Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë po bën thirrje për intensifikim të studimit të sekuencës gjenetike të coronavirusit pas zbulimit të varianteve të reja në Britani dhe Afrikën e Jugut.

Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus tha gjatë një konference shtypi në internet të hënën nga Gjeneva se, “vetëm nëse vendet shqyrtojnë dhe testojnë në mënyrë efektive, do të jenë në gjendje të zbulojnë variantet dhe të hartojnë strategjitë për t’i përballuar ato”.

Ai tha se OBSH-ja po punon nga afër me shkencëtarët në mbarë botën për të “kuptuar më mirë të gjitha ndryshimet tek virusi” dhe ndikimet e tyre. Ai u bëri thirrje të gjitha vendeve që të ndajnë çdo të dhënë gjenetike me OBSH-në dhe vendet e tjera.

Zyrtarët britanikë kanë thënë se varianti i ri i coronavirusit të identifikuar në vend është më ngjitës, çfarë ka çuar në shtimin e mbylljeve dhe një valë kufizimesh globale të udhëtimeve me Britaninë.

Të hënën, vende të tjera, përfshirë Finlandën dhe Korenë e Jugut zbuluan rastet e para të variantit të ri të coronavirusit.

Një shtetas finlandez i cili u kthye nga Britania në vendin e tij kohët e fundit për pushimet e Krishtlindjes u diagnostikua me variantin e ri, sipas zyrtarëve finlandezë.

Koreja e Jugut njoftoi të hënën se do të zgjasë një ndalim të fluturimeve direkte me Britaninë deri më 7 janar. Njoftimi erdhi pasi tre individë që kishin hyrë në vend kohët e fundit testuan pozitivë për variantin e ri të coronavirusit.

Lexo po ashtu:  Shkrimtari shqiptar nga Finlanda, i nominuar për çmimin më prestigjoz në SHBA

Agjencia e Kontrollit dhe Parandalimit të Sëmundjeve në Korenë e Jugut tha se tre individët kishin hyrë në vend me 22 dhjetor pasi kishin fluturuar nga Londra, duke i bërë ata rastet e para të njohura të variantit të ri të zbuluara në Korenë e Jugut.

Japonia, e cila njoftoi rastin e parë të variantit të ri të virusit javën e shkuar, e ka ndaluar hyrjen e të gjithë të huajve jo-rezidentë që nga mesnata e së hënës deri në fund të janarit.

Indonezia njoftoi të hënën se do të ndalojë përkohësisht shtetasit e huaj që futeshin në atë vend për dy javë, në përpjekje për të ndaluar përhapjen e variantit të ri të virusit.

Arabia Saudite tha të hënën se po zgjat mbylljen e saj javore në të gjitha portet si rezultat i variantit të ri.

Ndërkohë në Shtetet e Bashkuara hyri në fuqi të hënën vendimi që u kërkon të gjithë pasagjerëve që vijnë nga Britania që të testojnë negativ për COVID-19 brenda 72 orësh para nisjes.

Zyrtarët amerikanë thanë se afro 1.3 milionë pasagjerë kaluan në aeroportet amerikane të dielën pas festës së Krishtlindjes, niveli më i lartë i udhëtimeve ajrore në më shumë se nëntë muaj. Udhëtimet e mëdha ndodhën pavarësisht këshillave nga zyrtarët e shëndetësisë për të mos udhëtuar gjatë festave nga frika e shtimit të rritjes së infeksioneve me coronavirus.

Autoritetet ruse thanë të hënën se vendi kishte regjistruar 241,193 vdekje më shumë në periudhën prill-nëntor 2020 sesa gjatë së njëjtës periudhë vitin e kaluar. Shifra është dukshëm më e lartë se numri i vdekjeve në atë vend nga coronavirusi 55,265. Vdekjet e tepërta mund të përfshijnë viktimat nga COVID-19 që nuk u konfirmuan zyrtarisht nga zyrtarët mjekësorë, si dhe vdekjet nga shkaqe të tjera që mund të lidhen me mbipopullimin e spitaleve si rezultat i COVID-19 ose efekte të tjera të virusit në shoqëri.

Lexo po ashtu:  Rakete të re inter-kontinentale, Rusia: Mund të shkatërrojë një territor me masë sa Franca.

Autoritetet britanike pritet të miratojnë këtë javë përdorimin e vaksinës nga AstaZeneca kundër coronavirusit. Drejtuesi i kompanisë ka thënë se vaksina do të jetë po aq e efektshme sa edhe vaksinat e prodhuara nga Pfizer-BioNTech dhe Moderna.

Pascal Soriot, shef ekzekutiv i firmës AstraZeneca, i tha gazetës “The Times” se kompania ka “gjetur formulën fituese dhe si të arrihet efikasiteti, pas dy dozave, njëlloj me të tjerët.”

Ai shprehu besimin se vaksina e kompanisë së tij do të ishte gjithashtu efikase kundër variantit të ri të coronavirusit.

Nëse aprovohet, vaksina nga AstraZeneca do të bëhet e pesta që shpërndahet për të luftuar virusin. Testet e hershme treguan se vaksina ishte 70 për qind e suksesshme për parandalimin e sëmundjes, krahasuar me 95 për qind të raportuara nga Pfizer dhe partneri i saj gjerman BioNTech. Rusia dhe Kina po ashtu kanë vaksinat e tyre.

Po ashtu të hënën, një tjetër vaksinë kandidate kundër COVID-19 po fillon testimin në fazën përfundimtare në Shtetet e Bashkuara. Testi i vaksinës nga Novavax do të përfshijë 30 mijë vullnetarë për të përcaktuar nëse vaksina ka efekt dhe është e sigurt. Provat do të përqendrohen tek të moshuarit me rrezik të lartë, si dhe njerëz nga komunitetet afrikano-amerikane dhe hispanike, të cilat janë prekur në mënyrë disproporcionale nga virusi.

Lexo po ashtu:  “Guximi është ngjitës. Kur një person guximtar mban një qëndrim, të tjerët ngurtësohen”.

Vaksina e fundit në horizont vjen ndërsa bota arriti një pikë të zymtë me mbi 81 milionë të infektuar nga virusi dhe mbi 1.7 milionë të vdekur në shkallë botërore, sipas Universitetit Johns Hopkins.

Në Shtetet e Bashkuara 19.2 milionë njerëz janë infektuar me coronavirus dhe më shumë se 334 mijë kanë vdekur.

Ndërkohë, pandemia ka bërë që autoritetet në Australi të ndalojnë grumbullimin e njerëzve për të ndjekur një nga festimet më popullore të botës, atë të ndërrimit të moteve.

Kryeministrja e Uellsit të Ri Jugor (New South Wales) Gladys Berejiklian njoftoi të hënën se porti në Sidnei do të mbyllej për publikun në prag të Vitit të Ri për të parandaluar përhapjen e sëmundjes përtej plazhit verior të qytetit. 125 njerëz në atë zonë kanë testuar pozitiv për COVID-19 që nga mesi i dhjetorit, përfshirë pesë raste të reja të hënën.

Kremtimi i ndërrimit të moteve përfshin një shfaqje spektakolare me fishekzjarrë që ndriçon qiellin mbi pallatin e famshëm të operës në Sidnei. Të paktën 1 milion njerëz mblidhen për të ndjekur këtë shfaqje fishekzjarrësh, por kryeministrja ka thënë se mënyra më e sigurt që banorët e Sidneit të ndjekin shfaqen është përmes ekranit të televizionit nga shtëpitë e tyre. /VOA/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *