MekuliPress sot publikon pjesën e gjashtë të librit informativ, publicistik, kritik, politik e historik, “Gjurmë dhe fërkem” (ose Jusuf Gërvalla dhe…), të shkruar nga gazetari, kritiku, publicisti dhe aktori politik, Ibrahim Kelmendi.
Jusuf Gërvalla, Hysen Gega, Riza Salihu
[Jusuf Gërvalla:]
Me përfaqësuesin kryesor të Grupit komunist “Zëri i Kosovës” jam njohur, pra, në fund të dhjetorit 1979. Quhet Riza Salihu, nga fshati Mushtisht. Ra fjala për organin e LNÇK “Zëri i Kosovës” dhe ai, me një ton të ashpër, shprehu dyshimin jo vetëm në ekzistencën e këtij organi dhe të LNÇKVSH, por edhe në besnikërinë time. Arsyeja ishte se ai qëndronte vetë në krye të Grupit me të njejtin emër dhe, meqë, siç del logjikisht, nuk dinte për ekzistimin e LNÇKVSH dhe kishte edhe vetë një logjikë të kufizuar, kurrsesi nuk ia kapte rradakja të bënte dallimin në mes një organizate me emrin “Zëri i Kosovës” dhe një organi me titull “Zëri i Kosovës” që i takonte koinçidentalisht një organizate krejt tjetër. Po atë natë, ai më njohu mua dhe vëllaun tim me dy shokët e tij, Hysen Gega (tani i burgosur në burgun e Prishtinës) dhe Maksut Saramati, me punë të përkohshme në RFGJ. Që në fillim ra në sy kapadaillëku në rigorozitetin prej një shefi bande i Riza Salihut dhe natyrshmëria e zgjuarsia e dy shokëve të tij (anëtarë të KQ të “Z.K.”).
Me Hysenin e Maksutin u pamë dhe ndjenjëm disa herë me radhë dhe e pritëm bashkë Vitin e Ri 1980. Hyseni lente të kuptohej se kishte diku në Gjermani një shok më të mirë se Rizanë, një student. Ai fliste dendur për të dhe vëllaut tim, Bardhit, që kishte njohur kohë më parë një person të tillë, i shkoi mendja mos ishte fjala për njëfarë Ibrahim Kelmendin. Por Hyseni e fshehte, prandaj nuk ngulëm këmbë për t’u njohur. Pak ditë më vonë vijnë te Hyseni e Maksuti dhe na tregojnë se si Rizai kishte ardhur, që në takimin e parë me mua, në përfundim se unë jam “i dërguar special i UDB-së” dhe se u kishte propozuar haptazi Hysenit e Maksutit të më likuidonin bashkë me vëllaun, Bardhin. Ata u hapën në “muhabet” për dy arsye, sipas pohimit të tyre: e para, lidhur me Rizanë kishin pasur disa dyshime më përpara, dhe e dyta, tashmë ishin takuar me Ibrahimin dhe ai i kishte këshilluar të më afroheshin se gjoja ai e ditka kush jam dhe se jam “i mirë”. (…)
…Nga gjysma e GUSHTIT TË VJEMË (gushtit 1980-shën. I Xh.D.) te unë erdhi në banesë policia kriminalistike gjermane [po atë orë Bardhi ndodhej në qendrën e kësaj policie në Shtutgart, ku e kishin marrë nga puna]. Ata na morën në pyetje veç e veç. Çështja kishte të bënte me Riza Salihun. Ai kishte hapur në postën e Shtutgartit 14 fahe-postale në emër të 14 njerëzve të ndryshëm, ku ndalte letrat e këtyre dhe i lexonte për nevojat e veta. Mes të 14, kishim qenë unë e vëllau, Hysen Gega, Ibrahim Kelmendi etj. Policia e kishte zënë, e kish hedhur në burg dhe dyshonte se është agjent i UDB-së. Ndërkohë që Rizai kishte shpallur ndër punëtorë sesi ka kërkuar azil politik në Gjermani, ai kishte qenë pesë herë, në prag të burgimit, në konsullatën jugosllave në Shtutgart. Këto i kishte të shënuara në bllokun e shënimeve.
Për mua, vëllaun dhe Ibrahim Kelmendin kishte dhënë te policia deklarata shumë të liga me shkrim, me plot gënjeshtra edhe për dy takimet që kishim pasur e ku kishim shumë dëshmitarë. Policia në fjalë kërkonte prej nesh: të thoshim edhe ne se Rizai është spiun jugosllav. Natyrisht, ne s’bënim dot një gjë të tillë pa qenë të sigurt, dhe insistimet e policisë, të bazuara nga ana e saj në disa fakte që ne s’na e mbushnin mendjen, i kthenim mbrapshtë me arsyetimin se UDB-ja ka mundësi të mëdha të kurdisë gracka, e kështu ka mundur të veproj edhe me R. S…”
[Raport për Degën e LNÇKVSH “Hasan Prishtina” në Turqi, korrik 1981][1]
[Koment:]
Interesant kjo mendësia e Jusufit, e protokolluar në këtë “raport” të natyrës së spiunazhit, për të cilin po dyshoj se është falsifikuar.
Nuk dëshiroj t’i komentoj “raportimet” hyrëse, sepse vetëm sa po ma shtojnë irritimin.
Unë mbaj mend se kur kam shkuar për vizitë, jemi takuar e njohur në zyrë të Bardhoshit në Ludwigsburg. Aty, pos Bardhit dhe Jusufit, i kam gjetur edhe Hysen Gegën e Maksut Saramatit, të cilët Bardhi i kishte ftuar, meqë po shkoja unë. U bisedua se nga e kishte marrë vesh aq shpejt Riza Salihu se është arratisur JG? Hyseni tha se është informuar nga Amnesty International, siç i paskësh thënë Rizai. Propozova t’i telefononim Melani Anderson, përgjegjëse e AI në Londër për të burgosur politik në Jugosllavi, meqë kisha qenë i ftuar prej saj dhe kisha qëndruar mysafir i AI në Londër dy ditë. Me kishte porositur që të mos hezitoja por t’i telefonoja në çdo kohë, nëse ka ndonjë burgosje të shqiptarëve në Jugosllavi. I telefonova nga telefoni i punës. M’u përgjigj se AI nuk dinte të ishte arratisur Jusuf Gërvalla.
Me habit “raportimi” me kaq qetësi i JG për vendimin që Riza Salihu ia kishte komunikuar Hysen Gegës për ta vrarë JG. Tashmë pak rëndësi ka se si Hyseni ka ardhur deri në Bochum për të më pyetur nëse isha i sigurt se JG është patriot dhe jo njeri i UDB-së.
Pak kohë përpara (qeshor 1980) ne kishim një përballje brutale me Riza Salihun. Ai i kishte dhënë urdhër Hysen Gegës, “në emër të Grupit Komunist”, për ta vrarë Jusuf Gërvallën. Arsyetimi i tij ishte se Jusufin e kishte dërguar UDB-ja për të spiunuar emigracionin dhe për të përçarë Grupin Komunist (që ai e “udhëhiqte”). Me kërkesë të Jusufit, në fund të përballjes pleqëruese, e kemi falur Riza Salihun nga dënimi që e meritonte. Pra, kishim pleqëruar se Rizai ia kishte komunikuar një urdhër Hysenit, urdhër të cilin e kishte marrë nga eprorët e UDB-së, por që e kishte kamufluar si urdhër “në emër” të Grupit Komunist. Megjithatë Jusufi i paskësh “raportuar” eprorit të tij SN se nuk paska pranuar ta mbështesë dyshimin e policisë, se Rizai ishte njeri i UDB-së. Kjo duhet të jetë edhe një dëshmi më shumë se ende nuk ishte i përgatitur për të qenë udhëheqës në lëvizjen çlirimtare.
[Ibrahim Kelmendi:]
Do të kishte qenë mirë të më ndihmoni, pasi jeni më afër ngjarjes, për rastin e arrogantit Rizah. Sigurisht që Bardhi ka mundur të mësoj më shumë gjëra se unë, pasi unë pos çfarë më thanë të KRIPO-s (policia kriminalistike gjermane), nuk di tjetër. Një gjë di se jam i revoltuar shumë me Rizahun për konfiskimin e postës që më ka bërë. Është kjo vepër prej udbashi. I poshtri! Sigurisht që më ka munguar posta. Për këtë kam bërë sa herë fjalë me udhëheqësit e konviktit.”
[Letër Jusuf Gërvallës, 16 shtator 1980, botuar në:
Faridin Tafallari, Dhimbje Krenare, Tiranë 1998, faqe 117][2]
[Koment:]
Mbase këtu shihet dallimi i mendësive tona se si e kemi vlerësuar Riza Salihun. Unë edhe hetuesisë gjermane (KRIPO-s) ia kisha shpreh dyshimin se ai ishte bashkëpunëtor i UDB-së. Qysh atëherë kam dëgjuar njërin nga ata të dy kryehetuesit, që me morën në pyetje, fillimisht, shkurtimisht, në dhomën e konviktit të studentëve “Haus Michael” (Larholzstr. 3-5), pastaj në zyrë të KRIPOs në Bochum, se organet gjermane nuk mund t’ua ndalonin veprimtarinë shërbimeve inteligjente jugosllave, meqë kishin statusin e fitimtarit të Aleatëve Antifashistë dhe shërbimet e Aleatëve kishin të drejtë të ushtronin veprimtari në Gjermani për identifikim të kriminelëve të Luftës.
[Xhafer Durmishi:]
Çështje e kontrollimit të postës së Jusufit nga Riza Salihu, në korrik të vitit 1981, për Jusufin ka qenë punë e harruar dhe me mua as që u lodhë ta përmendi më shumë se një herë të vetme. Në ato ditë Jusufi ka pasë shumë punë më të rëndësishme se sa të merret me komentet e kontrollimit të postës së tij. Lidhur me këtë rast familja e Jusufit duhet të ketë dokumente të vërteta që nuk lënë hapësirë për gënjeshtra. Riza Salihu me metodat e tij ka kontrolluar postën jo vetëm të Jusufit por edhe të disa të tjerëve. Në postfachun e tij kanë ardhë letra të shumta që e kanë tërheq vëmendjen e personelit të postës së caktuar të Shtutgartit. Personeli i postës ka kontaktuar policinë, dhe policia ka zhvilluar hetime për këtë rast.[3]
[Koment:]
Nuk e kam të qartë arsyen përse autori Xhafer Durmishi ndien nevojë, madje edhe në vitin 2013 që ta nënçmojë atë veprimtari UDBeske të Riza Salihut?
[Xhafer Durmishi:]
Përveç përpjekjeve për njollosjen e Hysen Gegës, në mënyrë të paturpshme janë bërë përpjekje edhe për degradimin e burgosjes së tij, me arsyetimin se të gjitha vuajtjet çka i ka bërë për Kosovën në burgjet serbe i kanë shkua huq, dhe nuk i bahen kabull, sepse ai në Kosovë paska shkuar pa e pyetur Jusufin. Nëqoftëse na lejohet me bërë dallime në mesin e atyre që kanë vuajtur në burgjet serbe, për çështjen tonë të përbashkët, atëherë janë shumë të pakt ata që munden me qenë më krenar se Hysen Gega në këtë pikë. Është merita e Hysen Gegës dhe askujt tjetër ajo që ka bërë që e gjithë propaganda e UDB-së Serbe rreth Frontit të Kuq, gjatë vitit historik 1981, ka qenë sa e kot aq edhe qesharake. Mullinjtë propagandistik të UDB-së dhe filialës së saj TANJUG-ut, gjatë gjithë këtij viti historik kanë bluar në guri të thatë. Në mos asgjë tjetër vetëm kjo karikaturë e aventurave të UDB-së do të ishte e mjaftueshme me e përcaktue diagnozën e shëndetit të bivshe Jugosllavisë. Le të del dikush nëse mundet me thënë se atij i ka shkua përdore ajo çka i ka shkua Hysen Gegës. Ajo çka vlen të theksohet si përfundim është se Jusufi e fillon dhe e përfundon angazhimin e tij në gazetën Bashkimi, dhe bashkëpunimin e organizuar me I. Kelmendin brenda vitit 1980, pa asnjë ndërhyrje të Sabri Novosellës, Kadri Zekës e për të mos folur për mua. […]
Kur Hysen Gega niset për Kosovë, nga banesa e Nami Ramadanit, ai merr me vete numra të shumtë të Bashkimit dhe këtë Program. Ky është programi i Jusuf Gërvallës e i Hysen Gegës, i pafalsifikuar. I armatosur me idetë e me qartësinë e Jusuf Gërvallës, Hysen Gega bëhet një nga militantët më të fuqishëm që ka pasur Kosova. Është koha që pas 30 vitesh ta sjellim në dritë këtë Program të pafalsifikuar të asaj kohe të lavdishme.[4]
[Koment:]
Këtë kualifikim dhe vlerësim që i bënë Hysen Gegës këtu Xhafer Durmishi është një gjest që meriton të përgëzohet, pavarësisht se poenta është për të legalizuar Programin e Statutin e Frontit të Kuq Popullor si prodhim kreativ vetëm i JG. Jam kureshtar të di nëse F. Tafallari e ka lexuar këtë prononcim të “trashëgimtarit” Durmishi, meqë ai ka qenë njëri nga ata që e përbaltën në mënyrën më aktive Hysen Gegën. Fillimisht, deri sa Hyseni vuante dënimin në burgje, “arkivisti” Tafallari me fajësonte mua për burgosje të Hysenit, ndërsa pasi Hyseni vuajti dënimin dhe tha të vërtetën për burgosje të tij, Tafallari i sajoi faje të tjerë. Vërtetë, për keqardhje!
Nuk jam në gjendje të kuptoj, përse “trashëgimtari” Durmishi insiston ta paraqesë Programin e Statutin e FKP gjithsesi si prodhim ekskluziv të Jusufit? Rrjedhat janë të atilla sa që, sidomos unë, do të kisha arsye t’i gëzohesha kësaj të pavërtete, duke mohuar kontributin tim për atë Program e Statut dhe t’ia atribuoja Jusufit si prodhim ekskluziv, tashmë duke argumentuar edhe me dëshmitë e “trashëgimtarit” të tij. Megjithatë, më shumë i përgjigjet së vërtetës se është punë e përbashkët e Prof. Jurgen Link, Jusuf Gërvallës dhe imja (qoftë edhe vetëm si bartës nismash e letrash dhe si përkthyes).
[Donika Gërvalla:]
Nuk duhet të heshtet as për atë burrë që e dërguan me armë tek Babi në shtëpi që ta vriste. Babi, pa i nuhatur aspak qëllimet e tij, gjatë bisedës së gjatë që zhvilluan e bëri që të nxjerrë armën, ta vërë para vetes në tavolinë dhe t’i thotë: “Jusuf, bëj çfarë të duash me mua. Unë kam ardhur të të vras, sepse më patën bindur se je tradhtar. E shoh që qenkam mashtruar”. Përgjigjja e Babit ishte miqësia që i ofroi. Po i njëjti person, një atdhetar i flaktë dhe i pakompromis, nga të njëjtët njerëz dërgohet në Kosovë, bie në kurth dhe dënohet me 14 vjet burg. Një viktimë e regjimit jugosllav dhe njëkohësisht një viktimë e tradhtisë shqiptare.”
[Duhet thyer heshtja, Koha Ditore, 19 Janar 2012][5]
[Koment:]
Trill i sajuar keq. Fillimisht me duhet të informoj për një shprehi të Jusufit. Ai ishte fanatik i konspiracionit dhe nuk lejonte të bisedohej asgjë në prani të grave e fëmijëve, prandaj një bisedë të tillë nuk do të kishte shans ta dëgjonte sidomos Donika 9-vjeçare.
Personi për të cilin bëhet fjalë është Hysen Gega, të cilin herë pas herë e kanë përfolur sidomos Hysen Gërvalla dhe Faridin Tafallari. E vërteta konkrete është se Hyseni, bashkë me Maksut Saramatin dhe dhjetëra bashkatdhetarë të Shtutgartit me rrethinë ishin të anëtarësuar në “Grupin Komunist Zëri i Kosovës”, të cilin e kishte themeluar Riza Salihu. Rizai zuri të propagandonte sapo është arratisur Jusufi, qysh në dhjetorit 1979 se JG e kishte dërguar UDB-ja për të spiunuar emigracionin patriotik dhe përçarë Grupin Komunist. Meqë nuk po i mjaftonte, ose nga inati që ne të tjerët e mirëpritëm, për të mos thënë se duhet të ketë qenë i urdhëruar nga eprorët e tij, siç besonim atëherë, Riza Salihu nga fundi i janarit 1980 ia komunikon Hysen Gegës vendimin e Grupit Komunist se duhej ta vriste JG. Meqë qysh gjatë vitit 1978 (ndoshta nga vera e vitit 1997) isha njohur me Hysenin përmes dhëndrit tim, Ramush Kastrati, dhe kishim thelluar bashkëpunimin, Hyseni me pyet për Jusuf Gërvallën, nëse dyshoja se mos na e kishte dërguar UDB-ja? Për atë ishte ardhur nga Esslingen në Bochum (rreth 500 km distancë). E sqarova se UDB-ja nuk kishte nevojë të dërgonte JG për të spiunuar kur nuk paraqesim ndonjë rrezik serioz për shtetin, etj. Pastaj ia rikujtova bashkëpunimin që kishte me Bardhin, etj. Gjatë asaj bisede ai dekonspiroi urdhrin që ia kishte komunikuar Riza Salihu. Ramë dakord të shkonim bashkë të Jusufi (pothuajse 450 km rrugëtim). E diskutuam bashkërisht. Vendosem të bëjmë sikur nuk jemi duke ditur asgjë, që të kishim mundësi të hetonim nëse Riza e kishte marrë vendimin kokë më vete apo ishte urdhëruar nga eprorët e tij në Beograd (siç kisha filluar të dyshoja unë qysh në verë të vitit 1979). Hysenit i sugjeruam t’ia bënte ca kërkesa, si armën për vrasje, financa për familjen nëse kapet si vrasës e të tjera. Pas 4-5 muajve ka ndodhur ballafaqimi në praninë e Jusuf e Bardhosh Gërvallës, Hysen Gegës, Maksut Saramatit, Ibrahim Kelmendit dhe Riza Salihut.
Jusufi këmbënguli që ta falnim Rizanë.
Zonja Gërvalla me këtë rast përsërit shpifjen e sajuar e përhapur nga Faridin Tafallari se gjoja unë e kam dërguar Hysen Gegën për të bërë atentate në Kosovë. Shpifësit e tillë keqpërdornin pamundësinë e Hysen Gegës për të kundërshtuar, meqë po vuante dënimin 12-vjeçar. Por, edhe kur doli nga burgu dhe tha të vërtetën, Tafallari dhe soji i tij sërish vazhdonin të gënjenin, sepse kishin gënjyer dhjetë vjet dhe tashmë si duket po e besonin gënjeshtrën e vet, ndërsa familjarët Gërvalla nuk di ta kenë takuar ndonjëherë Hysen Gegën, qoftë edhe vetëm për ta pyetur se çfarë kishte ndodhur!
[Jusuf Gërvalla:]
Nga dita e arratisjes sime në RF të Gjermanisë, më 14 dhjetor 1979, këtu kam pasur kontakte me përfaqësues të Grupit komunist ‘Zëri i Kosovës’ […]
Me përfaqësuesin kryesor të Grupit komunist “Zëri i Kosovës” jam njohur, pra, në fund të dhjetorit 1979. Quhet Riza Salihu, nga fshati Mushtisht. Ra fjala për organin e LNÇK “Zëri i Kosovës” dhe ai, me një ton të ashpër, shprehu dyshimin jo vetëm në ekzistencën e këtij organi dhe të LNÇKVSH, por edhe në besnikërinë time. Arsyeja ishte se ai qëndronte vetë në krye të Grupit me të njejtin emër dhe, meqë, siç del logjikisht, nuk dinte për ekzistimin e LNÇKVSH dhe kishte edhe vetë një logjikë të kufizuar, kurrsesi nuk ia kapte rradakja të bënte dallimin në mes një organizate me emrin “Zëri i Kosovës” dhe një organi me titull “Zëri i Kosovës” që i takonte koinçidentalisht një organizate krejt tjetër. Po atë natë, ai më njohu mua dhe vëllaun tim me dy shokët e tij, Hysen Gega [tani i burgosur në burgun e Prishtinës] dhe Maksut Saramati, me punë të përkohshme në RFGJ. Që në fillim ra në sy kapadaillëku në rigorozitetin prej një shefi bande i Riza Salihut dhe natyrshmëria e zgjuarsia e dy shokëve të tij [anëtarë të KQ të “Z.K.”]…
[Raport (Sabri Novosellës në Stamboll), 31 korrik 1981][6]
[Koment:]
Asgjë nuk më ka irrituar më shumë këto kohët e fundit se sa ky “raport”. Nga çasti i parë kur e lexova së pari, para katër ditëve (12 tetor), po vazhdoj ta konsideroj si të falsifikuar dhe të futur kontrabandë në “arkivin” e Jusufit. Pra, duhet ta ketë sajuar dikush që ka lexuar romanin tim “Atentatet” dhe ia ka përngjarë atij rrëfimet e tij.
Ja një arsyetim se përse nuk duhet ta ketë shkruar Jusufi: Hysen Gega ka qenë shok me Bardhosh Gërvallën. Në verën e vitit 1978, kur isha për punë gjatë pushimeve verore në Plochingen, Hyseni më ka takuar me Bardhoshin. Jemi njohur dhe bërë shokë. Pastaj me Bardhoshin jemi takuar edhe kur ai i vizitoi ca bashkatdhetarë në kuadër të angazhimeve të tij si punëtor social (i punësuar tek Arbeiterwohlfahrt). Hyseni ishte njohur me të më herët dhe herë pas here i jepte libra që i merrte në Ambasadën shqiptare në Vjenë, ose i blinte të komunistët gjermanë. Prandaj, shoku i parë që duhet ta ketë informuar Bardhoshi për arratisje të Jusufit duhet të ketë qenë Hysen Gega, të cilin duhet ta ketë ftuar për t’u njohur me Jusufin. Të shohim se çfarë thonë Hyseni dhe Maksut Saramati.
Sikur të kishim ekspert gjuhësor për të bërë analizë stilin (siç me ka ndodhur të përjetoj në një proces gjyqësor kur trupi gjykues kishte caktuar ekspert për verifikim të stilit), mundet që fare lehtë do të vinin në përfundimin se ky nuk është stili i Jusufit, siç po dyshoj unë.
[Jusuf Gërvalla:]
“…Këto ishin dyshimet e shokëve më të ngushtë të Rizasë lidhur me veprimtarinë dhe me personalitetin e tij:
– Rizai jetonte me vite në Gjermani, por as punonte as kishte zënë banesë të përhershme. Me se mbahej, pos me paratë e punëtorëve tanë?
– Rizai e kishte theksuar vazhdimisht domosdoshmërinë e moralitetit, te çdo patriot e revolucionar. Vetë jetonte me një serbe dhe kishte me te një djalë me emër sllav. Këtë e kishin zbuluar shokët, e nuk ua kishte thënë ai vetë.
– Ç’është më me rëndësi, mënyra e organizimit të Grupit “Z.K.” ishte bërë e dyshimtë edhe për bashkëpunëtorët më të ngushtë të Rizasë. Sipas kësaj mënyre, në organizatë mund të hynte çdo shqiptar që “do të luftoj për atdhe”. Çdonjëri që hyn në organizatë duhej të jepte shënimet e sakta biografike [emri, mbiemri, vendlindja, datëlindja, vendi i punës] dhe, mbi të gjitha, këto shënime si dhe betimin ta bënte me shkrim, me dorë të vet. Nga listat me të dhëna të tilla të hollësishme, një mbahej nga shokët e tyre në atdhe dhe një tjetër nga Rizai në RFGJ. Para se të arrija unë këtu, pothuaj të gjithë njerëzit e organizuar prej Rizait [kryesisht në Ferizaj e në Prizren] ishin burgosur pa mundimin më të vogël nga policia, sepse arrestimet ishin bërë në bazë të listave të përmendura. [Mërgimi mund ta dij për çfarë të burgosurish është fjala: kur ishim në atdhe, ne gjatë takimeve kemi pas biseduar me të disa herë lidhur me një grup të rinjsh ferizajas, që vepronin demonstrativisht nëpër qytet nën hundët e policisë. Unë këtu kur kuptova hollësitë lidhur me organizimin e “Z.K.”, supozova se ishin pikërisht ata të arrestuar.] Edhe Rizai, më vonë, e H. dhe M. që në fillim, i thoshin edhe me emra shokët e tyre të burgosur, kryesisht në dy qytetet e përmendura. Tre apo katër prej tyre përmenden në artikullin e parë të “Lajmëtarit” Nr. 1. […]
Përafërsisht katër muaj pas takimit të parë me Rizanë, u takuam edhe njëherë, në banesën e H. Ishim prezentë unë e vëllau, pastaj Ibrahim Kelmendi [ishim njohur me të ndërkohë], Hyseni e Maksuti dhe Rizai. Ne u fjalosëm keq me të, sepse patëm rastin të hetojmë që të gjithë se ai kishte prirje të gënjejë dhe t’i shmanget bisedës parimore. Këto ishin pikat që rrahëm: Pse ai, pa verifikuar dyshimet e veta, që në takimin e parë kish kërkuar nga shokët e vet të më likuidonin mua dhe vëllaun; pse, me muaj të tërë, në stacionin hekurudhor të Shtutgartit, ku dalin e rrinë punëtorët tanë, kishte agjituar kundër meje [pa i vërtetuar akoma dyshimet] me fjalët: “Ruajuni se këndejpari vepron filan fisteku, i dërguar special i UDB-së; Pse ai vetë [edhe pse ia kisha tërhequr vërejtjen që në takimin e parë], vazhdonte kontaktet me njëfarë Adem Povataj nga Strellci, i cili, pasi kishte marrë më qafë disa punëtorë stinorë në Titograd, më 1978, duke i ngashënjyer së pari për punë patriotike e pastaj duke ua dorëzuar komplet UDBsë
[që Rizai kishte kontaktuar dhe vazhdonte të kontaktonte me këtë njeri, ia
thoshin ndërsy shokët H. e M.]
; pse ai, si komunist që i thoshte vetes, edhe pasi kishte parë rezultatet e hidhura të mënyrës së organizimit me lista të anëtarëve të organizatës, vazhdonte punën me të vjetrën dhe merrte njerëzit më qafë. Gjatë gjithë bisedës ai mbajti një qëndrim qyqar, që s’kishte aspak të bënte me qëndrimin e një komunisti shqiptar. Në fund ai pranoi se kishte gabuar sa u përket shpifjeve të pabazuara rreth meje e vëllaut dhe premtoi se nuk do ta përsëriste. Por, që të nesërmen ai e përsëriti, në Stacionin e Shtutgartit…
[Raport (Sabri Novosellës në Stamboll), 31 korrik 1981][7]
[Koment:]
Jusufi pati mundësi të informohej dhe të bindej konkretisht për bëmat e Riza Salihut, jo vetëm për shkak takimit në qershor, në banesën e Hyseni Gegës, në Esslingen.
Unë po vazhdoja t’i bindja Hysenin dhe Maksutin se Rizai po ngjante në UDBash, si për nga mënyra e jetesës, po ashtu edhe për nga veprimtaria. M’u desh shumë angazhim për t’i bindur që të merret vendim për të “përbyllur” ekzistimin e “Grupit Komunist”. Në takimet ku është shqyrtuar veprimtaria diversioniste e Rizait dhe ku është marrë vendimi për ta zhbërë atë “Grup” ka marrë pjesë edhe Jusufi. Gjithë atë rrjedhë tragjike e kam paraqitur me detaje, me krejt dramën e saj, në romanin “Atentatet”. Kurse këtu na del se Jusufi “raporton” si për ngjarje që kishte dëgjuar të kenë ndodhur diku dhe jo për veprimtari kriminale, e cila ia kishin rrezikuar dhe do t’ia rrezikonte jetën.
Pra, mënyra si është “raportuar” këtu nuk i shkon Jusuf Gërvallës. Shto këtë se organ kolegjial që do të informohej nga ky “raport”, nuk ka ekzistuar. Uroj që supermeni Sabri Novosella të mos ua ketë përcjellë këtë “raport” dhe “letrat” e tjera të Jusufit shërbimeve (jugosllave), për të cilat dyshoj se ka qenë i angazhuar, por as atyre shqiptare, të cilat i ka dezinformuar me zell (edhe pse shërbimet gjermane dhe turke duhet t’i kenë siguruar përmes postave të tyre, meqë Jusufi i ka dërguar me shërbime postare.).
Atë vjeshtë fatkeqe të vitit 1980 kemi harxhuar shumë energji për ta diskredituar përfundimisht dhe për ta zhbërë “Grupin” e Riza Salihut, duke gjykuar se e ka formuar me urdhër të UDB-së, për t’i identifikuar patriotët e interesuar për veprimtari të organizuar në Kosovë e në Shtutgart me rrethina, meqë Hysen Gega, Maksut Sramati, Qemajl Bajrami (nga Reka e Epërme, Maqedoni), etj., kishin ndërgjegjësuar bashkatdhetarët për veprimtari patriotike, përmes filmave e literaturës që përhapnin. Pra, Jusufi kurrë nuk do të raportonte se nuk kishte dëgjuar asgjë rreth Rizait gjatë gjithë vjeshtës dhe dimrit.
[Jusuf Gërvalla:]
[…] Po dalim te një çështje tjetër me rëndësi. Kur është fjala te bashkimi i organizatave revolucionare dhe patriotike që veprojnë në Kosovë, unë pata bërë një propozim konkret, po druaj se nuk jemi marrë vesh si duhet. Është i ashtuquajturi Grupi Komunist “Zëri i Kosovës” një grup që predikon krijimin e një Kosove “të lirë” dhe jo bashkimin me vendin amë. Me këtë grup as kam marrëdhënie, as do të doja të kem, sepse, edhe në ekziston akoma (se pjesa më e madhe e anëtarëve të tij në atdhe janë të burgosur, për shkak të mënyrës së organizimit shumë të gabuar e të rrezikshëm: me lista konkrete, ku anëtarët shënojnë elementet e tyre biografike, bëjnë me shkrim betimin dhe e firmojnë me dorën e vet; kështu listat komplete të anëtarëve kanë rënë në dorë të UDB-së dhe ata janë burgosur masivisht e pa mundime nga ana e policisë], pra, edhe nëse grupi ekziston akoma, ai punon keq e fëlliqtë. […][8]
[Koment:]
Nuk po me besohet të jetë nga dorë e mendje e JG. Atë Grup e kishim shpërndarë rreth muajit nëntor 1980 dhe më nuk ekzistonte si organizatë, kurse këtu lexoj gjëra koti.
[Jusuf Gërvalla:]
“…Të tretën herë u takuam me të (Riza Salihun – Xh.D.) në demonstratat e punëtorëve tanë në Shtutgart. Ishte vënë në bisht të kolonës, me duar në xhepa dhe pas asnjë shok me vete. Pas demonstratës m’u afrua. Përshëndeste punët e mia, lavdëronte (ishim më këmbë dhe s’pata si ta pyesja për çfarë punësh e kishte fjalën) dhe thoshte se do të kish qenë mirë të bisedonim. Aty për aty ishin zënë me Ibrahim Kelmendin dhe Ibrahimi ia kishte ndaluar pjesëmarrjen në demonstratat e ardhshme. Unë e qortova Ibrahimin, se s’bënte ashtu, dhe Rizait, ndërsy Ibrahimit, i thashë që e kish derën hapur për ta thënë mendimin e vet. Ai tha se më ka diçka borxh dhe se do të bënte një autokritikë. Unë i shpreha gatishmërinë se do ta dëgjoja kur të ketë qejf, por atë ditë e sot as më kërkoi më dhe as e kërkova unë. Tani po dëgjoj se paska ndërruar mendje lidhur me mua dhe nëpër njerëz nuk flitka më keq.
Lidhur me këtë person ka edhe një të dhënë me rëndësi. Diku nga viti 1976, Rizain e ka plagosur me thikë një kroat. Kroati i ofron një hartë dhe Rizai e refuzon me fjalët “Nuk e pranoj një Jugosllavi të tillë, e cila s’e ka edhe Kroacinë brenda.” Në spitalin e Shtutgartit pastaj e kanë vizituar njerëzit e konsullatës jugosllave dhe e kanë mburrur për patriotizëm jugosllav. Disi pas këtij rasti fillon edhe veprimtaria partiotike [?] e Rizait…”
[Raport…, 31 korrik 1981][9]
[Koment:]
Gënjeshtra me bisht! Ngjarjen që me gjasë po e përshkruan Jusufi ka ndodhur më ndryshe. Nuk do ta kisha toleruar atë t’m’i thotë ato broçkulla në sy të Rizait. Thjeshtë Rizait ia kam komunikuar ndalesën për të marrë pjesë në aktivitete tona dhe JG nuk do të guxonte të bënte të tillë pazare me të në prani timen! Kurse ngjarjen lidhur me therjen e Rizait me thikë (ndoshta Riza i shoqëruar nga Sak Gërvalla, siç është përfolur?) nga një kroat dhe lavdërimet që i janë bërë nga konsulli në Shtutgart dhe nga pushtetarët komunistë në Kosovë ua kam rrëfyer unë, në bazë të informimit fillestar që kisha nga kolegu i studimeve, kroati Damir Petriq [njëri nga liderët e “Pranverës kroate”], i cili ma kishte dhënë edhe shtypin kroat që kishte shkruar për atë ngjarje.
Ky lloj “raportimi”, po qe i Jusufit, dëshmon fatkeqësinë dhe mjerimin e tij, meqë kam bindjen se nuk e ka ditur kujt i ka raportuar.
[Donika Gërvalla:]
Unë nuk e di a është i vërtetë apo i pavërtetë por unë që e njoh të gjithë përmbajtjen e dosjes hetimore, se ka shumë vite që merrem me çdo detaj, nëse unë nuk e di se ka qenë Riza Salihu atëherë nuk mund ta di as Ibrahim Kelmendi se ka qenë Riza Salihu dhe mua më duket paturpësi shumë e madhe që t’i vësh gishtin një personi tjetër për çfarëdo lloj motivesh qofshin ato dhe thua se ky ka qenë. Me këtë unë nuk dua të arsyetoj Riza Salihun sepse Riza Salihu është një burrë i keq, Riza Salihu është një burrë dinak dhe tinëzar. Riza Salihu është personi i cili ka qenë i dënuar nga organet gjermane për shkak se postën personale të babait tim e ka vjedhur, d.m.th. duke shkelur ligjin. Mirëpo nuk duhet përzier gjërat njëra me tjetrën.
[Kohavision, 18 maj 2012][10]
[Koment:]
Sërish një dezinformim tipik. Përse gënjen kaq trashë, Zonja Gërvalla!? Siç pretendon të ketë mbajtur mend shumëçka, duhet ta ketë mbajtur në mend tre-katër ditë pas vrasjeve të kobshme traktin që shpërndante policia dhe njoftimin përmes televizioneve, që thërriste qytetarët të informonin nëse do ta shihnin Riza Salihun. Arrestimi i tij ndodhi pas rreth një jave në bazë të informacionit që ma dha një bashkëvendës i tij lidhur me vendqëndrim dhe lëvizjen e tij me tren. Fatkeqësisht, organet u detyruan t’i besojnë alibisë së tij të brishtë, meqë atëherë sikur ishte një përcaktim intern i qeverisë gjermane, që të hetonin veprimtarinë tonë dhe jo zbulimin e dorasëve.
Vetëm pasi filloi shpërbërja e ish-RSFJ hetuesia riaktualizoi rastin. Sërish u burgos Riza Salihu dhe iu bë proces gjyqësor në Landgericht Stuttgart. Unë isha dëshmitar. Ditën që kisha për të dëshmuar Riza nuk ka pranuar të vinte nga burgu në seancë gjyqësore, meqë simuloi të sëmurin rëndë. Ai kishte kohë që po simulonte edhe të çmendurin. Në vend të dëshmisë kryetari i trupit gjykues bëri bisedë të lirë me mua, përkthyesin [J. Röhm] dhe ca të tjerë të trupit gjykues, prokurori, etj. Vetë gjyqtari rrëfeu se kishte lexuar literaturë për mënyrën e vrasjeve të kundërshtarëve politikë nga shërbimet jugosllave, duke përfunduar se kur janë rrezikuar të zbulohen dorasit kanë qenë të detyruar të simulojnë të çmendurin. Prandaj, – tha ai, – edhe Riza Salihu duket të jetë rast i ngjashëm.
Siç jam informuar më vonë, – meqë si dëshmitar nuk kisha të drejtë të merrja pjesë në seanca (pos asaj që jam caktuar), – procesi është përmbyllur jo duke e shpallur të pafajshëm Riza Salihun, por duke konstatuar se nuk mund të sigurohen dëshmitarët nga Jugosllavia.
Nuk e ka këtë pjesë të dosjes Zonja Gërvalla apo Riza Salihu nuk po ua mbush syrin për të qenë doras i komanduar nga UDB-ja!?
Mendësia ideopolitike e Jusuf Gërvallës
[Jusuf Gervalla:]
Duke ruajtur dhe duke kultivuar cilesine fisnike te levizjes, ne do ta ruajme dhe do ta kultivojme ne shkalle te larte prirjen elementare te shoqerise njerezore – ecjen perpara, te ciles i behen prag me qellime shtypese e shfrytezuese forcat e erreta te planetit, kapitalizmi, imperializmi dhe revizionizmi. Dhe kete natyre fisnike t’ua leme trashegim brezave te ardhshem!
LAVDI MARKSIZEM – LENINIZMIT!
[Sqarim nga Xh. Durmishi: Lufte te deshperuarish…? / doreshkrim][11]
[Koment:]
Kështu siç është publikuar nuk është origjinal me dorëshkrim të Jusufit, meqë ai ka qenë fanatik i drejtshkrimit, nuk i ka hëngër fare germat ë dhe ç, siç po e bëjnë me lehtësi të tjerët, duke u arsyetuar se tastierave, atëherë të makinave të shtypit, tani të PC-ve, po u mungojnë këto dy germa. Pastaj, jam i prirur të dyshoj në çfarëdo që publikojnë F. Tafallari e Xh. Durmishi, si “shokë” të Jusufit dhe si të thirrur për të afirmuar veprimtarinë publicistike të JG.
Që të identifikohet e vlerësohet mendësia ideopolitike e JG do të huhej të analizoheshin shkrimet e publikuara prej tij në shtypin e kohës: “Bashkimi”, “Lajmëtari i lirisë”, “Liria” dhe “Zëri i Kosovës”.
Meqë mund të quhet konflikt interesi unë nuk do të merrem me identifikim të shkrimeve të publikuara në gazetën “Bashkimi”. Ngaqë nuk jam duke bërë studim përkatës po përqendrohem vetëm në dy letra që JG duhet t’ia ketë dërguar Enver Hoxhës [EH].
[Jusuf Gërvalla:]
I dashur shoku Enver!
Djali im i vogël, dy vjeç e gjysmë, po llafosej me të motrën, tetë vjeçe ndaj të gdhirë, “Dua”, i thoshte asaj, të vij me ty në shkollë! “Kur të rritesh edhe pak”, ia ktheu ajo dhe shtoi me një dlirësi të dhembshur fëmijënore: “Kur t`i bëhesh ti motrës për shkollë, ne do të jemi në Shqipërinë tonë të dashur!”
Cicërrimë më të ëmbël, po edhe më prekëse, për të më nxjerrë gjumin e një mëngjesi të gdhirë me përtesë në dhe të huaj-thuaja se nuk kish.
Isha i lumtur që fëmija im s`e hiqte mendjeje mundësinë për të jetuar në Shqipërinë tonë të dashur. Por fjalët e saj më prekën shumë se sendërtimin e dëshirës së fëmijëve të mi dhe gjakimin tim, nuk e kisha unë në dorë.
[U botua për herë të parë në www.albaniapress.com, 2 tetor 2011 së bashku me shkrimin e Faridin Tafallarit, “Kur shkruante Jusuf Gërvalla”][12]
[Koment:]
Hyrja i shkon poetit JG, një patrioti idealist kombëtar, por jo edhe ideologut dhe filozofit JG, nëse do të insistonim që ta kualifikonim edhe si ideolog dhe filozof.
Pjesa tjetër e letrës përmban lutjen që Jusufit t’i ofrohet strehim politik në Shqipëri dhe arsyetimin e kërkesës. E vetëkuptueshme, arsyetimi do të duhej të përmbante madhërimin e politikës dhe të ideologjisë që udhëhiqte EH, duke kritikuar kapitalizmin e ballafaquar në gjermani. Ndryshe, çfarë kuptimi do të kishte që t’ia drejtonte kërkesën pikërisht EH – njëshit në Shqipëri?
[Jusuf Gërvalla:]
[…] Mburrja dhe entuziazmi ynë s’ka kufi kur kujtohemi që Shqipëria, nga një vend i varfër dhe i prapambetur feudalo – borgjez, u kthye në një vend të përparuar e të zhvilluar, pa analfabetizëm e papunësi në një vend të mirëfilltë, që jo vetëm po ja del ta ruajë në gji të shoqërisë së vet të paprekur kështjellën, por edhe t’i ndezë shkëndijat revolucionare të pjesës dërmuese e popujve të planetit.
Pa frikë se po biem në ndonjë eufori, nesër, kur këto shkëndija të kthehen në zjarre të vërteta revolucionesh, ne jemi të bindur që bota do t’ia njohë një pjesë të madhe të meritave pikërisht atdheut tonë, Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë. […]
Jemi në dijeni për një pjesë të madhe problemesh, me të cilat u ballafaquan Partia e Punës e Shqipërisë dhe populli shqiptar në rrugën e tyre të ndritshme. Ajo që na mburr dhe na jep shpresë më së shumti, është fakti se në gjithë këtë punë, PPSH dhe populli shqiptar i lirë, në udhëkryqin e njërës nga sprovat më të mëdha historike, ka zgjedhur rrugën e sinqeritetit dhe të guximit të pashembullt, me të cilat është mëkuar ndër shekuj populli ynë i shumëvuajtur, rrugën që i jep dorë të bëhet zëdhënës i ideve më përparimtare të njerëzimit, duke ndarë si me thikë të mirën nga e keqja në botë. […]
Në sajë të ekzistimit të kësaj Shqipërie të mbarë, të fortë e vigjilente dhe në sajë të traditave revolucionare të popullit tonë, përgjithësisht edhe ne shqiptarët e Kosovës dhe të viseve të tjera shqiptare të përfshira në dhunën e në padrejtësinë e pashembullt historike brenda kufijve të Jugosllavisë, ndonëse jemi dëmtuar në masë të madhe nga shtrëngimi i vazhdueshëm i darave të shovinizmit serbo-malazezo-maqedonas, ia kemi dalë të ruhemi bukur mirë nga ujërat e zeza ideologjike të revizionizmit titist rankoviçist. Larg ndenjës revanshiste e shoviniste, te ne është ndezur shkëndija e luftës së pashmangshme nacionalçlirimtare, konturet e së cilës po duken në horizont.
Të nxirret pjesa e robëruar e tokave dhe e popullit shqiptar nga kthetrat e përgjakshme të socialshovinistëve titistë dhe të çohet në vend vullneti i ndryshuar i popullit tonë: bashkimi me vendin amë, Shqipërinë, është një e drejtë historike, që iu mohua por nuk iu çrrënjos kurrë popullit tonë të vënë me shekuj përballë padrejtësive të mëdha historike po të papërkulur kurrë. Në dëshmi të përpjekjeve dhe të luftës sonë flasin vetë kampet jugosllave të përqëndrimit, me barkun e tyre të akullt, që s’po resht së gëlltituri qe tridhjetë e pesë vjet me mijëra e mijëra patriotë dhe revolucionarë shqiptarë; në dëshmi të tyre flet vetëdija e zgjuar kombëtare dhe klasore e shqiptarëve me banim në Jugosllavi. Na bën të lumtur fakti se Partia e Punës e Shqipërisë dhe Ti, shoku Enver, jo vetëm që keni ndjekur në hap të gjitha konjugacionet e gjenocidit sllavomadh të ushtruar mbi ne, por keni qenë edhe të vetmit denoncues të denjë të këtij gjenocidi në sy të botës.
[Botuar për herë të parë në librin e Faridin Tafallarit, Dhimbje krenare, Tiranë 1998, faqe 94-99, e ribotuar në librin me Tre Yjet e pavdekësisë në ato vite të stuhishme, Tiranë 2010, faqe 32-38][13]
[Koment:]
Një intelektuali të mirëfilltë, kritik, nuk i shkonte të madhëronte Shqipërinë si “kështjellë” që “ndezë shkëndijat revolucionare të pjesës dërmuese e popujve të planetit.” Arsyetimet që i kam dëgjuar nga shumë intelektualë e krijues në Tiranë se na përvetësoi revolucionarizimi i masave, e pseudoarsyetime të ngjashme, nuk u kishin hije intelektualëve, dhe jo sidomos atyre që nuk kanë qenë të detyruar të bëjnë krijimtari afirmative për partinë moniste në pushtet dhe diktaturën e proletariatit. Akoma më e pandershme është që përkrahësit e atij sistemi, pas rënies së atij pushteti, të konvertohen në antikomunistë të zhurmshëm. Kjo ka ndodhur në Shqipëri dhe në Kosovë.
Por, në vazhdimet që i përmban letra, shihet se JG atë ideologji dhe politikë është përpjekur ta përvijojë në shërbim të çlirimit nacional. Pra, ishte një lloj pragmatizmi për të përvetësuar përkrahjen e shtetit amë, i cili praktikonte atë ideologji dhe atë sistem. Kjo mund të kuptohet edhe si taktikë e JG, i cili ishte i bindur se pa përkrahjen e shtetit amë shqiptarët e mbetur jashtë tij nuk do të mund të çliroheshin dhe të bashkoheshin me të.
Po të vazhdonim me analizë do të rezultonte se nuk ka plotësisht të drejtë as Xh. Durmishi që JG mundohet ta afirmojë si ideolog komunist, por as konvertuarit në antikomunist, si soji më i shpifur i SN dhe Hysen Gërvallës, të cilët angazhohen ta afirmojnë JG si antikomunist.
Rëndom, herë pas here edhe ka rastisur të zihemi me Jusufin, sepse shkarazi lëshoja ndonjë sarkazëm politike ose ndonjë kritikë të lehtë kundër propagandës që përhapte Tirana. Me vjen keq që Jusufi edhe për të tilla zënka i paskësh bërë “raportim” intern “udhëheqësit” të tij, rrobaqepësit SN. Ja, ta zëmë, çfarë i ka raportuar:
[Jusuf Gërvalla:]
Që të mos zgjatem me detaje, ja vrojtimet e mia në pika të shkurtra lidhur me veprimtarinë dhe personalitetin e I. Kelmendit. Kurdoherë ka anuar nga aksione të natyrës terroriste dhe në këtë drejtim i ka nxitur edhe shokët e vet. Unë ia kam tërhequr vërejtjen se kjo gjë është e dënueshme edhe nga pikëpamja e PPSH. Më vonë kam vërejtur, në librin që ma ka dhënë hua për lexim, se i ka pasur të nënvizuara pikërisht mendimet e Leninit lidhur me kotësinë dhe rrezikshmërinë e terrorizmit në lëvizjen revolucionare. Kam ardhur kështu në përfundim se ai ka një prirje të natyrshme kah terrorizmi dhe e bën me vetëdije. Pikërisht në kohën që jam njohur unë me të, ai ka pasur kontakte, madje edhe negociata me emigracionin reaksionar shqiptar për një veprimtari të përbashkët në mbledhje armësh dhe mjetesh materiale. Madje në atë kohë, Ibrahimi kërkonte një njeri “të ndershëm e trim”, që për një kundërshpërblim prej nja 50 mijë markash, do të kryente në Kosovë një aksion sipas porosisë së reaksionit shqiptar antikomunist.
(Lidhur me këto çështje kemi pasur një dialog të përbashkët dhe bukur të rreptë në praninë e tij unë dhe dy shokë nga Vjena, lidhur me këtë është dashur të jetë i informuar patjetër Profesori, në qoftë se është i informuar për çkado lidhur me I. K.)[14]
[Koment:]
Ia paska futur kot edhe sajuesi i këtij falsifikimi, siç thuhet në gjuhën vulgare të përditshmërisë. Nuk e kam pas atë mendësi e afinitet. Nuk do të më vinte keq ta pranoja po t’i kisha. Nuk ka kuptim të përdorët si argument nënvizimi i pasazheve në libër të Leninit, ku flitet kundër akteve terroriste, për të me kualifikuar mua si terrorist. Ndoshta e kundërta do të ishte më logjike!
Rëndom, me emigracionin politik shqiptar djathtist, që këtu po konsiderohet si reaksionar, kam pasur takime, sepse isha i mendimit se duhet të bashkëpunojmë, nëse vërtet është me mbushje atdhetare, jashtë komandimit nga shërbimet jugosllave, edhe pse ishte djathtist. Edhe në program e kishim përcaktimin pluralist, sa i përket ideologjisë, meqë thuhej se anëtarë mund të bëhen të gjithë shqiptarët, pavarësisht bindjeve ideologjike. Por, bashkëpunim për veprimtari terroriste nuk kemi pasur. Bëhet fjalë për një kohë, këtu e 34 vjet përpara. Edhe po ta kisha fshehur unë do të kishte folur e shkruar ndokush tjetër nga ato organizime. Fatkeqësisht, as bashkëpunim patriotik nuk kemi pasur me emigracionin reaksionar, sepse në Evropën Perëndimore, më e zhurmshmja organizatë “demokratike” ishte “Besëlidhja demokratike shqiptare” e Emin Fazliut (alias Emil Kastriotit). Lidhur me të shpejt formova dyshimin e bazuar se ishte një bandë e sajuar nga UDB-ja. Në Bruksel ishte dega e “Lidhjes së Dytë të Prizrenit”, kryetar i së cilës ishte Xhelë Kalishta. Por, ai, bashkë me bashkëveprimtarë të tij kaloi në anën tonë. Në Bruksel njihja edhe Hasan Hoxhën, kryetar i “Legalitetit” të atyshëm. Bile, ai kishte bashkëshorte një kushërirën time të largët. Por, meqë më kishte rastisur ta shihja në verë të vitit 1975 në një gosti në Vuthaj bashkë me ish-kryeshefin e UDB-së për Republikën e Malit të Zi, e kisha konsideruar si armik, prandaj nuk e kontaktova asnjëherë në Bruksel.
Sa i përket shifrës prej 50 mijë DM, e përfolur në këtë “raport” të sajuar, është temë e tjetërsuar qëllimisht. Besim Rexha e kishte dezinformuar JG se m’i kishte dhënë një kroat 50 mijë DM ndihmë për të blerë armë. Kaq i ka mjaftuar Jusufit që të formojë mendimin se unë po bashkëpunoja me “reaksionin” kroat dhe të konkludojë se “kurdoherë ka anuar nga aksione të natyrës terroriste dhe në këtë drejtim i ka nxitur edhe shokët e vet”. Ia kisha thënë të vërtetën për fatkeqësinë lidhur me 50 mijë DM që na i kishte dhënë një mik kroat (vëllai i shokut Viko Knezoviq). Ai na i dha sepse na mashtroi Hysen Muhaxheri. Ai ishte dërguar nga Elektroekonomia e Kosovës për të specializuar për makineri të rëndë në Universitetin e Duisburgit. Bashkëveprimtarët Nebih, Basri e Hisri Reka e kishin djalë motre atë. Fatkeqësisht ai po merrej me bixhoz. Si i tillë i kishte mashtruar dajat dhe disa shokë të tyre, duke u marrë të holla me arsyetimin se i duhej t’i depononte si garanci për eksperimente laboratorike gjatë specializimit, po qe se do të prishte ndonjë makineri. Kishin grumbulluar rreth 200 mijë DM. Nuk po i mjaftonin. Nebih dhe Hisri Reka më luten edhe mua të gjeja mundësi për ta ndihmuar. Iu drejtova shokut Vinko dhe bashkë me të vëllait të tij, i cili ishte biznesmen në Essen. Ia paraqita rastin. Pa ndonjë hamendësim u përgjigj: “Nëse deponimi i garancisë i kthehet duhet t’m’i kthejë të hollat e mia. Nëse nuk i kthehet, le të llogaritën si ndihmë Kosovës për t’ia aftësuar një kuadër…”. Shumë shpejt e zbulova se Hyseni kishte mashtruar edhe profesorë në Universitet të Duisburgut. Atyre u kishte thënë se po e blen fabrikën e tubave në Ferizaj dhe ata do të ishin ortakë.
Kjo fatkeqësi qe përfolur dhe patëm paksa shamatë. Hisri Rekën e luta t’ia sqaronte Jusufit rastin, gjë që edhe e ka bërë. Prandaj, nuk dua të besoj që Jusufi paskësh qenë i këtillë, sa edhe për 50 mijë DM t’i raportojë bosit të tij SN në mënyrë krejtësisht të tjetërsuar.
Ndërsa shpifja e radhës (e vënë në kllapa) është vërtet jashtë çdo logjike racionale. Me “shokë” të Vjenës e kam organizuar një takim, sepse më qe vardisur pikërisht Jusufi që t’ia mundësoja t’i takonte. Ata kanë ardhur në takim. Kemi pas tematika të tjera për debat. Por patëm bërë edhe gallatë. Po t’i kishte problematizuar Jusufi 50 mijë DM para tyre, sigurt se do ta kisha rrahur aty për aty dhe do të prishej brutalisht takimi në lokalin ku ishim.
[Jusuf Gërvalla:]
Ka pasur vërejtje rreth Kushtetutës së RPSSH dhe rreth përgatitjes “luksoze” të librave të shokut Enver në “dëm” të botimeve letrare të RPSSH! Vërejtjen e parë na e ka thënë hapurazi mua dhe shokëve të Vjenës, të dytën vetëm mua. Arsyetohet se ka të drejtë të bëjë vërejtje gjithfare dhe këto dilema të tij nuk i paraqet te masat, por i diskuton vetëm me shokë. Unë s’mund ta di a është e sakt kjo.
Ka dyshuar me këmbëngulje në drejtësinë e artikullit të “Zërit të Popullit”, ku shprehej gatishmëria e RPSSH për t’u ardhur në ndihmë popujve jugosllavë po të kërcënohen këta nga BRSS, dhe dyshimet e tij kanë qenë edhe të shokëve të tij.
Përkundër bindjeve të mia se është e panevojshme dhe e pamirë një gjë e tillë, jam detyruar të udhëtoj me qindra kilometra për ta “arsyetuar” te shokët e tij artikullin e përmendur. Ai më ka propozuar pastaj me këmbëngulje që këtë gjë ta përsëris edhe me shkrim në artikullin e “Bashkimit” me titull “Zëri i Popullit – zë i të gjithë shqiptarëve” (këtë numër s’e keni pasur prandaj po jua dërgoj). (Pas kësaj, kam vendosur të mos bashkëpunoj më me të dhe kam vendosur ta nxjerr “Lajmëtarin e lirisë”. Kështu kam vepruar nga gushti 1980, deri në fillim të vitit 1981, kur më ka ardhur në derë me disa materiale të çoroditura për numrin e ri të “Bashkimit”. Ndërsa ishim duke punuar në këtë numër (që Mërgimi e ka veçuar si më të mirin), ai në ndërkohë e kishte lejuar Hysen Gegën të shkonte për kryerjen e një aksioni në Kosovë. (…) Fajin për burgosjen e Hysenit unë ia vë Ibrahimit.
Nëpër të ashtuquajtura klube kosovare në mërgim, që ishin dhe shumica vazhdojnë të jenë çerdhe agjenturore të përfaqësive diplomatike jugosllave në Perëndim, I. K. është ekspozuar në masën më të madhe të mundshme edhe para përfaqësuesve diplomatikë jugosllavë. Ua ka thënë hapurazi të gjitha të palarat e Jugosllavisë titiste. Pasoja pozitive ka qenë inkurajimi i punëtorëve kosovarë, pasoja negative – dëmtimi i disa punëtorëve që kanë marrë pjesë në klubet ku është paraqitur I.K. Këta punëtorë ndodhen në burgje jugosllave.
Është nip i një agjenti me zile të UDB-së, i quajtur Ramë Nikçi ose Ibërdemaj, punon në postën e Pejës. I biri i këtij Ramës ndodhet me punë në Mynhen dhe ka qenë aktivist i dalluar, madje edhe kryetar klubi në Mynhen. Ibrahimi kritikon hapurazi si agjent dajën, por ka kontakte të vazhdueshme me djalin e dajës dhe, për sa mund të vërehet, edhe simpati ndaj tij. Ka provuar t’ia plotësojë këtij daje të vogël (Gani Ibërdemajt – edhe lidhur me këtë njeri është dashur të jetë i informuar Profesori) dëshirën për t’u takuar me mua. Më vonë, kur ka qenë puna që të formojmë këndej një shoqëri kulturo-artistike të punëtorëve të mërguar, me shokun e “Lirisë” e kemi provuar Ibrahimin lidhur me dajën e tij të vogël: meqë ky Ganiu qenka këngëtar dhe instrumentist i mirë në vegla muzikore folklorike, Ibrahimi propozoi që edhe ai të hynte në atë shoqëri. Po kur erdhi puna te aktiviteti konkret, Ibrahimi tha se Ganiu donte pak “lutje”. Në anën tjetër, më 25 maj, në festën jugosllave të rinisë, Ganiun e gjejmë në ballë të një orkestrine dhe të ca valltarëve shqiptarë e jugosllavë, bashkë me të shoqen, në Stadiumin e Mynhenit. E kemi konsideruar të panevojshme të kërkojmë ndonjë sqarim nga Ibrahimi, dhe ky vetë s’e ka marrë mundimin të na sqarojë, as lidhur me këtë rast dhe, përgjithësisht, as për raste të tjera. Tash i gjithë Mynheni flet çmos pikërisht për këtë farë Ganiun.
Në kufirin gjermano-zvicëran, Brahimit dhe Hysenit u ka zënë policia e huaj disa qindra ekzemplarë të “Bashkimit” dhe ua ka marrë. Me këtë rast, Ibrahimi nuk është treguar i gatshëm për të pranuar kritikat. Përgjithësisht, nëse ia numëron gjestet dhe punët e kritikueshme, ai thotë: “Mos m’u kap vetëm për disa gabime, të vogla”. Menjëherë pas kësaj, bashkë me shokët, kanë vazhduar rrugën për në Çekosllovaki, në gjurmim të armëve (ndoshta profesori mund të ketë ndonjë informim nga ana e shokëve të Pragës lidhur me sjelljet e tyre në atë vend, sepse e di që shokët e Pragës kanë pasur kontakte dhe bile disa mosmarrëveshja me ta, sipas fjalëve të I. dhe H.). Vetë më ka treguar gjoja për disa sugjerime, që i kanë bërë shokët e organizatës së tij në vendlindje, dhe të cilave ai nuk u është përmbajtur fare. Të imponohet përshtypja se as që ka shokë të tillë në Kosovë. Përshtypja e parë dhe e fundit lidhur me këtë çështje është se ai, përveç disa punëtorëve të tubuar rreth tij në botën e jashtme, të paorganizuar po vetëm të furnizuar me literaturë revolucionare dhe të inkurajuar, tjetërkë as që ka prapa vetes. Kjo, edhe në një mënyrë mund të provohet bindshëm.[15]
[Koment:]
Asnjë kritikë serioze nuk e kam bërë, meqë Jusufi ishte më enverist se EH, siç thuhet në raste të ngjashme, dhe prandaj nuk doja të prishnim bashkëpunimin. Në prag të takimit që kishim me dy diplomatët, paraprakisht u morëm vesh që unë të debatoj me ta tematika të nxehta, në kuadër të një si basti, se ata nuk tolerojnë kritika. Por, e këshillova, po ndodhi se do të hidhëroheshin në atë nivel sa të iknin nga takimi, të ndërhynte Jusufi duke më bërtitur që ta mbyllja gojën.
Në bisedë e sipër, bëra sarkazmë për rezultat të zgjedhjeve, duke thënë se nëse vërtet vetëm katër veta në gjithë Shqipërinë kanë votuar kundër Frontit Demokratik, atëherë Shqipëria nuk ka nevojë për Sigurimin shtetëror. Pastaj, spekulova për folklorin, duke thënë se po ndodhi puç në Shqipëri dhe u ndaluan këngët për Enverin dhe Partinë, shqiptarët nuk dinë çfarë të këndojnë më, meqë këngët, meloditë, tekstet më të mira i janë kushtuar Enverit dhe Partisë. Ndërsa spekulimit tjetër, se Shqipëria e Ahmet Zogut ka ndihmuar më shumë lëvizjen çlirimtare në Kosovë se sa Shqipëria e EH, nxiti hidhërim të diplomatët bashkëbisedues dhe Jusufi ndërhyri. Simuloi një gërmim aq të rreptë, saqë diplomatët i thanë që të mos nervozohej, meqë ishin mësuar me kritikat e mia anarkiste e borgjeze.
Nuk e di t’i kem thënë gjë për luksin e veprave të EH. Po të me binte ndërmend, sigurisht që do ta kisha përmendur. Edhe për shkrimin e ZP nuk më kujtohet të kemi pas debat e sherrnajë.
Pohimi se nga gushti 1980 deri në janar 1981 ka ndërprerë marrëdhëniet, nuk është i saktë fare, meqë në shtator kemi pas një letërkëmbim (më 16 shtator i kam shkruar dhe fragmentin edhe të kësaj letre e ka publikuar Faridin Tafallari dhe e ka ripublikuar Xhafer Durmishi[16]) dhe pas pak ditësh më ka kthyer përgjigje. Madje gjatë nëntorit duhet të kemi pasur aktivitete të ngjeshura lidhur me Grupin Komunist të Riza Saliut, duke mbajtur takime me anëtarë të tij. Derisa u vendos shpërbëja e Grupit, madje në prani të Riza Salihut.
Ndërsa lejimi i përfolur i Hysen Gegës për shkuarje në Kosovë është një dezinformim hileqar i llojit të tij, të cilin nuk ka mundësi ta ketë shkruar JG, siç qëndron e sajuar në këtë “raport”.
Sa i përket “raportimit” për klubet, nuk është koncept i JG ky i paraqitur këtu, por i ngjan konceptit të Xhafer Durmishit, i cili qe përpjekur të na e impononte gjatë vitit 1982-1984.
Sajesat, ndërkaq, lidhur me Ramë Nilçin, Ramë Iberdemaj dhe Gani Iberdemaj, nuk duhet të jenë të Jusufit, sepse ai nuk do të bënte lajthitje kaq të trasha, meqë ai i ka njohur personat në fjalë. Nuk ia vlen të paraqes versionin që di unë, meqë do të më dukej sikur po ia plotësoj dëshirën falsifikuesit. Ata që janë të interesuar mund ta lexojnë romanin “Atentatet”, të cilin e kanë shpërdoruar falsifikuesit për të sajuar këtë “raport”.
Në Çekosllovaki nuk kam shkuar për atë qëllim dhe atëherë atje nuk më kujtohet të kem takuar asnjëherë diplomat shqiptar (dhe kjo mund të vërtetohet nga shënimet e tyre, pasi kanë bërë dosje “diplomatike” për mua edhe në Ministri të jashtme).
Sajuesi i këtij “raporti” më duket se synim kryesor duhet ta ketë pasur denigrimin dhe jo afirmimin e JG, sepse një intelektual i atij niveli nuk do të mbante shënime të pasakta dhe t’i raportonte një rrobaqepësi.
[Jusuf Gërvalla:]
Me entusiazëm të madh e dashuri të pamatë po ndjekim punimet e Kongresit të 8-të të PPSH dhe po e dëgjojmë zërin e së vërtetës. Na dha krahë raporti i shokut Enver për gjendjen në Kosovë, të cilin populli ynë liridashës e akcepton në tërësi si fjalën më të ligjshme në mbrojtje të të drejtave dhe lirive të tij. Nga Kosova e robëruar ju përcjellim urime të përzemërta dhe urojmë që pushka t’iu bëhet top!
[Shënim i Xhafer Durmishit: Këtë letër ma dërgoi Kadri Rexha, më 31 gusht 2013; Botuar për herë të parë nga Faridin Tafallari në www.albaniapress.com, më 1 tetor 2013][17]
[Koment:]
Ky është tekst i telegramit urues për Kongresin e 8-të të PPSH-së dhe nuk ia vlen të përdoret si ndonjë material përmbajtjesor për të klasifikuar mendësinë ideopolitike të JG.
[Jusuf Gërvalla:]
Letrën për KQ të PPSH-së e vonuam shumë. Unë e shkrova në disa variante, por me asnjërin prej tyre nuk mbeta i kënaqur. Nuk jam mësuar të komunikoj me një nivel të tillë. Më së fundi e lash variantin që e mora prej teje. Hapi si hap më pëlqeu shumë dhe më duket shumë i dobishëm. Por, nuk di a duhet të jemi të kënaqur si e kemi realizuar.[18]
[Koment:]
Këtë letër nuk e kam hasur të publikuar ndokund. Interesant është njoftimi se e ka lënë variantin e rrobaqepësit SN, ndoshta duke i bërë vetëm redaktim! Kush mund t’ia ketë shkruar letrën rrobaqepësit!? Interesante do të ishte përmbajtja e saj për të parë si ndodh konvertimi i njeriut, nga enverist në antienverist dhe nga rrobaqepës në milioner.
[Jusuf Gërvalla:]
Ju porosis të shikoni ndonjë shok me bibliotekë të pasur dhe të merrni prej tij e ta lexoni librin e V. I. Leninit: “Ç’të bëjmë?”. E gjeni në vëllimin 5 të kompletit të veprave të Leninit, nga faqja 401 deri në fund. Unë besoj se do ta gjeni, po të përpiqeni. Kurse leximi i kësaj vepre është i domosdoshëm.[19]
[Koment:]
Patjetër edhe tani po ndiej keqardhje për katandisjen që i kishte ndodhur JG, për dy arsye kryesore: E kisha informuar dhe kisha formuar bindjen se e kisha bindur, që të ruhej nga Nuhi Sylejmani, sepse bashkatdhetarët kolegë të punësuar në “Mercedes” në Siendelfingen i ruheshin që të mos dërgonte informata për ta. Tjetra, një gjysmanalfabet e porosit që ta studionin punëtorët veprën e Leninit “Ç’të bëjmë?”, madje domosdoshmërisht!
Unë kisha përshtypjen, sikur ai është enverist për shkak të kauzës kombëtare, por jo edhe leninist. Kur Jusufi po me kërkonte libra pas disa muajve të qëndrimit të tij në ekzil, erdhi radha të them se nuk kam tjetër pos edhe veprat e Leninit dhe ai më kundërshtoi me përçmim: “Nuk me intereson ai sllav…” [parafrazim i lirë] dhe me atë rast ndërruam ca llafe grindavece, duke rënë dakord që t’ia dërgoja fillimisht një sa për ta parë. Pastaj më kërkoi më shumë. Dhe ato nuk më janë kthyer më, sepse pas vrasjes Suzana
[bashkëshortja]
më luti t’ia lija si kujtim, meqë Jusufi i kishte nënvizuar dendur gjatë leximit.
[Jusuf Gërvalla:]
Parullat e demonstratave kanë një përmbajtje thellësisht marksiste-leniniste dhe përkrahin deri në fund kërkesat e rinisë heroike të Kosovës për republikë [që nënkupton edhe përfshirjen e tokave dhe të popullsisë shqiptare në Maqedoni, Mal të Zi e në Serbi].
[Koment:]
Nuk jam duke e kuptuar Jusufin për këtë lloj dezinformimi, nëse e ka bërë për t’i hyrë në qejf eprorit të tij, rrobaqepësit SN, apo nëse ka menduar se letrat e tilla përfundojnë edhe te Sigurimi shqiptar dhe ai duhej të kishte prova pozitive për “komunistin” JG.
Parulla e vetme që ishte e shkruar në banderolë dhe që thirrej e që mund të kuptohej si marksiste-leniniste ishte: “Hoch die interantionale Solidarität!” [Lart solidariteti ndërkombëtar]. Tjetër banderolë ose parulla, që mund të vlerësoheshin si marksiste-leniniste, nuk ka pasur.
[Donika Gërvalla-Schwarz:]
Jusuf Gërvalla ishte gazetar, shkrimtar, veprimtar politik, këngëtar dhe publicist. Tek popullata shqiptare në Kosovë dhe jashtë saj ai është i rrënjosur thellë deri nëpër familje. Popullariteti i tij fillimisht bazohej në prezantimet e tij si këngëtar në radio dhe televizion, si gazetar në ”Rilindje” si dhe më pas edhe në jehonën e veprimtarisë së tij politike dhe patriotike në Kosovë dhe Gjermani.
Veprimtaria politike, shtypja e vazhdueshme e popullatës në Kosovë nga ana e regjimit komunist jugosllav, nga artisti dhe gazetari Jusuf Gërvalla, bëri edhe veprimtarin politik Jusuf Gërvalla. Ai merr pjesë në lëvizjen ilegale, e cila ngjashëm me vendet e tjera të Evropës Lindore që vuanin nga regjimet e tyre diktatoriale përpiqej të mbronte dhe të realizonte të drejtat e popullatës ndaj shtypjes totalitare të regjimeve përkatëse...”
[Marrë nga www.gervalla.org, 2007-2009][20]
[Xhafer Durmishi:]
Jusuf Gërvalla nuk e ka konsideruar kurrë në epokën e tij regjimin jugosllav si regjim komunist. Ideologjikisht, Jusufi e ka konsideruar veten, dhe ka qenë komunist, marksist. Fjalët e mësipërme janë padituri dhe përpjekje për falsifikim të luftës së Jusufit dhe shokëve të tij të Lëvizjes Nacionalçlirimtare, sidomos të atyre që i ka pasur në Shtutgart. Përpjekjet e tilla janë të dënuara me dështim.[21]
[Koment:]
Unë kisha bindjen se Jusufi nuk ishte as komunist dhe as marksist. Por, “trashëgimtari” Durmishi po ofron fakte se ishte dhe po e mbron me përkushtim si komunist. Me kapacitetet e atëhershme e vlerësoja se ishte vetëm “enverist”, si alternativë kundër disa shqiptarë në Jugosllavi që ishin tjetërsuar në komunistë titistë.
Ndoshta po e përsëris deri në monotoni, se ditëve të para të qëndrimit të tij në ekzil, po më kërkonte libra. Ndërkohë i thashë se nuk kisha të tjera, pos veprat e Leninit. Me tha kuturu, se nuk i do, meqë ai ishte sllav. Ia ktheva: po romanët e Gorkit, të Tolstoit, etj., gjithashtu rus, përse i pëlqen? Atëherë, tha, ma sjell një sa për ta parë. Pastaj më kërkoi të tjera vëllime, duke më thënë se Lenini kishte stil të mrekullueshëm që do të duhej ta lexonte edhe secili jokomunist. Po kështu ndodhte edhe me shkrimet. Mendoja se i shkruante për t’u ngjarë sa më shumë atyre të Enver Hoxhës, si shqiptar dhe jo si komunist.
[Jusuf Gërvalla:]
Vehbi Ibrahimi, i vrarë në Belgjikë, ishte sekretari personal i Emin Fazlisë [“Emil Kastrioti”]. Ky far Emili i së ashtuquajturës “Besëlidhja shqiptare”, është një nga reaksionarët më të mykyr të shqiptarëve në Perëndim.
Enver Hadri, për sa jam i informuar, i takon gjoja një partie komuniste, por me orientim prorus.
Edhe Martin Camaj, për sa dimë, është kundër Shqipërisë. […]
Në qofshin si këta që përmendëm më lartë, s’kemi pse ua dërgojmë as “helmin”, lëre më shtypin tonë…
[Letër Sabri Novosellës, 14 janar 1982][22]
[Koment:]
Uroj të mos dëshpërohen e
hidhërohen tifozët naivë të Vehbi Ibrahimit, Emin Fazlisë, Enver Hadrit e
Martin Camajt! Por nuk po më besohet që të ketë shkruar kështu Jusufi.
[1] Xh. Durmishi, LËVIZJA E JUSUF GËRVALLËS, f. 109
[2] Xh. Durmishi, LËVIZJA E JUSUF GËRVALLËS, f. 109
[3] Xh. Durmishi, LËVIZJA E JUSUF GËRVALLËS, f. 109
[4] Xh. Durmishi, LËVIZJA E JUSUF GËRVALLËS, f. 20 / 24
[5] Xh. Durmishi, SHOKËT DHE JUSUF GËRVALLA, f. 32
[6] Xh. Durmishi, VEPRA E JUSUF GËRVALLËS, f. 246
[7] Xh. Durmishi, VEPRA E JUSUF GËRVALLËS, f. 247-248
[8] Xh. Durmishi, VEPRA E JUSUF GËRVALLËS, f. 232-236
[9] Xh. Durmishi, VEPRA E JUSUF GËRVALLËS, f. 246-250
[10] Xh. Durmishi, SHOKËT DHE JUSUF GËRVALLA, f. 32
[11] Xhafer Durmishi, TESTAMENTI, Pashtriku 2013, f. 11.
[12] Xh. Durmishi, VEPRA E JUSUF GËRVALLËS, f. 218-219
[13] Xh. Durmishi, VERPRA E JUSUF GËRVALLËS, f. 219-224
[14] Xh. Durmishi, VEPRA E JUSUF GËRVALLËS, f. 246-250
[15] Xh. Durmishi, VEPRA E JUSUF GËRVALLËS, f. 246-250
[16] Xh. Durmishi, LËVIZJA E JUSUF GËRVALLËS, f. 109
[17] Po aty.
[18] Xh. Durmishi, VEPRA E JUSUF GËRVALLËS, f. 255-259
[19] Xh. Durmishi, VEPRA E JUSUF GËRVALLËS, f. 225-226
[20] Xh. Durmishi, PA TRAZIM, f. 36; Xh. Durmishi, SHOKËT DHE JUSUF GËRVALLA, f. 26
[21] Xh. Durmishi, SHOKËT DHE JUSUF GËRVALLA, f. 26
[22] Xh. Durmishi, SHOKËT DHE JUSUF GËRVALLA, f. 29-30