Para se të flasim për mënyrën e përzgjedhjes së 14 ambasadorëve të rinj nga ana e MPJD-së, duhet dhënë paraprakisht disa sqarime rreth shkarkimit të 12 ambasadorëve “politik”, e që të dyja këto vendime kanë qenë antiligjore, për të mos thënë skandaloze!

Së pari; asnjë shtet dhe qeveri në botë nuk e bënë një gafë të tillë duke marrë vendim absurd që në grup dhe përnjëherë t’i kthen në shtëpi 13 ambasadorë pa e përfunduar mandatin e tyre katërvjeçar. Pra, nuk ndodhë askund që një qeveri t’i shkarkon në numër kaq të madh dhe përnjëherë ambasadorët e vetë, duke e lënë shtetin pa përfaqësues të lartë diplomatik në botë, siç kanë vepruar presidentja Osmani, kryeministri Kurti dhe ministrja e jashtme Gërvalla..!

Një akt i tillë abuziv dhe me aq “urgjencë” mund të kishte ndodhë vetëm në kohë lufte ose në raste të katastrofave natyrore, por jo në kushte normale të funksionimit të një shteti. Pra, vendimi për tërheqjen e tyre është dashur të merret vetëm sipas normave ligjore të parapara për shërbimin diplomatik të Kosovës, përkatësisht sipas marrëveshjes së nënshkruar mes ambasadorëve dhe qeverisë së mëparshme, vetëm pasi që ta kenë kryer mandatin katërvjeçar të ambasadorit !

Së dyti; nëse kthimi i tyre qenka bërë për shkaqe të parapara me ligj, atëherë ato shkaqe është dashur të bëhen transparente për opinionin, nëse ka pasur, siç janë p.sh.; dhënia e sekretit shtetëror ndonjë shërbimi të huaj, tradhtia dhe shkelja e interesave kombëtare dhe shtetërore, dezertimi nga posti i ambasadorit, vjedhja e kasës së shtetit, vrasja e ndonjë njeriu, sëmundjet e rënda etj., atëherë përfaqësuesit diplomatik i ndërpritet marrëdhënia e punës para skadimit të mandatit të ambasadorit.

Lexo po ashtu:  Opinioni i DW: Afganistani – i gjithë pushteti talibanëve?

Në të kundërtën, vetëm vullneti i shtetit, ose nevoja për riformatizim të qeverisë apo ndryshim të programit të punës së ministrisë, dhe arsye të ngjashme, në asnjë mënyrë këto nuk mund të merren si alibi për ndërprerjen e punës dhe shkurtimin e mandatit të një ambasadori, qoftë edhe nëse ai ka përformancë të dobët në punë. Ngase marrëveshja e nënshkruar mes një ambasadori politik dhe MPJD duhet patjetër të zbatohet deri në fund, përveç nëse ka pasur ndonjë prej shkaqeve të cekura më lartë..!?

Së treti; ndërprerja e mandatit të ambasadorëve në qendrat kyçe botërore, siç është Washingtoni, Londra, Parisi, Berlini, Brukseli, etj., pa u bërë zëvendësimi i tyre i menjëhershëm me ambasadorë tjerë, ishte gabim trashanik i ministres Gërvalla, veprim të cilin nuk e bënë dot asnjë ministër serioz, sidomos jo shteti i Kosovës, i cili interes mbi çdo interes dhe detyrë mbi çdo detyrë tjetër e ka lobimin për njohje të reja të pavarësisë së Kosovës si dhe forcimin e miqësisë dhe marrëdhënieve bilaterale me vendet më të fuqishme të Perëndimit të cilat me 1999 na kanë ndihmuar që të çlirohemi nga armiku shekullor serb. Pra, mungesa e ambasadorëve, qoftë edhe për tre muaj, përveç se është nënçmim ndaj shtetit nikoqir, pa dyshim se e ka dëmtuar imazhin e Kosovës në arenën ndërkombëtare..!

Së katërti; emërimi i ambasadorëve të rinj kudo në botë, sidomos në shtetet demokratike me sistem kushtetues parlamentar si dhe përzgjedhja e tyre bëhet vetëm përmes Konkursit publik të shpallur nga MPJ-a, së pari në murin intern të ministrisë, pastaj edhe në të gjitha mediat e shkruara dhe vizuale, në të cilin konkurs kanë të drejt të barabartë të konkurrojnë të gjithë të interesuarit, pa asnjë përjashtim. Është pastaj çështje e komisionit për pranim të kuadrove pranë MPJD-së, i cili e bën verifikimin e kandidatëve të paraqitur në konkurs, duke përzgjedhur ata që i kanë plotësuar kushtet e parapara me konkurs, duke e bërë listën e tyre sipas rendit alfabetik, cakton datën e provimit pranues nga profesorë dhe ekspert eminent të fushës së marrëdhënieve ndërkombëtare, dhe ku më pas bëhet publike lista e kandidatëve për ambasadorë të rinj.

Lexo po ashtu:  Cilat janë pesë të përbashkëtat e rëndësishme mes ekstremistëve Reichsbürgers në Gjermani, dhe ekstremistëve të strukturave kriminale të Vuçiqit në veri të Kosovës?

Pra, pas kësaj faze përgatitore e cila mund të zgjas deri në 6 muaj, tek atëherë lista me emrat e ambasadorëve i dërgohet Komisionit të Kuvendit për politikë të jashtme për verifikim final, i cili edhe i fton në bisedë pranë të njëjtit, dhe pasi që të ketë përfunduar kjo procedurë atëherë emrat i dërgohen presidentit të vendit për dekretim.

Dikush mund të thotë, se mënyra e përzgjedhjes së ambasadorëve nga ana e MPJD-së është dhe mbetet çështje e brendshme e saj, pra se është procedurë që kryhet sipas rregulloreve të brendshme të ministrisë, etj., ne iu themi jo nuk është ashtu, sepse një mënyrë e tillë jo transparente është jo kushtetuese sepse me automatizëm e përjashton konkurrencën e lirë të vlerave si dhe të drejtën e individit për të konkurruar në shoqëri dhe vlerat e tij personale t’i vejë në shërbim të atdheut të tij. Tek e fundit atdheu është i popullit dhe i individit si pjesë ndërtuese e tij, i cili në harmoni me të drejtat kushtetuese si qytetar i lirë, ka të drejt legjitime t’ia ofrojë shtetit dhe shoqërisë vlerën më të madhe që ai e posedon, siç është ajo profesionale dhe intelektuale.

Lexo po ashtu:  Kur shteti harron themeleuesin e vetë, Ismail Qemal Vlorën

Prandaj, institucioni i Konkursit publik është si kudo në shtetet demokratike instrumenti më i drejt, më demokratik dhe më transparent për çdo shtet dhe shoqëri të civilizuar. Pra, konkursi publik është norma më demokratike, ligjore dhe kushtetuese e përzgjedhjes dhe emërimit të ambasadorëve kudo në vendet e Evropës perëndimore (shih ministrinë e jashtme gjermane – “Auswärtiges Amt”), se në çfarë forme bëhet përgatitja dhe emërimi i ambasadorëve, se si bëhet aftësimi profesional dhe diplomatik i tyre, se në ç’ mënyrë bëhet seleksionimi dhe ndarje e tyre sipas aftësive profesionale, etj. !

Mjerisht vendi ynë, Kosova e mjelë dhe e vjedhur për 20 vite rresht, është shumë larg zbatimit të kritereve dhe standardeve evropiane, mungesë kjo e cila është dëshmuar sa herë që janë dërguar në përfaqësitë tona diplomatike ambasadorë dhe konsuj në 13 vitet e kaluara e deri më sot, kur dihet mirëfilli se asnjë nga këto norma nuk është respektuar ashtu siç parashihet me ligje dhe Kushtetutën e Kosovës!

Sepse, për fat të keq, nepotizmi, klientelizmi partiak, miqësia, afërsia ideologjike si dhe interesi personal dhe familjar kanë qenë “kriteret” kryesore që janë zbatuar nga ana e qeverive dhe MPJD-së, përfshirë këtu edhe emërimin e fundit të 14-të ambasadorëve, emrat e të cilëve ende mbahen sekret për publikun, përveç për disa media të afërta me qeverinë..!?/Rexhep Elezaj/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *