Qindra anëtarë të dyshuar të grupit mafioz më të fuqishëm në Itali po bëhen gati për t’u përballur me drejtësinë në një prej proceseve gjyqësore që BBC e cilëson si një nga më të mëdhenjtë në vend në dekada.
Janë 355 persona të dyshuar si kriminelë dhe zyrtarë të korruptuar që janë akuzuar për lidhje me grupin e ‘Ndrangheta’.
Më shumë se 900 dëshmitarë pritet që të japin të dhëna për krime të ndryshme si vrasje, trafik droge, rrëmbime e pastrim parash.
Gjyqi parashikohet të zgjasë më shumë se dy vite dhe do të zhvillohet në Kalabri.
Godina ku do të zhvillohen seancat gjyqësore është kthyer në një sallë gjyqi të fortifikuar në mënyrë që të krijojë hapësirat e nevojshme dhe sigurinë që duhet për qindra persona që do të paraqiten aty. Një proces gjyqësor i tillë nuk mbahej në Itali që prej viteve ’80.