Afrim Fanda

“Bashkimi mes Kosovës dhe Shqipërisë nuk do të ishte gjë e mirë… jam i bindur që këto ide janë ide të individëve, se ata janë në pakicë dhe nuk do të kenë të ardhme…”  deklaroi kryeministri Zoran Zaev, në intervistën e tij dhënë televizionit N1, pak ditë pasi Ali Ahmeti, vegla politike e tij, ishte deklaruar kundër bashkimit kombëtar, duke përdorur si kundërargument pikëristh rëninen e murit të Berlinit, dhe bashkimin e Gjermanisë së ndarë pas luftës së dytë botërore!

Në fakt z. Zaev nuk është as i pari, as i fundit nga fqinjët tanë, me këtë qasje arogante të imponimit të vullnetit të tyre politik. Në historinë e “re” të kësaj pjese të Gadishullit Ilirik, Serbia arriti që në vitin 1945 të shpikte kombin “maqedonas” dhe shtetin “Maqedoni”, duke ua imponuar me dhunë shqiptarëve shtetin dhe statusin e pakicës në këtë shtet. Greqia kontestoi një kohë të gjatë të drejtën e përdorimit të emrit “Maqedoni”, duke e përmbyllur me sukses projektin e saj të mbrojtjes së interesave greke përmes Marrëveshjes së Prespës.  Marrëveshje ku shqiptarët u trajtuan, e për fat të keq edhe vet u sollën, thjesht si spektatorë, pa të drejtën e vendimmarrjes.  Ndërkohë Bullgaria, priti me vetbesim dhe durim, pesë minutat e saja për të mbrojtur interesat e saja në këtë shtet sajesë të Serbisë, duke ngritur me sukses çështjen e abuzimit shumvjeçar me gjuhën dhe historinë e tyre.

Lexo po ashtu:  Nuk po ikim nga Shqipëria, por nga njëri-tjetri

Por cfar është ajo që i dha guximin kryeministrit Zaev për këtë deklaratë kaq arogante dhe ofenduese për shqiptarët, për tu dhënë atyre leksione publike se çfarë është mirë, e çfarë nuk është mirë për ta!? Për të imponuar publikisht, me arogancë dhe paturpësi, vullnetin e fqinjëve mbi atë të shqiptarëve, me deklarimin se “bashkimi kombëtar i shqiptarëve nuk është e ardhmja që duan popujt në rajon”!?

Është pikërisht klasa politike shqiptare, e kapur dhe kriminalizuar, servile ndaj politikës zyrtare të BE dhe e nënshtruar ndaj politikave hegjemoniste të fqinjëve, me deklaratat e tyre për  bashkimin kombëtar si “ide të tejkaluara”, vetëm e vetëm për të vazhduar të papenguar në veprimtaritë e tyre korruptive dhe kriminale në pushtet! Është loja e zgjidhjeve të pjesshme e partive shqiptare në pushtet dhe e atyre që synojnë (pa kushte) pushtetin, duke i paraqitur këto si kauza dhe të arritura të tyre në vend të zgjidhjes tërësore dhe përfundimtare të çështjes së shqiptarëve në ish IRJM. Ndaj të gjitha partitë shqiptare votuan ligjin mbi gjuhët, i cili shqitparët i trajton si pakicë që duhet të plotësojë përqindjen 20% për të gëzuar të drejtën e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe. Por kjo nuk i pengoi ata që para dhe pas votimit të këtij ligji, të krekosën para kamerave për “kauzën” dhe “të arriturën” e madhe, të cilën sot një pjesë e tyre e quajnë ligj diskriminues për shqiptarët. Lëvizja Besa, në marrëveshje me kryeministrin Zaev, lançoi kauzën e grafës së etnisë në letërnjoftimet e reja, duke e paraqitur atë si “të arriturën” më të madhe për shqiptarët. Kryeministri Zaev me vonë e hodhi poshtë këtë mundësi, por kjo nuk e pengoi LB të vazdonte e qete pjsëmarrjen në qeveri. “Kauza” e fundit, është propozim-ligji për shtetësi, i shpallur nga koalicioni Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativa, njëkohësisht edhe si kusht për pjesëmarrje në qeverinë e zgjëruar të kryeminstrit Zaev.

Lexo po ashtu:  Nuk ka parti politike së cilës i është organizuar fushatë për njollosje më shumë se sa Lëvizjes VETËVENDOSJE!

Pak ditë para deklaratave të kryeministrit Zaev, në media dhe rrjetet sociale shpertheu revolte e ashpër e qytetarëve shqiptarë, e nxitur nga shqiptimi i dënimeve mesjetare në procese gjyqësore politike të montuara, dhe ofendimet e rradhës në tekstet mesimore të historisë përplot falsifikime, nga ana e Ministrisë së Arsimit të ish IRJM. Madje u organizuan edhe protesta ndaj proceseve të montuara para qeverisë së ish IRJM, që përfunduan me shqiptarë të tjerë të burgosur.

Por, për fat të keq, ajo që karakterizon këto reagime dhe protesta, është po ajo qasje e pjesshme, si e partive politike. Është heshtja ose e vërteta e pathënë deri në fund për shtetin e definuar në kushtetutë si shtet komb i sllavëve të vetëquajtur “maqedonas” që ka nevojë për ekspeditat policore dhe proceset e montuara politike për shqiparët, për të treguar se kush është “zot shpie”. Është heshtja ose e vërteta e pathënë deri në fund për identitetin, gjuhën dhe historinë e pëvetësuar “maqedonase” që ushqehet me fasifikime të historisë dhe që të vërtetën mbi historinë dhe autoktoninë e shqitparëve e konsideron kërcënim për shtetin dhe identitetin e ndërtuar mbi të pavërteta, përvetësime dhe mashtrime   Është prirja për të protestuar për padrejtësitë, një nga një, në vend të denoncimit të diskriminimit sistematik, në të gjitha institucionet e shtetit, të mundësuar nga vet kushtetuta. Ndaj dhe gjërat nuk ndryshojnë!

Lexo po ashtu:  ANALIZA E CNN: Humbja e Trump do të jetë edhe humbja e Putinit!

Gjërat do të fillojnë të ndryshojnë vetëm kur qytetaret dhe qytetarët shqiptarë, të vetëdijësohen dhe të mbledhin guximin për të shfrytëzuar të drejtën dhe përmbushur obligimin qytetar  për të deklaruar pa frikë vullnetit e tyre politik, për të drejtën e patjetërsueshme për të jetuar të bashkuar si komb, ashtu si gjithe popujt në Europë! Kur në vend të ligjeve gjysmake të këmbëngulin për rishikimin rrënjësor të kushtetutës, si burimin e diskriminimit të shqiptarëve si bashkësi etnike e jo si individë. Kur në vend të zgjidhjeve të pjesshme dhe afatshkurtëra, të këmbëngulin për zgjidhje tërësore, përfundimtare dhe afatgjate të çështjes së tyre.

Deri atëherë do të jenë të tjerët që vendosin se cfarë është e mirë, e çfarë nuk është mirë për ta!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *