Gjykatësit e Kombeve të Bashkuara vendosën të martën të lënë në fuqi dënimin me burgim të përjetshëm për ish-komandantin ushtarak të serbëve të Bosnjës, Ratko Mladiç, për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
I cilësuar si “kasapi i Bosnjës”, ai u dënua në nëntor të vitit 2017 nën akuzat që përfshinin vrasjen e mbi 8 mijë djemve e burrave në korrik të vitit 1995 në Srebrenicë, ndër mizoritë më të rënda në Evropë që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore. Masakra u krye në një zonë që ishte shpallur e mbrojtur nga Kombet e Bashkuara.
Ratko Mladiç ishte përgjegjës për rrethimin dhe bombardimin e Sarajevës ku u vranë 10 mijë civilë. Masakra e Srebrenicës dhe rrethimi shumëvjeçar i Sarajevës, ishin zhvillimet që kthyen botën kundër serbëve dhe nxitën sulme ajrore të NATO-s, që çuan në përfundimin e luftës me marrëveshjen e arritur ne Dayton të Ohios në Shtetet e Bashkuara, në nëntor të vitit 1995.
Ai është fajtor edhe për përndjekjen e myslimanëve dhe kroatëve gjithandej Bosnjës, dhe mbajtjen peng të pjesëtarëve të forcave të Kombeve të Bashkuara.
Vendimi i sotëm i apelit shënon edhe përfundimin e ndjekjeve penale të Kombeve të Bashkuara për krimet e kryera në luftën e Bosnjë që la pas vetes mbi 100 mijë të vrarë dhe miliona të zhvendosur.
Ratko Mladiç, i akuzuar në vitin 1995 nga Gjykata për Krime luftë në hapësirat e ish Jugosllavisë kishte qëndruar në Beograd në vitet e para pas ngritjes së akuzave ndaj tij, ndërsa ishte fshehur pas rënies së presidentit serb Sllobodan Millosheviç në vjeshtën e vitit 2000.
Në maj të vitit 2011 ai u arrestua në një fermë në Serbinë veriore, pas një periudhe trysnie të Bashkimit Evropian mbi Serbinë që aspiron integrimet evropiane.
Gjyqi kundër tij, u hap në maj të vitit 2012.
Gjykata për krime lufte në ish Jugosllavi u themelua në vitin 1993 dhe ishte gjykata e parë për krime lufte pas gjykatës ushtarake të Nurembergut në fund të Luftës së Dytë Botërore.
Ajo ngriti akuza ndaj 161 vetave, 90 prej të cilëve janë dënuar. Në mars te vitit 2016-të, kjo gjykatë shpalli fajtor shefin politik të Ratko Mladiçit, Radovan Karaxhiç, i cili aktualisht po vuan në Britaninë e Madhe dënimin me burgim të përjetshëm nën akuzat për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit.
Ish presidenti serb Sllobodan Millosheviç, u akuzua në vitin 1999 në kohën e luftës së Kosovës dhe u dërgua në Hagë në vitin 2001. Në vitin 2006 vdiq derisa po gjykohej për krime lufte e gjenocid në hapësirat e ish Jugosllavisë.
Gjykata përfundoi punën e saj me dënimin e Ratko Mladiçit në vitin 2017, dhe çështjet e mbetura po trajtohen nga një mekanizëm ndërkombëtar i vendosur në ish selinë e gjykatës.
Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara do të diskutojë sonte raportin mbi punën e këtij mekanizmi dhe në këtë kuadër edhe refuzimin e Serbisë për t’i dorëzuar atij dy anëtarë të Partisë Radikale Serbe, Vjerica Radeta dhe Petar Jojiç, të akuzuar që në vitin 2012 për frikësim, kërcënim dhe dhënie ryshfeti dëshmitarëve në procesin gjyqësor ndaj udhëheqësit të asaj partie Vojislav Sheshel.
Advertisement
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i cili deri në vitin 2008 ishte funksionar i lartë i Partisë Radikale, ka theksuar se disa raste se nuk do të dorëzojë ish kolegët e tij.
Ish shefi i presidentit serb, ultranacionalisti Vojislav Sheshel, u dënua në vitin 2018 me dhjetë vjet heqje lirie nën akuzat për krime kundër joserbëve në Kroaci, në rajonin serb të Vojvodinës dhe në Bosnje e Hercegovinë, gjatë luftërave në Ballkan, që çuan në shpërbërjen e ish Jugosllavisë.
Ai qe dorëzuar në vitin 2003 dhe kishte qëndruar në Hagë deri në vitin 2014. Meqë kishte kaluar afro 12 vjet në burg, dënimi i tij cilësohet i përmbushur./VOA