Veriu i Kosovës është shndërruar sërisht në një mollë sherri në mes aleatëve euro atlantikë. Nëse Shtetet e Bashkuara dhe Britania kanë përshëndetur aksionin e qeverisë Kurti për të luftuar kontrabandën, Brukseli zyrtar ka kritikuar veprimet e pakoordinuara dhe të njëanëshme.

Të mërkurën, kur vala e protestave serbe në veri ishte ende e nxehtë, pas ndërhyrjes policore për të goditur rrjetet e kontrabandës, Përfaqësuesi i Lartë për politikën e jashtme të BE-së , Borelli dënoi “veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara” që sipas BE-së janë të papranueshme. “Incidentet e dhunshme në veri të Kosovës duhet të ndalen menjëherë. Aksionet e njëanshme dhe të pakoordinuara që rrezikojnë stabilitetin janë të papranueshme. Të gjitha çështjet e hapura duhet të adresohen përmes Dialogut të lehtësuar nga BE. Ne jemi në kontakt me Beogradin dhe Prishtinën”, ka shkruar ai në një postim në “Twitter”.

Meqë ky reagim ngjalli shumë diskutime si në Kosovë si dhe jashtë saj, zëdhënësi për politikë të jashtme i Komisionit evropian, Peter Stano u mundua këtë të enjte ta sqaronte atë. Por ai mbrojti sërisht versionin e ndërhyrjeve “me leje” në veri.

Lexo po ashtu:  Trocki: “Unë, dëshmitari i masakrave serbe ndaj shqiptarëve në Shkup”

I pyetur përse Borell flet për njëanshmëri dhe moskoordinim për këtë operacion, i cili shkaktoi trazira në veri, zëdhënësi Stano në konferencën për shtyp sqaroi se Përfaqësuesi i Lartë për politikë të jashtme i referohet “kontekstit në gjerësi”. “Konteksti i asaj që po ndodh në veri të Kosovës është i lidhur me çështjen më të gjerë mes Kosovës dhe Serbisë dhe bëhet fjalë për koordinim nëse njëra palë vendos të bëjë diçka në një pjesë me atribute specifike siç është veriu i Kosovës, praktika e zakonshme është të ketë koordinim të afërt me komunitetin ndërkombëtar, me KFOR-in dhe me kolegët nga ana tjetër”, deklaroi Stano, i cili duke u përpjekur të qetësojë gjakrat shtoi: “Situata në atë pjesë të Kosovës është jostabile dhe gjithçka që bëhet në atë pjesë të territorit duhet të merret parasysh, thamë herën e kaluar se çdo veprim i njëanshëm duhet të evitohet në mënyrë që të mos ketë konfrontime”.

Por ndryshe nga ky qëndrim i BE-së që duhet të ruajë rolin e faktorit të barazlarguar mes palëve pasi udhëheq dialogun, ambasada Amerikane në Prishtinë u rendit pro aksionit të qeverisë së Kosovës dhe kundër atyre që mbrojtën kontrabandistët, duke u shndërruar në mburojë politike për ta.

Lexo po ashtu:  Harta/ Territori ukrainas i pushtuar nga Rusia deri më tani

“SHBA-ja është e shqetësuar nga përgjigja që iu dha sot aksioneve për zbatimin e ligjit të Kosovës në territorin e Kosovës. E gjithë dhuna, e drejtuar qoftë ndaj autoriteteve, mediave, ose qytetarëve, është e papranueshme dhe duhet të hetohet dhe ndiqet penalisht deri në zbatimin e plotë të ligjit. Bëjmë thirrje për qetësi”, tha për Gazeta Express zëdhënësi i kësaj ambasade. Në të njëjtën linjë u rendit edhe selia diplomatike e Britanisë. Në një reagim në faqen zyrtare të ambasadës në Facebook, thuhet se përpjekjet për të penguar aksionin me retorikë nxitëse u shërbejnë atyre që krijojnë ndasi mes komuniteteve në Kosovë.

“Veprimi kundër krimit të organizuar është në interes të të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe ne mbështesim Qeverinë e Kosovës në respektimin e sundimit të ligjit në të gjithë Kosovën. Përpjekjet për të penguar këtë veprim me dhunë, si dhe përdorimin e retorikës nxitëse, shërben vetëm për të ndihmuar ata që kërkojnë të krijojnë ndarje në mes të komuniteteve në Kosovë. Ne jemi gjithashtu të shqetësuar për raportet e frikësimit të gazetarëve që përpiqen të bëjnë punën e tyre dhe të raportojnë faktet në terren. Gazetarët kanë të drejtë të veprojnë në një mjedis të sigurt dhe ata që e kërcënojnë këtë duhet të mbajnë përgjegjësi”, thuhet në reagim.

Lexo po ashtu:  Platini fut Shqipërinë në BE? – Reuters: Shqipëria ka depozita të shumta, i duhen Europës

Kjo nuk është hera e parë që aleatët euroatlantikë tregojnë mungesë rakordimi në raport me Kosovën. Kjo u pa sidomos gjatë fushtës së Grenell për rrëzimin e qeverisë Kurti 1 kur SHBA u bënë pjesë e kësaj loje ndërsa europianët e kritikuan atë. Tani mesa duket palët kanë ndryshuar rolet duke qenë gjithaq njësoj të pakoordinuara.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *