Barometri diplomatik

Prof.Dr. Mehdi HYSENI: Dialogu i Brukselit, urgjentisht të rivendoset në Nju-Jork.

*** Ndryshe, Serbia me agresion sikurse Slobodan Milosheviqi (1989) do të pushtojë Veriun e Kosovës! Këtë e paralajmërojnë edhe trazirat e fundme në Veriun e Kosovës, ku u plagosën disa police të Kosovës, me rastin aksionit kundër krimit të organizuar dhe të korrupsionit ( 13 tetor 2021).

*** Kjo është e vetmja zgjidhje për të shpëtuar nga “formulat” serbe dhe proserbe të copëtimit të shtetit dhe të territorit të Republikës së Kosovës! Prandaj, urgjentisht nevojitet që Dialogu i Brukselit të rivendoset në Nju-Jork.

*** Vetëm në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara mund të debatohet për Kosovën si ish-koloni e Serbisë kolonialiste (1912-1999). Ndryshe, çdo dialog me Serbinë qoftë në Bruksel a në ndonjë metropol tjetër të Evropës, nuk ndihmon në dekolonizimin e Serbisë, qoftë kur është fjala për Kosovën, qoftë për Preshevën, Bujanocin dhe Medvegjën.

Të gjithë jemi dëshmitarë se Dialogu i Brukselit (2011-2018) brenda shtatë viteve të shkuara nuk ka dhënë asnjë rezultat konkret në njohjen e ndërsjellë të Serbisë dhe të Kosovës. Ky dialog i shpikur nga politika dhe diplomacia serbomadhe (që me paqe dhe me ndihmën e faktorëve ndërkombëtarë, të rikthejë Kosovën nën sundimin kolonial të Serbisë), dhe i përqafuar verbërisht nga liderët politikë të Kosovës, mund të zgjatë edhe 100 vjet, por pa dekolonizimin e Serbisë, nuk ka asnjë gjasë që të arrihet ndonjë kompromis politik mes Beogradit dhe Prishtinës zyrtare.

Ligjërisht sipas Kartës së OKB-së dhe të së drejtës ndërkombëtare, Serbia mund të zhvishet nga bagazhi dhe nga hipoteka kolonialiste shekullore vetëm nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara.

Një procedurë të tillë për paditjen e Serbisë kolonialiste (1912-1999) në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, mund dhe, duhet ta bëjë urgjentisht politika dhe diplomacia e Tiranës zyrtare, mbase Kosova ligjërisht nuk e gëzon një të drejtë të tillë, duke qenë se nuk është anëtare e Kombeve të Bashuara. Pra, ky duhet të jetë objektivi prioritar strategjik, kombëtar dhe shtetëror i Shqipërisë, JO mbështetja e verbër e Dialogut të Brukselit sikurse këtu e shtatë vite më parë (2011-2018). Ky është dështim dhe defaktorizim total i politikës së jashtme dhe i diplomacisë së Shqipërisë në Ballkan, dhe më gjerë. Kjo politikë dhe diplomaci u konvenon vetëm Beogradit, Moskës, Athinës, Podgoricës, Shkupit, Qipros Greke, Sllovakisë, Ruamnisë, Spanjës dhe aleatëve të tyre ndërkombëtarë, JO shkolonizimit të Kosovës, të Preshevës, të Bujanocit dhe të Medvegjës etj.

Lexo po ashtu:  “Buzëfryrjet” paguajnë ndjekësit në Facebook dhe Instagram

Pse Tirana ta mbështetë Dialogun e Brukselit, kur ai Kosovën e shpie në Serbinë kolonialiste dhe gjenocidale?!

Kjo nuk është kurrfarë “loje dogërxhiku” mes PS-së dhe PD-së, por është problem tejet serioz, që ka të bëjë me fatin e pavarësisë dhe të sovranitetit territorial dhe shtetëror të Republikës së Kosovës, sepse në Dialogun e Brukselit janë involvuar fuqitë e mëdha të Evropës, domethënë si shkak dhe pasojë e pamendësisë politike dhe diplomatike të liderëve shqiptarë (në Kosovë dhe në Shqipëri), tanimë është ndërkombëtarizuar “problemi verior” i Kosovës, ku do të vendosin fuqitë e mëdha të Evropës. Ky është rreziku që i kanoset Kosovës së Shqipërisë etnike, pavarësisht nga kërkesat e palës shqiptare të Kosovës, që pritet t’i paraqesë në takimet e saj me palën serbe të Serbisë në Bruksel, të monitoruara nga përfaqësuesit e BE-së, Miroslav Lajçak dhe Josep Borrell.

Shqipëria të kërkojë rivendosjen e Dialogut të Brukselit në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së!

Kjo do të ishte e vetmja shpresë reale, që të ndërpritet njëherë e përgjithmonë kërkesa dhe përpjekjet e Serbisë kolonialiste dhe gjenocidale, që Kosovën ta rikthejë në rezervatin e dikurshëm kolonial shekullor (1912-1999).

Pra, as liderët shtetërorë të Prishtinës e as të Tiranës, nuk duhet të shohin “ëndrra në diell” (sikurse deri tani-2011-2018) se me mbështetjen dhe me vazhdimin e Dialogut të Brukselit, Serbia do ta njohë Kosovën si shtet më vete, ashtu sikurse mbi 100 shtete të tjera të OKB-së. Mirëpo, kjo nuk ka ndodhur dhe, nuk do të ndodhë kurrë derisa Shqipëria dhe Kosova nuk kërkojnë nga OKB-ja, nga Amerika, nga BE-ja dhe nga NATO-ja ndëshkimin e kolonializmit dhe të gjenocideve të Serbisë (1912-1999).

Lexo po ashtu:  Haradinaj – ky “Brutusi shqiptar” – Çka ka të përbashkët retorika e Haradinajt nga Gllogjani me retorikën e Brutusit nga Roma e vjetër?

Prandaj, është iluzore dhe naïve të kërkohet dhe të mbështetet Dialogu steril i Brukselit, sepse ai nuk do të sjellë kurrfarë njohjeje të Kosovës, por vetëm copëtimin territorial dhe shtetëror të saj, ose kantonizimin autonom njëetnik të enklavave serbe në Kosovë, që do të thotë krijimin e një minishteti serb, ashtu sikurse “republika serbe” në Bosnjë. Mirëpo, nëse serbëve u njihet autonomia politike dhe territoriale, kjo do të jetë shumë më katastrofike, sesa “republika serbe” (të cilën nuk e njeh bashkësia ndërkombëtare, ngase është krijuar me gjenocid), sepse do të njihet ndërkombëtarisht nga BE-ja dhe nga OKB-ja.

Po qe se do të ndodhë një tragjedi e tillë politike, kombëtare e shtetërore, faktorët politiko-shtetërorë as në Kosovë e as në Shqipëri, nuk do të kenë kurrfarë kapaciteti juridiko-kushtetues dhe ligjor, që ta hedhin poshtë një autonomi të tillë fatkeqe, pa lejen dhe pa pëlqimin e faktorëve ndërkombëtarë (të cilët si nënshkrues dhe ndërmjetësues, do të jenë garantë për zbatimin e saj në terren).

Thjesht, nëse arrihet një marrëveshje e tillë, e cila minoritetit serb në Kosovë i garanton autonomi politike dhe territoriale, këtë nuk do të mund ta anulonin as qeveria e as kuvendi i Kosovës, por vetëm BE-ja, ashtu siç është rasti me Rezolutën 1244 për Kosovën, të cilën mund ta shfuqizojë vetëm Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, jo as kuvendi e as qeveria e Kosovës. Prandaj, ju që e keni hedhur “në shpinë” Kosovën, thuani jo vazhdimit të Dialogut në Bruksel. Ndryshe, çfarëdo opsioni që do t’i imponohet Kosovës, përgjegjësinë, kombëtare dhe shtetërore, do ta merrni ju vetë.

Lexo po ashtu:  Ndërhyrja e ambasadorëve fyen inteligjencën e shqiptarëve

Me qindra here e kemi pohuar e shkruar se, Dialogu i Brukselit, është vetëm në favorin e Serbisë kolonialiste dhe gjenocidale, jo të mbrojtjes së pavarësisë, të territorit dhe të shtetit të Kosovës.

Vazhdimi Dialogut të Brukselit mund të bëhet vetëm nëse populli shqiptar i Kosovës deklarohet me Referendum, ndryshe jo, askush nuk ka të drejtë ligjore e as kushtetuese, që të dialogojë me Serbinë për statusin e Kosovës, sepse ky është mbyllur më 17 shkurt 2008. Kosova është shtet i pavarur dhe sovran. Çdo debat në këtë “temë” në kuadrin e Brukselit, apo gjetkë, s’ka asnjë dyshim se shpie në konflikte dhe luftëra të reja me Serbinë. Prandaj, Dialogu i Brukselit, nevojitet të transferohet në ASMABLENË E PËRGJITHSHME të KOMBEVE TË BASHKUARA, nëse duam vërtet zgjidhjen përfundimtare dhe të drejtë për Kosovën e pavarur, ATËHRË OKB-ja në mënyrë të ligjshme, duke u mbështetur në objektivat dhe në parimet e Kartës së saj, duhet t’i japë fund dominimit kolonial të Serbisë në Ballkan.

Pa zgjidhjen e këtij problemi kolonial shekullor të Serbisë (1912-2021), bashkëpunimi, paqja, siguria dhe stabiliteti në Ballkan kanë karakter të përkoshëm derisa Amerika dhe NATO-ja të jenë prezente në Ballkan.

Së fundi, nëse Serbia dëshiron që t’i normalizojë marrëdhëniet me Kosovën, së pari, duhet ta njohë pavarësinë e saj, duke u bazuar në Kartën e Kombeve të Bashkuara, Neni 1, pika 2, si dhe Neni 55, që përbëjnë bazën e së drejtës së vetëvendosjes dhe parimin sipas të cilit duhet të zhvillohen marrëdhëniet miqësore, mirëkuptimi, bashkëpunimi dhe mirëbesimi ndërmjet vendeve anëtare të Kombeve të Bashkuara, me qëllim të krijimit të stabilitetit, të mirëqenies dhe të paqes së qëndrueshme në dimensione ndërkombëtare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *