Beqir Elshani

Tregim për fëmijë 

BABADIMNI PREJ LUBOTENIT 

Asnjë pëllëmbë e bjeshkës së Lubotenit nuk ka mbetur pa u mbuluar me borë. Degët pishave dhe bredhave të blertë janë kacavarur nga bora. Dimri është i çuditshëm, vetëm me një reshje atmosferike krijon pikturën me nuanca të bardha, me qiellin kaltërosh që ia shton bukurinë. Bjeshka e Lubotenit ka dy shkëlqime të bukura: gjatë verës me lule dhe gjatë dimrit me borë.

Zogjtë janë strukur nën degët e bredhit të stolisur me borë, ku ngrohen dhe cicërojnë. Një skifter u mundua të hyj në mes të kurorës së bredhit, ku zogjtë cicëronin, mirëpo vetëm bredhi u shkund nga bora, pastaj vazhdoi fluturimin drejt qiellit, sikur të mos kishte ngjarë asgjë.

Lumi Bistra i kthjellët si loti çan dy male me borë, dhe me vrull shkon në drejtim të Prizrenit. Këtu vijnë kaprolli me sorkadhen dhe dreni me drenushën plot shend për të pirë ujë. Pa, kur e prekin buzët e tyre, lumi nxehet dhe avullon. Gjithë zogjtë dhe kafshët e pyllit takohen te lumi që gurgullon. Pas pak tatëpjetë malit zbret Babadimni me dhitë e kuqe si dushku vjeshtak dhe me cjapin briartë në krye. Babadimni, i veshur me gëzofin e ariut, mbështetë dy pëllëmbët e ngrohta në gurët e akullta dhe pi ujë në lumin e kthjellët si kristali. Pas shëtitjes tek lumi, Babadimni me dhitë e veta ecën cakërr në drejtim të kasolles, ku e pret plaka. Plaka ka ndezur vatrën me degët e pishave të thata. Po ç’të ndezur, se, degët e pishave kërcasin nga xixat e zjarrta. Ajo e valoi qumështin e dhive dhe e poqi pogaçen. Babadimni bëri përshesh me tëmbël për të ngrënë dhe iu drejtua plakës:

Lexo po ashtu:  Jorge Luis Borges: Dua t’ua lë lexuesve një amanet: nëse një libër ju mërzit, lëreni; një libër mos e lexoni nga që është i famshëm, nga që është modern, apo nga që është i vjetër

– Moj fisnike, e di ti se ku gjendet Prizreni?

– Si nuk e di, ore plaku im! Po sa herë kam shitur atje djathë dhie, që aq shumë e pëlqejnë prizrenasit. Fortë mirë e dinë ata se kush është djathi i Sharrit që kullohet me ujë të Lubotenit! – u përgjigj me gëzim plaka.

– Sot është nata e kërshëndellave dhe pas një jave vjen viti i ri. Asnjëherë s´më kanë përmendë fëmijët e qytetit më shumë se këtë muaj. Prandaj mbushi thasët me të gjitha të mirat që kam mbledhur gjatë vjeshtës, …nesër do të udhëtoj për në Prizren.

Të nesërmen Babadimni ngarkoi sajën me dy thasë të mëdhenj të mbushur me dhurata, pastaj plaka i mbuloi me një bredh të blertë. Në thasë kishte vendosur gështenja, arra, boronica dhe një strajcë karamele me mjaltë, që i kishte blerë në tregun e Prizrenit. Ajo dëshironte jo vetëm që t´ia plotësojë dëshirën e plakut zemërbardhë, por edhe t´i gëzojë të gjithë fëmijët shqiptarë, që aq shumë kishin vuajtur pasojat e luftës. Babadimni mbrehu cjapin në bigën e sajës, ashtu siç mbrehet kali dhe si u përshëndet me plakën, rrëshqiti udhës së bardhë tatëpjetë në drejtim të Prizrenit. Përreth pyjeve kishin dalë kaprojtë e shumtë, tufa e dhive të egra, lepujt dhe ketrit bishtakë. Kafshët e pyjeve lëshuan një zë të madh, saqë buçitën bjeshkët e Sharrit, ishte një përshëndetje, që ia drejtonin Babadimnit. Cjapi me sajën prej gëzimit si një kalë po vraponte në drejtim të udhës së madhe.

Lexo po ashtu:  Albin Kurti del me apel të rëndësishëm për prindërit dhe qytetarët e Kosovës...

Para se të hynte në Prizren, u ndal cjapi, ashtu siç ndalet kali dhe pa se në qytet nuk kishte fare borë. Babadimni mendoi, si do t´ia bënte hallin tani, meqë saja nuk rrëshqet në udhën pa borë. Çmbrehu cjapin nga saja dhe i tha të kthehet udhës për në fshat. Mirëpo cjapi vetëm luhaste brirët dhe nuk pranonte të kthehej, meqë së bashku me Babadimnin dëshironte të shkonte për t´u takuar me fëmijët e qytetit. Ndërkohë që Babadimni po shtyhej me cjapin, një vogëlushe ishte duke luajtur me lepurin kukafshehtas dhe sakaq u fut në thesin e madh. Vogëlushja ishte Zana e pyllit, ndaj Babadimni nuk e hetoi se kush hyri në thesin e dhuratave.

Kur saja hyri tek parku i qytetit, Zana dëgjoi zhurmën e fëmijëve, ndaj u bë kureshtare për t’i parë. Ajo hapi një vrimë në thes dhe shikonte në rrugë. Pa cjapin, lepurin dhe fëmijët që po ecnin prapa sajës. Sa fortë gëzohej Zana, që u duk në qytetin më të bukur shqiptar. Vargu i fëmijëve shkonte duke u shtuar secilën herë e më shumë. Zana kishte qenë e padurueshme, prandaj me të parë fëmijët, që e përshëndetnin me dorë, u dhuronte arra, gështenja dhe karamele me mjaltë. Qysh tek parku i qytetit ishin bashkangjitur edhe harabelat që e shoqëronin me cicërimën e tyre të bukur për vitin e ri.

Prindërit ishin mërzitur aq shumë nga errësira e gjatë për shkak të mungesës së dritës elektrike, sepse nuk kishin mundësi t´i përgëzojnë fëmijët me lodra, me llamba të ngjyrosura dhe me transparente të shumta që vezullojnë edhe natën, edhe ditën. Për një çast panë se si shtëpitë u boshatisën dhe të gjithë fëmijët kishin shkuar tek Shatërvani i qytetit.

Lexo po ashtu:  Do ju kisha këshilluar që të fshini aplikacionet TikTok, Facebook dhe Instagram nga telefonat e fëmijëve tuaj.

Pas pak fëmijët morën bredhin nga saja dhe e vunë në mes të sheshit, kurse Babadimni hapi thesin e madh në sajën e tij për të shpërndarë dhuratat. Posa hapi grykën, ç´të shoh: një vajzë me fustan të kuq doli nga thesi. Babadimni nuk iu besonte syve të vet. Mendoi mbase është ndonjë trill i kurdisur nga plaka e tij, megjithatë e mbajti veten. Vogëlushja pa që Babadimni po e shikonte me habi, ndaj i tregoi se ishte bashkëngjitur te udha ku merrte fund bora.

– Gjysh, …jam Zana e pyllit! Kam ardhur të përshëndetem me fëmijët e qytetit.

– Mirë se vjen oj Zana e Malit! Kemi nderin t´i përshëndesim fëmijët e dashur! – kështu tha Babadimni, duke i hapur krahët.

 Zana kapi kindin e fustanit të kuq dhe u përkulë para spektatorëve të vegjël, ashtu siç bëjnë balerinat në fund të shfaqjes. Pastaj falënderoi Babadimnin mjekërbardhë, cjapin briartë që kishte bartur sajën deri në qytet, dhe lepurin që pingul qëndronte me dy këmbë pranë saj. Nga thesi i dhuratave, Zana nxori disa fishekzare dhe i shkrepi në drejtim të kalasë, që pas pak i tërë qyteti vezulloi. Në qiellin plotë me yje vezullonte një shkëndijë shumëngjyrëshe “GËZUAR VITIN E RI!” Dukej sikur po fluturonte mbi qytet së bashku me vështrimin e fëmijëve. Fëmijët u gëzuan për urimin festiv, ndaj të gjithë njëzëri brohoritën: – Gëzuar! Gëzuar! Gëzuar!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *