1. Një fëmijë pesë vjeç,i cili, në një panair, humbet të ëmën midis turmës së njerëzve, i afrohet një polici dhe e pyet: Zotëri, a keni parë një zonjë duke ecur pa një fëmijë si unë?
2. Marisolit, një vajzë dy vjeçe, i duhet të mësohet të luajë në terr, pasi prindërit e saj qenë të detyruar të zgjidhnin ose vdekjen ose verbërinë e vogëlushes së tyre. Marisolit, pasi pesë specialist të shquar përcaktuan diagnozën: retinoblastoma*, ia nxorën të dy sytë në Klinikën e Majit. Katër ditë pas operimit, vogëlushja foli dhe tha: Mama, pse nuk po zgjohem dot?… Të lutem, më zgjuaj!
———————-
* Retinoblastoma – kancer i syrit që lind në retinë dhe e mbulon atë e më pas gjithë syrin me celula që nuk e durojnë dot dritën.
3. Është drama e një të zhgënjyeri, i cili u hodh nga kati i dhjetë, sepse, duke rënë, përmes dritareve, do të shikonte jetën intime të fqinjve: tragjeditë e vogla familjare, dashuritë e fshehta, apo disa çaste të shkurtra lumturie. Kësisoj, ai do të mësonte gjëra që njerëzia kurrë nuk mund t’i merrte dot vesh. Por në çastin kur u përplasë në çimenton e rrugës, ndërroi mendje plotësisht dhe erdhi në përfundimin se në këtë botë, të cilën po e braktiste përgjithmonë, ia vlente të ishe i gjallë.
4. Skuadra e pushkatimit, një mëngjes të herët dhe të akullt, e nxori nga qelia dhe, duke përshkuar në këmbë një fushë plot me dëborë, po e çonte te vendi i ekzekutimit. Rojet, për t’u mbrojtur nga të ftohtit, qenë veshur mirë: me kapota të gjata, me dorashka dhe me kokore; e megjithatë dridheshin nga cingërima e madhe. I burgosuri i mjerë, që kishte vetëm një xhaketë copë-copë, instiktivisht, ankohej duke fërkuar duart dhe trupin për të mos ngrirë nga ai i ftohtë vdekjeprurës. Për këtë, komandanti i skuadrës së pushkatimit i bërtiti:
– Ti, ore trap, mjaft na bëre viktimën e të ftohtit! Po ne të mjerët që do bëjmë edhe rrugën e kthimit në këtë acar!
(Përktheu nga origjinali Bajram Karabolli)
/MekuliPress.com/
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress