Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti gjatë konferencës për media pas takimit bilateral me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian (BE) tha janë duke punuar në përgatitjen e padisë kundër Serbisë.
Kurti po ashtu tha se kanë kërkuar ndihmë nga partnerët ndërkombëtarë për përgatitjen e padisë ndaj Serbisë, për të cilën tha se do t’i marr kohë.
“Kemi filluar me padinë ndaj Serbisë. Kemi kërkuar nga partnerët tanë ndërkombëtar që të na ndihmojnë për ta bërë gati padinë. Do të marr kohë përgatitja e kësaj padie”, ka thënë ai.
Ai po ashtu tha se në dialogun me Serbinë janë duke i trajtuar çështjet në thelb të saj.
Kurti gjithashtu tha se dialogu nuk do të jetë i lehtë por siç u shpreh ai nuk është pesimist për këtë.
“Kam shpresë se nëse i diskutojmë qysh në fillim sinqerisht dhe seriozisht çështjet kryesore me siguri që nuk ka vend për skepticizëm. A do të jetë vështirë sigurisht që do të jetë, nuk jam pesimist, pasi po i trajtomë gjërat qysh në thelbin e tyre. Serbia nuk e pranon Kosovën dhe Kosova nuk e pranon Serbinë dhe kjo gjë nuk do të ndryshoj”, ka thënë ai.