, por në fakt, ngelet bosh. Ngelet bosh vendi i atij që duhet të përkujdeset për më të moshuarit për të cilët nuk ka kush të kujdeset. Ngelet bosh vendi i një specialisti shumë të mirë që ka vite që investon në profesion dhe vendosë të ikë dhe vendin do t’ia zërë veç një amator. Ngelet bosh vendi i punëtorit të ndërtimit dhe firma nuk ka me kë e zëvendëson, sepse nuk mundet t’u garantojë punëtorëve jetëgjatësi në pagesat që marrin.

Në debat mësyjnë këndvështrime të ndryshme dhe do të dalin në pah interesat personale ndaj atyre kombëtare. Interesi kombëtar nuk është interesi i qeverisë. Ky interes mund të dëmtohet ose ndihmohet nga qeveria, por ekziston pavarësisht qeverisë. Dihet se cili është interesi: të rritim shqiptarë të shëndetshëm me gjuhë e kulturë në vendin e tyre dhe që kanë një mirëqënie të tillë që u lejon ta gëzojnë jetën. Kaq të mëdha janë prapësirat e politikës sa nuk do shumë sforcim të gjesh menjëherë argumenta që të largohesh. Është tundim i fortë, më i forti që po hasin të gjithë: largimi nga vendi. Prerja e zinxhirit të trashëgimit kombëtar është pasoja më e madhe. Njerëzit pozicionohen në shtete të tjera, me shumë gjasë atje krijojnë familje internacionale (një pjesë ia dalin të krijojnë familje shqiptare) dhe dimë se sa i lehtë është largimi, aq i vështirë është kthimi. Ti mund të kthehesh lehtë pranë familjes, por ku do të kthehesh kur edhe familjen e ke marrë me vete; është më e vështirë të kthehesh me gjithë familje. Vendi mund të jetë zënë, biznesi që do të bësh nuk mund të funksionojë si më parë, klientela ka ikur, njerëzit ndryshojnë dhe ti që nuk ke ndenjur i humb këto lidhje. Kultura që ke marrë në vend të huaj mund të bjerë ndesh me atë që gjen në vendin tënd e kështu me radhë.

Lexo po ashtu:  Lul Basha gënjen edhe për orën, jo më për ngjarjet e Kosovën

Por ndriçojnë të njëjtat arsye dhe argumente që kanë ndriçuar në shekuj, ku i pari është e mbetet “guri i rëndë në vend të vet”, që do të thotë se ka me mijëra koordinata, lidhje që janë aq të forta dhe që e kanë emrin kulturë e vendit që humbet.

Për të prodhuar secilin prej nesh si shqiptar janë dashur me mijëra vjet. Kur ikim në vende të huaja ne e ruajmë për disa dhjetra vjet por më pas e humbim dhe shkrihemi në materialin gjenetik të kulturave të tjera. Humb Shqipëria fitojnë të tjerët. Vetë personi do të fillojë nga zeroja trashëgimin e ri.

Një shembull konkret me pasardhësit e Sami Frashërit që nuk i sjellin eshtrat e tij këtu në Shqipëri.

Në fjalët e urta të tij, Sami Frashëri thotë “Atdheu është trashëguesi i vërtetë i njeriut, madje edhe eshtrat e tij mbeten atdheut” Ky mund të quhet testament i tij për t’ia kthyer eshtrat në atdhe, pra në Shqipëri. A i kthyen eshtrat pasardhësit e tij? Jo. Po pse? Sepse nuk janë plotësisht shqiptarë, sepse u martuan me turq, lindën fëmijë turko-shqiptarë, që patën nipër e mbesa turko-turko-shqiptarë, pra gjithnjë e më pak shqiptarë e gjithnjë e më shumë turq. Si mundemi ta trajojmë njësoj një nip a mbesë të Sami Frashërit njëlloj me Sami Frashërin ose me në në të qenit shqiptar, kur është e natyrshme që ata janë produkt miks turko-shqiptar duke patur më shumë prejardhje turke sesa shqiptare. Atëherë edhe interesi i tyre kulturor më shumë është turk sesa shqiptar. Natyrshëm janë asimiluar. Nuk po themi se ata po mohojnë prejardhjen, por në një çështje që qartësisht është proshqiptare siç është kthimi i eshtrave të Sami Frashërit, ata po mbajnë anën e Turqisë dhe jo të Shqipërisë.

Lexo po ashtu:  Studimi: Ja pse njerëzit ndjekin udhëheqësit dhe partitë politike që ata drejtojnë

Largimi është çështje personale
Çdo person është një njeri konkret që ka hallet e veta personale dhe këtë e zgjidh sipas kushteve që ka. Fakt është që këto kushte janë përkeqësuar dhe njerëzit po ikin. Po duhet ditur që po ikin për çështje personale dhe pasojat përgjithësisht janë negative kombëtare (jo në çdo rast). Disa po e veshin këtë edhe me një protestë me natyrë “kombëtare” dhe kjo shpesh nuk shkon, sepse pak a shumë jep thirrjen “ika unë, ikni të gjithë tani”. Është në interesin e gjithkujt të bëjë të kundërtën “rrini, rrini, rrini”. Ne edhe në Top-Channel në emisionin e mëngjesit, para disa vitesh, por edhe në të gjithë artikujt e themi që shkolla “Udha e shkronjave” nuk është një shkollë “eksportuese” dhe dekurajon çdo motivim që mësimin e sheh si mënyrën më të mirë për t’u larguar. Të gjithë i mësojmë me mendimin që kanë detyrime familjare, fisnore, kombëtare për të ruajtur me këmbëngulje rracën dhe kulturën e tyre, që të mos reduktohet.

Investimi personal që është bërë duke shkuar jashtë, nëse shteti do të dijë ta kthejë, do të jetë i një përfitimi galopant, por a do të kthehen vallë? Njerëzit jashtë kanë bërë pasuri, profesion, kanë marrë kulturë e shkollim të lartë në kaq shumë shtete të botës, por a do të mundet Shqipëria t’i kthejë vallë?!

Lexo po ashtu:  Mbi shpifjen. Grenelli e Buzhala nuk më paskan harruar, paskan vendosur me u hakmarrë:

Qëndrimi është çështje kombëtare
“Jo çdo i pagëzuar është i krishterë” thotë Papa Ratzinger. Në të njëjtën mënyrë mund të themi që jo çdokush qëndron këtu në Shqipëri është patriot, por edhe pa qenë i vetëdijshëm që është apo jo patriot është e padiskutueshme që po ai po ruan dhe po përcjell edhe pavetëdije rracën dhe kulturën shqiptare që shprehet kryesisht në ruajtjen e gjuhës shqipe. Aq më tepër ata që rrinë me vetëdijen se do të rezistojnë për të mbajtur e trashëguar jo vetëm familjen, fisin, emrin, kulturën e ngushtë por edhe atë shqiptare. Sigurisht të qenët patriotë nuk është punë masive, por është punë elitare, ndaj gjejmë shpesh batuta për njërin a tjetrin, se është lehtësisht e verifikueshme që ata që janë patriotë janë fare pak. Po nuk është kështu vetëm me Shqipërinë.

Vetë jam i kënaqur që njerëzit kanë filluar të shprehin revoltë ndaj artikujve që propagandojnë dhe sforcojnë ikjen. Para disa kohësh në “Opinion” doli një studente e Kembrixhit që Blendi Fevziu e pyeti “A do të kthehesh?” dhe ajo tha “Nuk do të kthehem”. Në fakt, pikërisht ajo mori bursë të plotë nga shteti shqiptar dhe tani i bie të kthehet me detyrim dhe jo për qejf, se qejfin e tha si e kishte në “Opinion”.

Një shembull tjetër, nga jeta. Një pedagoge më thotë “U thashë studentëve të mi: sa të mbaroni shkollën largohuni nga ky vend”. I them “Nuk të lejohet as ligjërisht as me moral t’u japësh mësime të tilla studentëve. Ata nuk vijnë të dëgjojnë opinionet e tua në leksion”.

Shembuj të tjerë publiku së fundmi po gjen pak më shumë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *