In memoriam

Ksenofon Krisafi

Teksa dy ditë më parë, më 7 mars, mësues, pedagogë, nxënës e studentë, në Shqipëri, Kosovë dhe trojet shqiptare, kremtonin ditën e mësuesit, nga Kosova erdhi lajmi i trishtueshëm se ishte ndarë nga jeta profesori i Universitetit të Prishtinës, diplomati dhe veprimtari i shquar, Zejnullah Gruda.
Ishim kolegë dhe miq shumë të mire. Na lidhte E drejta ndërkombëtare, lënda që e jepnim prej shumë vjetësh në fakultetet juridike, ai në Prishtinë dhe unë në Tiranë si edhe bashkëpunimi i frytshëm në trajtimin e disa disa prej çështjeve të mprehta të karakterit juridiko-ndërkombëtar me të cilat ndeshen shteti i Republikës së Shqipërisë dhe ai i Republikës së Kosovës.

Prof. Gruda, i lindur në Pejë, në vitin 1936, dhe ka ligjëruar në disa universitete brenda dhe jashtë vendit, në lëndët e së Drejtës ndërkombëtare, të Drejtave të njeriut, të Drejtës diplomatike dhe konsullore etj.
Ai ishte specialist i spikatur i teorisë, por edhe veprimtar aktiv në diskutimin e aspekteve praktike të fushave të mësipërme. Dijet e veta i përdori në dobi të trajtimit të çështjeve me të cilat u ndesh Kosova për disa dhjetra vjet, veçanërisht në prezantimin në forume të ndryshme ndërkombëtare të krimeve serbe dhe zhvillimeve të tjera tragjike në Kosovë, si dhe në sensibilizimin e opinionit botëror, duke përfshirë Komisionin për të drejtat e njeriut në Gjenevë dhe një numër konferencash.
U dallua edhe në veprimtarinë kërkimore, shkencore dhe akademike, të konkretizuar në leksionet cilësore në auditoret universitare dhe në botimin e një numri librash me vlerë, me rëndësi të veçantë shkencore në fushat e specialitetit të tij. Atye iu shtohen një numër i madh studimesh, referatesh e kumtesash në konferenca shkencore, për çështje me një diapazon të gjerë interesash, që nga marrëdhëniet ndërkombëtare, gjeopolitika, e drejta ndërkombëtare publike, të drejtat e njeriut, historia e Ballkanit, vëzhgime, analiza dhe qëndrime për zhvillime aktuale politike etj.

Lexo po ashtu:  “Një Pompei në miniaturë” – Në Verona bëhet zbulimi i rëndësishëm arkeologjik

Prof. Gruda, krahas prof. Arben Putos, ishte afirmuar prej kohësh si një ndër studiuesit më seriozë e më kompetentë të së drejtës ndërkombëtare jo vetëm në hapësirat shqiptare, por edhe më gjerë.
Ai do të mbahet mend veçanërisht për kontributin e jashtëzakonshëm në formulimin e qëndrimit kritik për gabimet e lejuara gjatë të ashtuquajturit demarkacion të kufijve shtetërorë ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, nëpërmjet marrëveshjes së nënshkruar në Vjenë, më 25 gusht 2015. Në atë kohë u tha se truallit shqiptar iu hoqën rreth 8 mijë hektarë tokë.
Në një shkrim për këtë çështje publikuar në gushtin e vitit 2016, duke iu referuar kontributeve të profesorit, kam shkruar se ai, së bashku me kolegë të tjerë nga të dyja anët e kufirit, kanë sjellë argumente të fuqishme me karakter juridiko-ndërkombëtar dhe historik në mbrojtje të integritetit territorial të Kosovës. Ato, profesori i kishte ekspozuar me kthjelltësi shembullore në librin “Kufijtë në dëm të shqiptarëve”. Ishte kjo arsyeja pse në atë kohë sugjeroja që grupi i punës që mendohej se do të ngrihej për ta rishikuar tekstin e kontestuar të marrëveshjes, mund të mbështetej sidomos te ky botim, që është një vepër me vlera të pakontestueshme shkencore. Aty gjenden argumente të fuqishme të natyrës teoriko-juridike, sillen arsyetime interesante që mbështeten edhe mbi precedentë të shumtë ndërkombëtarë.
Përveç çështjes së kufijve të shtetit të Kosovës, ai ka dhënë mendimin e tij të vyer dhe të argumentuar shkencërisht edhe për një temë tjetër, objekt debatesh spekulative, veçanërisht në mediat e Kosovës. Fjala është për të ashtuquajturin komb kosovar. Përgjigja e tij e prerë, por edhe e mençur, mbështetur në doktrinën juridike dhe në përvojën e vendeve të tjera ishte e thjshtë, “nuk mund të ketë komb kosovar, por vetëm shtetas të Kosovës”, ashtu siç nuk ka pasur komb sovjetik, apo siç nuk ka as sot komb spanjoll. Në mbështetje të këtij qëndrimi ai i referohej librit Traktat i të Drejtës Ndërkombëtare Publike të Pasquale Fiore, ndërkombëtarist i famshëm italian i shekullit të XIX-të.

Lexo po ashtu:  Shënohet 34 vjetori i grevave të minatorëve, Kurti: Për 8 ditë në nëntokë minatorët dridhen themelet e Jugosllavisë

Kontributet e tij janë të shumta, prandaj edhe ikja shkakoi dhimbje. Përkushtimi atdhetar, aftësitë e shkëlqyera profesionale dhe kontributet në fushën e së drejtës ndërkombëtare si dhe për kauzën e madhe shqiptare do mbeten në kujtesën e të gjithëve. Botës shqiptare do t’i mungojë mënçuria dhe urtësia e një burri të shquar, një atdhetari të guximshëm, e një profesori dhe akademiku nga më të diturit në doktrinën shqiptare të së drejtës ndërkombëtare. Do t’i mungojë gjithashtu një diplomat me përvojë të gjatë dhe shumë të vyer, i cili dijet, vlerat dhe aftësitë e veta profesionale i vuri pa rezerva në shërbim të çështjes kombëtare. Ne do të na mungojë një koleg e mik i dashur, që la pas vetes një emër të madh.

8 mars 2021

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *