Shqipëria mbart në historinë e saj shekullore, shumë figura intelektuale, rilindas të shquar, arsimdashës e atdhetardashës, të cilët me aktivitetet e tyre përkatëse ngrenë në altarin e nderit emrin e kombit tonë të dashur dhe gjuhën shqipe e bënë të pavdekshme. Disa prej tyre u martirizuan për të mbajtur gjallë gjuhën shqipe, kur falangat e pushtuesve të huaj kërkonin të errësonin kombin shqiptar. Martirët e lirisë i dhanë dritë shqipes sonë, kombit, duke kthyer shtëpite e tyre në fole dijesh.
Një ndër martirët e lirisë është Papa Kristo Negovani, prifti shqiptar i cili luftoi për çlirimin e vendit nga falangat greke, dhe punoi fort për shkrim-këndimin e gjuhës shqipe duke mbajtur zgjuar shqiptarët, se një komb pa gjuhën e vet dhe i nënshtruar, është një komb pa identitet!
Kristo Negovani është kleriku i shquar, veprimtari shqiptar, i cili nuk u lodh asnjëherë nga përpjekjet e tij për t’u mësuar gjuhën shqipe fëmijëve dhe më të rriturve. Kristo Negovani nuk hoqi kurrë dorë nga misioni i tij, derisa ra dëshmor. Ai është martiri i gjuhës shqipe, i cili nuk iu bind asnjëherë pushtuesve grekë të hiqte dorë nga misioni tij apo të shitej për interesat e veta. Shkrimtari dhe intelektuali Kristo Negovani luftoi kundër përpjekjeve dashakeqe të qarqeve shoviniste greke, për shkombëtarizimin e kishës dhe përvetësimin e Jugut të Shqipërisë. Përpjekjet e tij për të mbajtur ndezur pishtarin e gjuhës shqipe ishin madhështore.
Papa Kristo Negovani ishte i pari që mbajti meshën në gjuhën shqipe para peshkopit të Kosturit, gje e cila i kushtoi jetën. Me këtë veprim, prifti Kristo Negovani i dha forcë gjithë popullit shqiptar, të mos tremben për të shkruar e kënduar gjuhën e artë shqipe, edhe nëse do ua merrnin jetën, sepse një komb nëse nuk flet gjuhën e vet, është një komb i vdekur për së gjalli!!
Papa Kristo Negovani u lind në një trevë shqiptare në Greqinë Veriore, në Negovan afër Follorinës. Pas emigrimit të tij në Rumani më 1897, ku krijoi lidhje me lëvizjen shqiptare dhe mësoi shkrim dhe këndimin e gjuhës shqipe, ai u kthye në fshatin e lindjes, ku u shugurua prift. Papa Kristo nuk hoqi dorë kurrë nga përpjekjet e tij për t’u mësuar fëmijëve dhe të rriturve gjuhën shqipe. Ai ishte i pari që mbajti meshën në gjuhën shqipe, dhe kjo bëri që më 12 shkur të vitit 1905 një grup të panjohurish e morën me zor nga kisha ndërsa shpërndante naforën. Pasi e tërhoqën zvarrë e çuan në periferi të fshatit dhe e masakruan me thika e sopata duke thënë: “Shko tani të bësh propagandë për Shqipërinë dhe të thuash ungjillin shqip”. Bashkë me të vranë edhe të vëllain, Theodosin, edhe ky patriot. Papa Kristo ka lënë mbrapa një sërë veprash letrare, si amanetet e tij të fundit për të mos harruar kurrë gjuhën shqipe.
Sot e kësaj dite, grekët vijojnë ende të mbajnë të uzurpuar kreun e Kishës Ortodokse Shqiptare, vijojnë ende të pretendojnë për Jugun e Shqipërisë, Himarën e quajnë pjesë të Greqisë; minoritetin grek në Shqipëri e përdorin për nacionalizma pushtuese etj. Ndërsa shteti shqiptar në politiken e jashtme nuk ka bëre asgjë sa i takon pronave dhe varrezave çame. Shqipëria minoritetin grek e respekton, ndërsa të kundërtën bën Greqia. Madje, shqiptarët kanë ndërruar edhe emrat vetëm për t’u pranuar më lehtë në shtetin helen. Si për ironi të fatit, Greqia shton edhe pretendimet për dalje në Detin Jon. Skandali I turpshëm i vitit 2009 u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese, por duket se po tentohen të përsëritet për fat të keq. Kur intelektualë si Kristo Negovani dhanë jetën për kombin dhe gjuhën, “atdhetarët” e sotëm, pushtetarët po shesin interesat e vendit në dobi të pasurimit të tyre. Jane dy faqe historie që nuk përngjajnë me njëra-tjetrën. Madje, faqja e sotme nxin dhe steros dinjitetin e kombit, por kurrsesi përpjekjet e dëshmorëve të lirisë, për një Shqipëri të denjë dhe demokratike. Ata do të mbeten të gdhendur në perjetësi, në memorien e kombit shqiptar!