Fragment nga vepra “Rrno vetëm për me tregue” nga Zef Pllumi:

… Simbas asaj historie që dij vetë, i thojshim Velkos, njerëzimi sundohet prej njerzve të dhunës, që nuk kanë mëshirë as dashuni, por vetëm dëshirë të pangopun për lavdi e pasuni. Natyrisht kanë dhelpninë që për mos me u thirrë “përbindsha” i paraqesin veprimet e veta në bazë të mbrojtjes të ndonjë feje, ideologjie, filozofie o ideali. Ajo shka i karakterizon udhëheqësat, asht guximi i tepërt. Kështu ata pa kurrfarë ndrotje kcejnë në shpinë të kalit me vrull e lshojnë kushtrimin:

“Kush asht trim le të vijë mas meje me vdekë për liri”.

Këtë fjalën e fundit këta heronj të historisë e kanë zëvendësue dikush me “fe”, tjetri me “ideal”, me “atdhe” e me proshka të tjera që u vijshin ma përshtat për me gënjye nji turmë të verbët e cila tue bërtitë “urra” i shkojnë mbrapa me turr, posi nji ortek bore, tue gjumue, tue marrë hov e sulm sa herë që “prijsi në kal” valëvit e tund nji copë leckë, nji, dy, ose tringjyrshe, pse ai nuk din të numërojë të katërtën. Ajo copë leckë thërret “simbol”, “ideal” etj. Shiko, shife në Spanjë se si demi i egër sulmon nji pecë të kuqe. Kjo asht “turma” ose “populli” dhe në krye të saj “heroi” që ban historinë…

Lexo po ashtu:  Shotë Galica (1895-1927), Kush është kjo heroinë shqiptare?

Velko, tash sa mija vjetësh njerzimi vërtitet në nji “rreth vicioz” në kërkim të lirisë, ndërsa ajo rrin atje larg tue u zbavitë pamëshirshëm për marrinë e gjithmonshme të turmave që kërkojnë “nji prijës”, e adhurojnë atë, ecin mbas ligjeve të tija e jo të Zotit …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *