Agim Xhafka
– E sheh atë plakun atje? Atë që sapo zbriti nga ai Range Roveri anglez?
– Atë me shkop që mezi po ecën, mo? – pyeti gruaja. – Qenka i kamur me gjithë atë veturë, madje ka dhe shofer.
– Po, për atë e kam fjalën. Fuoristradën e ka i biri, ështe ministër.
– Ta ndihmojmë? Se mezi po çapitet.

Nuk ishte nevoja se pas disa hapash ai u fut tek hyrja e një pallati dhe na u zhduk nga sytë. Por jo nga mendja ime. S’kam per ta harruar kurrë. Kam një histori sa për të qeshur, aq dhe për t’u revoltuar. Kush e di sa herë kam dashur t’i hyj në dru. Atëhere, tani nuk më shkon ndërmend. Është i moshuar dhe i pamundur.
Quhet Jetmir. Ishte nën/drejtor i shkollës 8-vjeçare në Korçë. Burrë simpatik, me sy bojëqielli, bjond dhe vishej pastër. Nëna thoshte, do ketë grua nikoqire se i ndrit që larg jaka e këmishës. Ndërsa emri i tij ishte gjë e rrallë në ato vite, por që e tregonte më të ri.
Një javë shtatori shkuam në aksion në Dvoran për të vjelur mollë, ku shumë plantacione kishin bërë aq prodhim sa nuk ia delnin mbanë vetëm punëtorët. Ne shkonim me dëshirë se bënim kurën e mollëve. Hanim pa kufizim Belfiore, Renet, Gold, Starkinga e plot lloje që sot nuk ua kujtoj emrat. Prindërve u mburreshim se kullufitëm 10, 15 kokrra në ditë. Atyre u shkontr goja lëng, por fati na ra ne, nxënësve të shkollave.
Një ditë, po u thosha Cales dhe Raqi Dhjamit, se molla starkinge ishte emër anglisht, shqip përkthehej “Ylli i Mbretit”. Në shkollë atëhere bëhej rusisht, ky shpjegim i zuri gafil. Edhe u çuditën, edhe nuk e besuan. Shkurt s’ma varën.

Lexo po ashtu:  Parlamenti Europian e pa Serbinë me sytë e Albinit Kurtit

Pas tre ditësh mbaruam aksionin dhe shkuam në shkollë. Qysh orën e parë më thirri Jetmiri e në zyrën e tij, më pyeti:
– Ma sqaro njëherë nga vjen fjala starking?
Gjithë qejf iu përgjigja, por ai ulëriti:
– Ato janë mollë të partisë, more. Jo të Anglisë. Janë mollë të Myftarit, ai i ka mbjellë. Kuptooonnn?!
Më iku çehrja. U bëra meit.
– Nesër të vish në shkollë bashkë me babain.
Sa i thashë nënës ajo vuri kujen.
– Do na ngatërrosh me politikë, – më tha.
Babai e priti qetë. Lëshoi veç një fjalë:
– Gomari.
Pastaj më tha të mos shqetësohem.
– Mos ia hap syrin, – i tha nëna. – Bërtiti në sy të Jetmirit dhe pllavitja ndonjë turinjve,
– Nëndrejtorit? – u tremba unë.
– Ty, mor ty, – e mbylli biseden ajo dhe hapi tv tek Shkupi të ndiqte “Dinastinë”.

Kurrë nuk e kisha parë babain aq ngushtë. Rrinte i trishtuar para Jetmirit. Ai nuk pushonte, shante, shante. Sikur unë kisha përdhosur mollët,vkisha mohuar punën e Myftarit, (mësova se ky ishte kryetar komiteti dhe kishte dhënë urdhër pér mbjelljen e mollëve). Anglia nuk kishte pse futej në Dvoran. Po dal armik mendova dhe m’u kujtua Dhori, që donte të arratisej e ia çuan vëllezërit e motrat në ca fshatra të Lushnjës.
Nisa të qaj dhe të përqafoja babain. I thoja më fal, më fal. Nuk e përsëris më. Asnjë fjalë anglisht nuk do shqiptoj, asnjë fjalë anglisht nuk do dëgjoj. E urrej Anglinë dhe gjithë shoqet e saj. Nga frika nuk pushoja. Isha 13 vjeç.
– Mirë, mund të ikni, – tha Jetmiri. – Agimi e paska ndjerë gabimin.
Dolëm, dita më dukej si festë. Shpëtuam. I gëzohesha babait, rrugës, pemëve, bile dhe ajrit që thithja.
Mamaja u lumturua.
– Ikim tek Meri, tek tezja, – më tha. – I ka dërguar kunati nga Amerika një bluzë për ty.
Gati me vrap ecnim. Ishim të lehtë si pupël. Tezja ma nxori mbi tavolinë pulovrin. Prej leshi, ngjyrë jeshile, si sytë e mi. Sa do e vishja shoh ca emra te etiketa.
– Mos janë anglisht? – pyeta tezen.
– Anglisht, po çfarë! Nga Amerika erdhi!
– Nuk e dua.

Lexo po ashtu:  NË TIRANË ASNJË GAZETË NUK PO E MBRON SHQIPËRINË NGA KEQBËRËSIT E HUAJ

Ia lashë në dorë e dola. Nuk doja të më shfaqej prapë Jetmiri. I shpëtova burgimit të parë. Tani di si të sillem.
– Prej atij plaku që pe qëparë urreva Anglinë qysh kur isha fëmijë, – i thashë gruas dhe historia më erdhi komike dhe tragjike sërish.
Jetuam në kohën e kolerës, notuam në kolerë, me fat që nuk na zuri kolera…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *