Çamëria, krahina jugore e trevave shqiptare, e merr këtë emër nga lumi Tiamis, qysh në kohën e fiseve ilire, që sot quhet Kalama, e që përshkon krahinën mes për mes. Në antikitet, në trevën e Greqisë, ka banuar fisi ilir i Thesprotëve.

Kjo trevë, me një sipërfaqe prej 2400 km katror më 1912, ka pasur një popullsi prej 50000 banorësh. Enciklopedia e Madhe greke e botuar më 1923, jep këto karakteristika për çamët: Çamët janë shtatlartë, flokëzinj, të shkathët, luftëtarë, të zgjuar, krijues, të besës dhe shumë besimtarë në fenë e tyre Islame. Çamët ishin të shpërndarë edhe në vise të tjera të Greqisë veri–perëndimore, jashtë kufijve që u përmenden më lart. Para sundimit turk, në Çamëri ka sunduar princi Gjin Bue Shpata.

Duke filluar qysh nga fundi i shekullit XV, popullsia çame përqafoi masivisht islamizmin. Rreth 80% e popullatës së Çamërisë, më 1912 ishte myslimane, kurse 20 % mbetën të krishterë ortodoksë. Çamët përqafuan sektin suni dhe Çamëria, ishte e vetmja trevë e populluar nga shqiptarët, që nuk njohu sekte dhe tarikate të tjera islamike. Në çdo katund të Çamërisë, kishte hoxhë dhe xhami, ndërsa në qytetet kryesore, si Filati, Gumenica, Margëlliçi, Pramithia, Arta dhe Preveza, funksiononin medresetë.

Kongresi i Berlinit, më 1878 me vendimet e tij të padrejta, shtyu aneksimet greke akoma më në veri, duke i dhënë Greqisë disa nga trojet e Çamërisë, duke përfshirë edhe qytetet e Prevezës dhe të Artës. Ushtria greke, me të hyrë në këto krahina, dogji dhe rrafshoi xhamitë, medresetë dhe gjithçka shqiptare dhe islame. Ata vranë parinë e vendit dhe e detyruan një pjesë të popullatës myslimane çame, të shpërngulej në pjesën tjetër të Çamërisë, ose në Turqi.

Një rol të rëndësishëm në këtë periudhë për mbrojtjen e interesave kombëtare të mbarë shqiptarëve, luajti dijetari i shquar çam Hasan Tahsin, i lindur më 1811 në katundin Ninat të Konispolit, një ndër teologët kryesorë të Lidhjes së Prizrenit. Hasan Tahsini, bëri një punë të palodhur për konsolidimin e Islamit në trevat çame. Ai hapi me shpenzimet e tij medresenë e Filatit më 1860 dhe rindërtoi shumë xhami të dëmtuara. Ai ishte i ditur si Avicena dhe i mprehtë si Dekarti.

Feja, atdheu dhe dituria ishin pasionet e tij për gjithë jetën. Në Stamboll kreu medresenë, kurse në Paris, studioi për 12 vjet, shkencat natyrore. Veprat e këtij dijetari të madh të kombit shqiptar dhe të fesë islame, u mblodhën dhe u botuan në saje të kujdesit të nxënësit të tij Nadiri Fevzi. Një nga kryeveprat e Hasan Tahsinit, “Ilmi Ruh” (Dituria mbi shpirtin) e përktheu në gjuhën shqipe më 1979, studiuesi dhe orientalisti i talentuar, Vexhi Buharaja. Dijetari Hasan Tahsin Çami ndërroi jetë më 1881. Për nder të kujtimit të tij në qytetin e Sarandës, është ndërtuar një bust, i cili u dëmtua me turbullirat e 1997, nga grekomanët.

Më 1881 trupat greke pushtuan trevat e Çamërisë së jugut dhe Artën. Bandat e andartëve, të armatosur nga qeveria greke dhe të frymëzuar nga kisha ortodokse, ushtruan terror mbi popullsinë çame myslimane. Në Prevezë dhe rrethinat e saj u masakruan mbi 120 çamë myslimanë, midis tyre edhe myftiu i Prevezës. Qëllimi i qeverisë greke ishte largimi i çamëve myslimanë nga trojet e tyre etnike. Për të përballuar presionin greko–ortodoks, u formua një forcë vullnetare e përbërë nga çamë myslimanë, nën komandën e trimit Muharrem Rushiti.

Dijetarët dhe hoxhallarët çamë, e ndihmuan Muharem Rushitin si nga ana financiare ashtu dhe për shtimin e radhëve të luftëtarëve të tij. Ai zhvilloi shumë beteja dhe iu shkaktoi shumë humbje grekëve. Muharem Rushiti gjatë periudhës kohore 1870–1920 u plagos pesë herë dhe mori 12 plagë në trup të tij. Me zemër të plagosur dhe trup të sakatosur, Murahem Rushiti u largua nga Çamëria e tij e dashur më 1920, në moshën 70-vjeçare i ndjekur këmba–këmbës nga andartët grekë.

Ai u vendos në qytetin e Sarandës ku vdiq në varfëri të plotë në 1931, në moshën 81 vjeç. Kisha greke edhe të vdekur nuk e la të qetë këtë mbrojtës të identitetit kombëtar dhe të islamizmit. Ajo dërgoi njerëz të paguar për t’i prishur varrin. Që në fillimin e Luftës së Parë Ballkanike, më 1912, ushtria greke invadoi Çamërinë. Me mijëra çamë, luftuan për mbrojtjen e Janinës për pesë muaj rresht duke bërë heroizma të padëgjuara. Lufta e Bezhanit, që njihet nga shqiptarët me emrin lufta e “pesë puseve” iu shkaktoi grekëve humbje të rënda.

Lexo po ashtu:  Reagimi i guximshëm intelektual i poetit të madh shqiptar, Esat Mekuli, ndaj akademikut fashit serb, Ivo Andriq

Ushtrinë greke e drejtonte vetë mbreti i
Greqisë Kostandin, i ndihmuar nga një repart special francez. Në një telegram që i drejtonte myftiu i Filatit, Mehmet Zeqiraj, Ismail Qemalit më 1 dhjetor 1912 i njoftonte, se e gjithë Çamëria ishte në agoni dhe i kërkonte ndihma në armë dhe në njerëz.

Në mars të 1913, Janina ra në duart e grekëve. Një terror i padëgjuar shpërtheu mbi popullsinë myslimane. Shumë familje myslimane çame u larguan nga Janina të tmerruar duke u vendosur në trojet shqiptare të papushtuara, ose në Turqi. Vetëm në krahinën e Parathimisë grekët masakruan 72 krerë të krahinës, midis tyre edhe myftiun e qytetit, Dalan Prënjasi. U shtuan presionet për ndërrimin e fesë islame, për ndalimin e festave islame, për ndalimin e përdorimit të gjuhës shqipe në zyrat e administratës, shtimin e taksave dhe shumë masa të tjera me pikësynim largimin e popullatës çame myslimane nga trojet e tyre.

Konferenca e fuqive të mëdha në Londër, më 1913, që u konsakrua me Protokollin e Firences në gusht të po atij viti, ia dha krahinën e Çamërisë shtetit grek. Brenda kufirit shqiptar mbetën shtatë katunde çame me kryeqendër Konispolin. Ky ishte copëtimi më radikal që iu bë trevave të Çamërisë. Pazarllëqet e shtetit grek vazhduan, për shpërnguljen e çamëve nga trevat e tyre duke nënshkruar marrëveshjen e 14 majit 1914 me shtetin turk.

Në bazë të kësaj marrëveshjeje, mbi 10000 çamër myslimanë u shpërngulën me forcë në Turqi dhe 1000 familje çame për t’i shpëtuar persekutimit grek, u vendosën brenda kufirit shqiptar. Mbas përfundimit të luftës greko–turke u nënshkrua marrëveshja e Lozanës më 1922, që parashikonte këmbimin e minoritetit turk në Greqi, me grekët e Azisë së Vogël. Qeveria greke me paturpësinë më të madhe i quante çamët myslimanë minoritet turk, duke iu mohuar kështu identitetin kombëtar shqiptar.

Çamët refuzuan të bëhen plaçkë tregu në këtë pazar të ndyrë. Duke hasur në kundërshtimin energjik të tyre qeveritarët grekë vunë në përdorim thikën dhe dhrahminë. Të ndjekur me armë dhe me mashtrime, shpërngulën me lot në sy nga vatrat e tyre rreth 30000 çamër. Ata u vendosën në Anadoll, e sidomos në krahinën e Izmirit. Çamët, që mbetën brenda kufijve të mbretërisë greke, iu nënshtruan represioneve të panumërta. Kjo shtypje mori përmasa të pakrahasueshme kur më 1936, në krye të shtetit grek u vendos diktatori Joan Metaksai.

Në këtë kohë në Çamëri filloi një proces i egër helenizmi. Filloi zëvendësimi i emrave të katundeve me emra greke. Kështu p.sh. katundi i Varfaj u quajt Parapetamo, Picari u quajt Aites, Spadari – Trikos etj. U ndërruan dhe emrat e lumenjve, fushave, maleve dhe çdo gjë që mbante emra shqip u zëvendësua me fjalë greke. U ndalua mësimi i fesë islame nëpër mejtepe dhe medrese. U ndalua komunikimi në gjuhën shqipe në gjykata, në ushtri dhe në zyrat qeveritare. U vendosën taksa shumë të larta dhe ua morën një pjesë të pasurisë së patundshme.

Nga kisha greke, predikohej hapur se ata çamër që do të konvertoheshin në ortodoksë do gëzonin të gjitha të drejtat dhe do të përjashtoheshin nga taksat. Çamet i rezistuan edhe kësaj stuhie greke, duke ruajtur fenë islame, e cila ishte bërë pjesë e identitetit kombëtar të tyre. Çamët që mbetën ortodoksë u asimiluan nga grekët, humbën identitetin e tyre shqiptar dhe sot shumë prej tyre janë bërë më grekë se grekët.

Në vitet e sundimit të diktatorit fashist Metaksa, shumë dijetarë dhe hoxhallarë çamë i kthyen shtëpitë e tyre në vende të lutjeve dhe të mësimeve të fesë islame. Është për t’u përmendur në këtë drejtim, hoxha nga Paramithia, Muharem Sali Bollati, i cili edhe pse u kërcënua nga autoritetet greke, nuk hoqi dorë nga predikimet e fesë islame. Një tjetër dijetar çam që ia kushtoi gjithë jetën fesë islame dhe kombit shqiptar është Murat Ferhat Canaj. Studioi për teologji në Kajro në fillim të shek. XX.

Lexo po ashtu:  Dhimotiki e sjellur nga era apo Shqip nga rrënjët? - Helena e Trojës me Plis

Zhvilloi aktivitet të vrullshëm për të penguar shpërnguljen e çamëve nga trojet e tyre etnike për në Turqi në periudhën 1923–1924, duke u zgjedhur kryetar i një komiteti shqiptarësh, që vepronte atëherë në Çamëri. Vjen disa herë në Shqipëri dhe krijon lidhje me kryetarin e nacionalistëve shqiptarë Mid’hat Abdyl Frashëri. Dënohet nga një Gjykatë ushtarake greke më 1936 me vdekje në mungesë. Kur Çamëria çlirohet nga thundra greke, kthehet në Çamëri dhe zhvillon një aktivitet të ethshëm fetar dhe kombëtar.

I ndjekur nga zervistët grekë, largohet nga Çamëria duke lënë në flakë shtëpinë dhe gjithë pasurinë e tij. Qeveria komuniste e Enver Hoxhës e arrestoi për aktivitetin fetar dhe kombëtar të kryer në Greqi dhe ia dorëzon grekëve, të cilët e dënojnë me burgim të përjetshëm në burgun e Janinës. Mbasi vuan disa vjet burg në Greqi, lërohet për arsye sëmundjeje dhe kthehet në Shqipëri. Përsëri burg dhe internim deri sa vdes më 1953.
Pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste, qeveria greke e Metaksait mori një sërë masash represive kundër popullsisë çame myslimane.

Rreth 2000 të rinj çamër u mobilizuan në repartet e punës të ushtrisë greke. Ata detyroheshin të bënin një punë prej skllevërish në hapje llogoresh dhe ndërtime ushtarake. 4000 burra myslimanë çamë, u internuan në kampet e përqendrimit të Kretës dhe të Mitilinit gjatë muajve shtator–tetor të vitit 1940. Rreth 500 prej tyre gjetën vdekjen nga trajtimi mizor i autoriteteve greke. Një fat tragjik pati myftiu i Filatit, Mehmet Zeqiraj, i lindur në Filat më 1865 një nga dijetarët më të shquar të trevës së Çamërisë.

Për shumë kohë kishte qenë drejtori i medresesë së Filatit dhe kryemyftiu i gjithë Çamërisë. Gëzonte një autoritet dhe simpati në të gjithë popullatën çame. Në moshën 75-vjeçare, në shtator të 1940, arrestohet nga qeveria greke dhe internohet në kampin Kaqino afër Pireut. Me urdhër të kryeministrit Metaksa, merret nga kampi dhe dënohet me vdekje nga një gjykatë ushtarake greke. Pushkatohet publikisht në Paramithi, më 30 tetor 1940. Gjatë tërheqjes së ushtrisë greke nga trevat çame edhe në maj të 1941, ushtria greke vrau rreth 300 çamë dhe grabiti me mijëra kokë bagëti.

Largimi i pushtetit të urryer grek u prit me hare nga popullata myslimane çame. U la i lirë përdorimi i gjuhës shqipe, u hapën shkollat, xhamitë dhe medresetë. Çamëria nuk u bashkua me Shqipërinë, por atje u vendos një administratë ushtarake italiane. Duhet theksuar se flamuri kombëtar shqiptar në disa qytete çame, u hoq nga pushtuesit italianë me nxitjen e autoriteteve kolaboracioniste greke.

Hoxhallarët dhe dijetarët çamë ishin të parët që propagandonin për bashkimin me Shqipërinë dhe ndihmuan për formimin në Filat, të një force ushtarake çame prej 2000 vetash, nën komandën e Nuri Dinos dhe Dine Kalos. Kjo forcë, kishte për qëllim mbrojtjen e trevave çame, por u kufizua vetëm në Filat dhe Gumenicë. Si gjithmonë edhe në këtë periudhë myslimanët çamë nën mësimet e dijetarëve dhe hoxhallarëve, treguan një tolerancë për t’u lavdëruar ndaj armiqve të tyre.

Në asnjë rast nga hoxhallarët çamë nuk ka patur thirrje për urrejtje dhe hakmarrje ndaj ortodoksëve grekë. Në të kundërt, janë strehuar në shtëpitë e hoxhallarëve çamë, shumë grekë dhe familjet e tyre që ndiqeshin nga okupatorët. Po kështu janë strehuar në shtëpitë e myslimanëve çamë me dhjetëra familje hebreje të ikur, nga Janina, Korfuzi dhe ishujt e Qefalonisë.

Pranvera e lirisë Çame vazhdoi vetëm 3 vjet (1941 –1944). Në fillim të 1944, forcat shoviniste greke, të udhëhequra nga gjenerali Napoleon Zerva dhe të armatosura gjer në dhëmbë nga aleatët anglo–amerikanë, filluan përgatitjet e ethshme për të sulmuar trevat çame. Forcat e gjeneral Zervës që numëroheshin në 10000 vetë ishin shumica me prejardhje çamësh shqiptarë, por të helenizuar nga kisha ortodokse greke. Edhe vetë gjeneral Zerva, ishte një i tillë.

Këto forca vepronin sipas urdhrave që merrnin nga qeveria greke në emigrim, me seli në Kajro. Përballë kësaj force agresive ndodheshin reparte të vogla çame myslimane të armatosura keq dhe të paorganizuara. Më 27 Qershor 1944, 5000 forcat greke të komanduara nga vetë gjenerali Zerva, filluan sulmin masiv kundër fshatrave dhe qyteteve çame. Grekët me bajoneta, çanin barqet e grave shtatzëna dhe hidhnin në flakë të gjallë fëmijë dhe pleq. U dogjën xhami, shkolla dhe gjithçka që identifikonte kombësinë shqiptare.

Lexo po ashtu:  - Do të marr vaporin. Do të shkoj në Shqipëri

Në një xhami në qytetin e Parathimisë u dogjën të gjallë rreth 40 gra dhe fëmijë që kishin shkuar atje për të gjetur strehim. U dogj medreseja e qytetit dhe të gjitha xhamitë në qytet dhe në fshat. Grekët vranë myftiun e Parathimisë, dijetarin Hasan Efendiun së bashku me hoxhallarët Mulla Çafaja, Haxhi Shehun dhe hafiz Esat Ademin. Vetëm në krahinën e Parathimisë dhe Margëllëçit në datën 27 qershor u vranë 782 veta. Forcat zerviste me thika ndër dhëmbë dhe ura të ndezura në duar, u vërsulën si ujq të tërbuar, drejt veriut, duke e kthyer Çamërinë në një tokë të djegur.

E vetmja rezistencë e armatosur u bë në vendin e quajtur Munin, gusht 1944 ku 72 çamë luftuan heroikisht për 24 orë kundër 5 batalioneve zerviste të përbërë prej 2500 vetash. Të 72 çamët ranë në fushën e betejës duke i shkaktuar forcave greke 400 të vrarë dhe 600 të plagosur. Napoleon Zerva që drejtonte nga një majë kodre, në fund të betejës i deklaroi korrespondentit të B.B.C. se myslimanët çamë i kishin asgjësuar lulen e ushtrisë së tij.

Masakrat greke vazhduan në Gumenicë dhe Filat, duke shkaktuar 2400 të vrarë dhe një numër të madh të plagosurish. 27 Qershori i 1944-ës me vendim të Parlamentit të Republikës së Shqipërisë, ka hyrë në historinë e Shqipërisë si dita e gjenocidit të popullsisë çame. Forcat greke, vazhduan masakrat dhe plaçkitjet prej 27 qershorit deri më 1 nëntor të 1944-ës. Gjatë kësaj kohe, ata vranë përveç Hasan Efendiut, myftiun e Parathimisë, edhe Izet Cukarin, myftiun e Pargës, Qamil Abazin, myftiun e Margëlliçit dhe shumë hoxhallarë të tjerë.

Në katundin Drizë të Margëlliçit, grekët dogjën të gjallë, hoxhën e fshatit së bashku me djalin e tij 11-vjeçar. Zervistët dogjën me qindra shtëpi dhe grabitën krejt gjënë e gjallë, që llogaritet në 400.000 dele, dhi, lopë dhe mushka. 22.000 çamë të ndjekur nga fërshëllimat e plumbave me foshnja në duar dhe me një bohçe në krah, hynë në kufirin e Shqipërisë si muhaxhirë të mjeruar. Ata lanë mbrapa pasurinë e tyre të vënë gjatë brezave që llogaritet me vlerë, 4 miliardë dollarë.

Shtëpitë, ullishtet, kopshtijet, pyjet dhe zabelet iu dhanë grekëve dhe vllehëve të shpërngulur nga zona e Gramozit, gjatë luftës civile 1945–1949. Autoritetet greke nuk e ndalën dorën e tyre edhe ndaj varreve të çamëve myslimanë. Me buldozerë, ata rrafshuan të gjitha varret, kudo që ishin. Mbi Çamërinë gjatë shekujve, frynë erërat e ftohta të ortodoksisë greke, por uragani i tmerrshëm i 1944-ës, i çrrënjosi çamët, nga trojet e tyre etnike. Përgjegjësi indirekte për këtë gjenocid, mbajnë edhe fuqitë aleate, të cilët nuk lëvizën as gishtin.

Me qëndrimin e tyre ata inkurajuan shovinistët grekë, për të kryer masakrën çame. Aktualisht në Çamëri, zyrtarisht nuk ka mbetur asnjë çam i besimit mysliman. Atje mund të gjesh vetëm ca rrënoja të xhamive dhe medreseve, që kanë ekzistuar para vitit 1945. Qeveria diktatoriale komuniste e Shqipërisë, i la në mëshirën e fatit çamët e ardhur nga Greqia dhe nuk bëri asnjë përpjekje, për t’iu siguruar strehim, bukë dhe punë. Me forcat e veta dhe me përkrahjen e popullsisë shqiptare, ata u vendosën në zonën e Shqipërisë së Mesme, sidomos në Vlorë, Durrës dhe Tiranë.

Historia e Çamërisë është historia më e trishtuar e trevave të kombit shqiptar. Kjo histori, është trajtuar nga historianë dhe publicistë jo vetëm shqiptarë por edhe grekë. Historiani arvanitas, Aristidh Kola, në librin e tij “Shqipëtarët e Greqisë” dënon gjenocidin grek ndaj çamëve myslimanë dhe thotë se çamët kanë lënë gjurmë të thella në kulturën greke. Historiani grek, Niko Zenga, në librin e tij “Imperalizmi Englez dhe rezistenca greke 1940 – 1945” ndër të tjera shkruan: “Të na vijë turp para historisë dhe të fshehim fytyrën me duart tona, për aktet e shëmtuara që janë kryer ndaj popullsisë çame”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *