Talibanët radikalë islamistë prezantuan qeverinë e re të përkohshme. Askush tjetër veç tyre nuk ka poste në këtë qeveri. Por totalitarizmi i tyre nuk ka për të sjellë paqen në vend, shkruan Sandra Petersmann.
Afganistani që tani është një emirat represiv islamik. Mjafton për këtë një emër, ministri i Brendshëm i emëruar, Sirajudin Hakani qëndron që nga viti 2007 në listën e terrorit të Kombeve të Bashkuara. FBI ka vendosur 10 milionë dollarë para për kokën e tij. Sirajudin Hakani konsiderohet i afërt me Al-Kaidën dhe bëhet përgjegjës për planifkimin e shumë atentateve terroriste vetëvrasëse në Kabul, ndër to edhe sulmin ndaj ambasadës gjermane në Kabul në maj 2017. Por çfarë nënkuptojnë këto vendime të talibanëve për jetën e përditshme të njerëzve në Afganistan?
Frika si shpata e Damokleut
Kur kam telefonuar me politikanen afgane, Habiba Sarabi në Katar, ajo më tha se ndjehet si “fije bari e thatë në ujë”, e lënë nga të shkojë rryma. Me zë të dridhur tha, se ka frikë të tmerrshme nga kthimi në vendlindje, sepse është një grua politikisht aktive dhe se është pjesë e pakicës shiite Hazara. Hazarët janë shpesh të përjashtuar në Afganistanin sunit. Qeveria e parë talibane (1996-2001) i përndiqte ata sistematikisht. Në Masar i-Sharif në vitin 1998 u krye një vrasje masive.
A do të kthehet tani Afganistani në një vend, ku gratë, pakicat dhe ata që mendojnë ndryshe do të bëhen të padukshëm që të mbijetojnë? Ndjesia e sigurisë së një njeriu nuk varet vetëm nga ajo, nëse dikush ushtron menjëherë dhunë, por edhe nga vetëdija, se dikush mund të ushtrojë dhunë në çdo kohë. Pa ndëshkim, sepse ka pushtetin absolut. Frika e shpatës së Damokleut rri pezull kudo.
Absolutizëm i fituesve
Habiba Sarabi, kjo “fije bari e thatë në ujë” ishte pjesë e shtetit afgan, që u ngrit me intervenimin perëndimor pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit. Ajo ka qenë guvernatorja e parë e një province, ministre e gruas dhe kandidate për zëvendëspresidente. Ajo bënte pejsë tek ato katër gra, që deri para pak javësh negociuan me talibanët për paqen pa sukses në Doha. Por talibanët fituan mbi Republikën Islamike të Afganistanit, për të cilën luftonte Sarabi dhe e shfuqizuan. Në emiratin e tyre islamik gratë nuk kanë më poste politike. Edhe përfaqësues nga rendi i mëparshëm afgan nuk gjenden në emiratin e rij, megjithë betimet e talibanëve, se duan të ngrenë një “sistem inkluziv islamik”.
Regjimi i ri taliban është një qeveri absolutiste e fituesve. Pa gra. Pa pakica. Pa të tjerë. Me këtë islamistët bëjnë të njëjtin gabim fatal si bashkësia ndërkombëtare. Edhe SHBA e aleatët e refuzuan në mënyrë arrogante në vitin 2001 të negocionin me humbësit, talibanët e rrëzuar.
Si qen të rrahur
Rezultati dihet: Lufta e Afganistanit u shkallëzua. SHBA dhe NATO e çuan atë në fshatrat afganë. Çmimin e pagoi popullsia civile. Trupat ndërkombëtare u tërhoqën si qen të rrahur pas 20 vjetësh nga fusha e betejës dhe talibanët tani dehen nga fitoja mbi superfuqinë. Por është ndryshe të fitosh në betejë dhe ndryshe të qeverisësh një vend multietnik të varfër me 38 milionë banorë në shekullin e 21. Që tani ka rezistencë të armatosur. Protesta të grave të guximshme dhe burrave. Luftëtarët dhe demonstruesit filmojnë veten me smartphone dhe i dërgojnë videot tek një publik global.
Varfëri e thellë dhe uri
Gjendja në Afganistan është emergjente. Miliona vuajnë nga uria dhe vërdallisen si refugjatë në vendin e tyre, të çrrënjosur edhe për shkak të thatësirës së vazhdueshme dhe dhunës. OKB paralajmëron nga një katastrofë dhe një lëvizje e re e madhe refugjatësh. Ndihmat financiare ndërkombëtare nga të cilat Afganistani ka qenë plotësisht i varur pas katër dekadash luftë kanë ngrirë pas ardhjes në pushtet të talibanëve. Ekonomia është në kolaps, ndihmat humanitare vijnë me vështirësi. Prioriteti kryesor i një qeverie afgane do të duhej të ishte të ndihmonte dhe mbronte popullin e vet. Por çfarë bëjnë talibanët? Ata i përfundojnë demonstratat paqësore me dhunë të ashpër, kërkojnë luftën vendimtare në Luginën Panxhir, ndëshkojnë gazetarët, ndalojnë muzikën, dhe u shkruajnë studenteve, se si duhet të mbulohen. Mohojnë aktet vrasëse hakmarrëse që kanë ndodhur me prova.
Recetë për katastrofë
Islamistët militantë nuk mund ta qeverisin një vend për një kohë të gjatë me dhunë, shtypje dhe ndalime. As me injorancë, fjalë të zbukuruara dhe gënjeshtra. Këtë ta mësojnë së fundmi edhe dështimet e sovjetikëve dhe demokracive perëndimore në betejën afgane.
Përpjekja për demokraci në Afganistan dështoi, sepse ajo u zbatua në mënyrë të njëanshme, injorante u bë me gjysmë zemre dhe ishte etje për pushtet. Përpjekja e re e talibanëve për të bërë sërish një emirat totalitar është një recetë e sigurtë për ta keqësuar katastrofën aty. Uria, padrejtësia dhe dëshpërimi janë armiq të rrezikshëm, edhe për të ashtuquajturit fitimtarë abolutë.