Afrim Fanda
Lajmi per shpalljen të padëshiruar në SHBA, të Sali Berishës dhe familjes së tij nga ana e DASH (Departamentit Amerikan të Shtetit), ishte një lajm që befasoi gjithë opinionin shqiptar. Jo se shqiptarët nuk ishin në dijeni për përfitimet e familjes së Sali Berishës dhe aleatëve të tij nga abuzimi me pushtetin, aq më tepër që vajza, e në veçanti djali i tij, me jetën e tyre luksoze, u kujdesën që të japin prova më se të mjaftueshme për këtë. Por shqiptarët kaq shumë dhe kaq gjatë u mësuan me pushtetarët e tyre të korruptuar dhe të paprekshëm nga ligji, saqë, ashtu të terrorizuar nga ata, humbën çdo shpresë se për ta mund të flitej hapur, me emër e mbiemër, e lere më që një ditë mund të përgjigjeshin para drejtësisë.
Por a është realisht Sali Berisha në qendër të këtij denoncimi publik kaq të hapur të DASH?
Pavarësisht mesazhit të qartë për pritshmërinë e SHBA që ai, djali dhe vajza e tij, si dhe aleatët e tij të përgjigjen para drejtësisë për, siç deklaroi sekretari i shtetit z. Antony Blinken “keqpërdorimin e fondeve publike dhe ndërhyrjen në proceset publike, duke përfshirë përdorimin e pushtetit për përfitimin e tij dhe për të pasuruar aleatët e tij politikë dhe anëtarët e familjes së tij …” , në fakt Sali Berisha 78 vjeçar nuk është në qendër të vëmëndjes së DASH. Është gjithashtu më se i qartë mesazhi që synon inkurajimin dhe lehtësimin e reformimit të PD te mbajtur peng nga Sali Berisha, për t’i ofruar vendit një opozitë të shëndoshë që do të mundësonte rotacionin e pushtetit, tanimë gjatë kohë në duart Partisë Socialiste. Por mesazhi më i rëndësishëm u drejtohet qytetarëve shqiptarë. Deklarata e DASH, si dhe urdhëri ekzekutiv i presidentit Biden, synojnë t’i inkurajojnë qytetarët shqiptarë për rolin e tyre prej faktori vendimtar në shoqëri, për tu distancuar qartë, në orë e më parë dhe pa hezitim nga klasa politike e koruptuar. Sepse sado që të duken të pushtetshëm dhe të paprekshëm, ashtu të veshur me pushtet dhe para të pista, heret a vonë, këta individë fundin e kanë të pashmangshëm. Sepse pavarësisht bashkëpunimit të detyruar me këta pushtetarë të korruptuar, derisa janë si zyrtarë në pozicione udhëheqëse të shtetit, ata nuk janë dhe nuk do të jenë kurrë të pranueshëm për administratën amerikane dhe BE. Dhe me mundësinë e parë ata do të ndihmojnë dhe do të përkrahi forca të reja politike për ti nxjerë këta individë para ligjit.
Derisa ne Kosovë, pavarësisht hezitimit për një kohë, me ndihmën e SHBA dhe BE, me ndryshimet e fundit, ju dha një shans luftës kunder korrupsionit dhe krimit të organizuar që kishte kapluar institucionet e shteti, shqiptarët në ish IRJM vazhdojnë të jenë peng i përfaqësuesve të tyre politikë, të zhytur në korrupsion, abuzim me pushtetin dhe krim të organizuar. Abuzimi i këtyre individëve me pushtetin, korrupsioni i regjistruar nga bisedat telefonike të përgjuara në mes të krerëve më të lartë të BDI, VMRO në atë kohë në pushtet, përfshrië edhe shefin e Sigurimit të Shtetit të ish IRJM, u bënë publike përmes “bombave” të publikuara nga LSDM dhe Z. Zaev, në atë kohë në opozitë. Por, “për çudi”, me ardhjen e LSDM në pushtet, aktorët e këtyre krimeve nga BDI, të dokumentuara nga përgjimet, jo që nuk u përgjigjën para drejtësisë, por ishin të preferuarit e LSDM, si partnerë koalicioni në qeverinë e re. Cila ishte arsyeja? Janë “interesat më të larta të shtetit”, ishte deklarata e nje ish pushtetari sllav, të cilën e lexova diku në revistat në gjuhën “maqedonishte”!
Cilat janë këto “interesa të larta të shtetit”?
Klasa politike sllave në ish IRJM, në mbrojtje të shtetit komb, sistemit qeverisës unitar dhe në saje të pushtetit ekskluziv qe ua mundëson kushteta, përzgjedh për pjesëmarrje në pushtet, si dekor multietnik, individë dhe parti politike nga bashkësia etnike shqitpare, të gatshëm për të shërbyer agjendave të tyre politike. Nga ana tjetër, motivi i këtyre shqiptarëve për angazhimin politik, dhe në veçanti për pjesëmarrjen në pushtet, nuk është aspak politik, por kryekëput material – përfitimi për vete dhe për klanet e tyre. Ndaj dhe koalicionet bashkëqeverisëse reduktohen në marrëveshje biznesi, ku individë dhe parti politike shqiptare pranojnë të vihen në shërbim të agjendave politike të partive sllave, gjithmonë në dëm të interesave të shqiptarëve, ndërsa partitë sllave pranojnë të mbyllin njërin sy për abuzimin me pushtetin që bëjnë këta përfaqësues të shqiptareve. Për të abuzuar të papenguar dhe të qetë me pushetin, këta përfaqësues të korruptuar të shqiparëve deklarohen para opinionit të brendshëm dhe sidomos atij të jashtëm, “të përkushtuar” ndaj bashkëpunimeve brenda shtetit dhe atyre rajonale dhe asiparatave për aderim në BE.
Por si ti identifikojnë shqitarët në ish IRJM përfaqësuesit e tyre të korruptuar dhe të kriminalizuar? Fare e lehtë! Janë ata politikanë shqiptarë të pasur, zakonisht injorantë mediokër, me poste partiake ose shtetërore, që nuk kanë punuar as edhe një ditë të vetme në jetën e tyre. Janë ata shqiptarë që në politikë u futën brekëgrisur, dhe në aty u bënë milionerë me shtëpi në “Vodno”. Janë ata që në tubime parazgjedhore, para shqiptarëve akoma flasin për luftën të cilën e tradhtuan, bastarduan, abuzuan, ndërsa kur janë në pushtet flasin për paqen dhe stabilitetin në rajon. Janë ata që sot në emër të partive sllave, me kaq zell dhe agresivitet mbrojnë gjuhën dhe historinë e përvetësuar nga bullgarët, ndërkohë që heshtin për pozitën kushtetuese të diskriminuar të bashkëkombasve të tyre. Heshtin për lagje dhe qytete të tëra shqiptarësh ortodoksë që kanë frikë të deklarojnë përkatësinë etnike. Heshtin për kishat e përvetësuara të bashkëkombasve të tyre ortodoksë. Votojnë ndryshime kushtetutese ku shqiptarët vazhdojnë të trajtohen si pakicë, ligje ku kufizohet me përqindje përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe…
Idenentifikimi i këtyre aktorëve të korruptuar në hapsirën politike shqiptare nuk është i vështirë, e edhe përkrahja e SHBA nuk ka qenë kurrë kaq intensive dhe e hapur ashtu si tani. Por një gjë është e sigurtë, amerikanët nuk do ti venë duart në zjar për të nxjerrë gështenjat e nxeta për ne. Janë vetë shqiptarët ata që duhet të bëjnë këtë luftë për të larguar këta politikanë që parazitojnë në trupin e tyre, dhe ti zëvensësojnë ata me shqiptarë të pakorruptueshëm, që do të përfaqësojnë realisht interesat e tyre si bashkësi etnike.