Kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca ka pritur në takim Zëvendës-ndihmës Sekretarin amerikan të Shtetit për Çështje të Evropës dhe Euroazisë, njëherësh i dërguar i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer dhe ambasadorin amerikan në Kosovë, Philip Kosnett.
Në komunikatën dërguar mediave, bëhet e ditur se Zëvendës-ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Matthew Palmer e ka uruar Konjufcën për detyrën e re dhe konsituimin e institucioneve të dala nga zgjedhjet e 14 shkurtit, si dhe ka konfirmuar gatishmërinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për ta ndihmuar vendin tonë përgjatë proceseve të mëtejme shtet ndërtuese.
Ndërsa Konjufca, pasi falënderoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës për kontributin e çmuar në çlirimin dhe rrugëtimin shtet ndërtues të Republikës së Kosovës, është zotuar për bashkëpunimin dhe thellimin e mëtejmë të marrëdhënieve në mes të dy vendeve.
Konjufca poashtu ka falënderuar Palmer për përfshirjen dhe kontributin e tij në procesin e dialogut ndërmjet shtetit të Kosovës dhe Serbisë.
Dje Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Matthew Palmer dhe Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë -Serbi, Miroslav Lajçak kanë konfirmuar se takimi i radhës në Bruksel mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuqiç do të mbahet brenda pak ditësh.
Palmer tha që SHBA-të mbështesin fuqishëm dialogun Kosovë-Serbi duke theksuar se do të përfundoj me njohje reciproke mes dy vendeve.
“Ne vazhdojmë të besojmë se është njohja reciproke çështja që do të hapë rrugën përpara”, tha ai.