Arlind Qori

Në dhjetor u kuptua se në Shqipëri asgjë nuk mund të vazhdonte si më parë. Masiviteti dhe intensiteti i protestave studentore nxorën në pah faktin se rinia universitare, si grupi më përfaqësues i shoqërisë, nuk do të pranonte më koordinatat e vjetra të veprimit dhe mendimit politik. Institucionet publike, madje edhe vetë ideja e përfaqësimit, hynë në krizë të thellë. Demokracia nisi të artikulohej si veprim kolektiv i drejtpërdrejtë, radikal dhe krijues. Mbarë shoqëria gjeti mundësinë të shprehte tëhuajësimin e vet politik, duke u konsideruar zëlart si e papërfaqësuar.

Afërmendsh, në këtë situatë krize të gjitha partitë do të luanin vendit për të marrë me pahir rolin e antisistemorëve të lindur prej hiçit. E filloi Rama kur, pasi i fyeu studentët si ngelës që kërkonin të kalonin me hatrin e presionit kolektiv, u identifikua sa për sy e faqe me kërkesat e tyre. Madje, i shkoi mendja aq larg sa të vetëshpallej në kllapi kreu i revolucionit studentor.

E kapur në kundërkohë, e befasuar dhe pa minimumin e mendimit strategjik, opozitës (PD-LSI) iu deshën disa muaj për të kaluar nga statusi i të pagojit politik, që tenton të fusë duart brenda shumësisë studentore, në atë të imituesit të dobët të antisistematizmit studentor.

PD dhe LSI, si çdo parti tjetër në Shqipëri, janë të vetëdijshme për hendekun e thellë që ekziston midis tyre dhe shoqërisë. Historikisht, partitë e kanë kapur shoqërinë nga lart, pa u lidhur organikisht me grupet e mëdha të saj. Në vend të përfaqësimit të interesave të këtyre grupeve dhe hegjemonizmit shoqëror përmes ideologjish vitale, ato janë mbajtur në këmbë nëpërmjet ndarjes së pasurisë publike me oligarkët dhe mbajtjes në këmbë të një rrjeti klientelist të mbështetur në punësime (në administratën shtetërore dhe bizneset afër tyre). Të tillë rrjetë kanë ditur, hera-herës, ta sheqerosin me ideologji të vdekura që u thërrasin njerëzve në emër të nostalgjisë, duke zhvilluar imagjinarisht në të sotmen betejat e një të shkuare gjithnjë e më të largët.

Në këto kushte, partive opozitare u nevojitej një gjest i fortë, që ata shpresonin (dhe ende shpresojnë) se do ta ngushtonte sadopak hendekun e besimit midis tyre dhe shoqërisë. I vetmi gjest i pakryer më parë në historinë institucionale të Shqipërisë ishte djegia e mandatave parlamentare. Dhe, sigurisht, kërcënimi se, në rast mosplotësimi të kërkesave, ata do të bojkotojnë dhe ndoshta pamundësojnë fizikisht zhvillimin e zgjedhjeve lokale të qershorit.

Lexo po ashtu:  Sukses, Trusti nuk kalon: Primitivizmi antishtetëror i opozitës në Kosovë!

Më e pakta që mund të thuhet është se gjesti i opozitës është interesant. Me të, ata e kanë çuar krizën e legjitimitetit që prodhuan studentët një hap më tutje. Njëri krah i sistemit të kalbur politik po kërcënon të dalë formalisht nga ky sistem. Ç’natyrë ka kjo dalje? Afërmendsh, jo atë të katharsisit politik, të pamundur për parti të tilla, por të vetëvrasjes politike. Opozita duket se ka vënë në kokë pistoletën dhe po e kërcënon Ramën me vetëvrasje, nga e cila do të fundosej në një moment të dytë edhe vetë PS-ja. Ekuilibri politik mes palëve ka qenë kaherë burimi i stabilitetit të këtij sistemi. Mund të abuzohej me popullin vetëm nëse oligarkëve u krijohej përshtypja se ndryshimi i pushtetit nuk do të sillte ndryshim të politikave, kurse popullit i ushqehej iluzioni i ndryshimit përderisa kishte më shumë se një parti në një sistem relativisht konkurrues.

Arsyeja pse opozita kërkon jo vetëm zgjedhje të parakohshme, por edhe dorëheqjen e Ramës, si kusht i hyrjes në çfarëdo procesi zgjedhor, lidhet më mënyrën se si janë strukturuar marrëdhëniet midis pushtetit politik, në njërën anë, dhe oligarkisë ekonomike e krimit të organizuar, në anën tjetër. Deri vonë, oligarkët dhe kriminelët e mëdhenj e kanë shpërndarë mbështetjen në mënyrë pak a shumë të barabartë midis palëve. Mirëpo, i mbështetur në një parti historikisht më të madhe dhe të organizuar si PS dhe në fitoren me hir e pahir të zgjedhjeve lokale të 2015 dhe kombëtare të 2017, Rama ka krijuar mes oligarkëve dhe kriminelëve përshtypjen se ai është partneri i vetëm me të cilin mund të merren vesh. Me sa duket, kjo ka sjellë një shpërpjesëtim të mbështetjes, ku qeveria është mjaft më e avantazhuar se opozita

Natyrisht, opozita nuk ka as vullnetin, as idetë, as mundësinë për ta sulmuar këtë sistem në themel. Ajo e di se për partitë e vjetra ka vetëm një rrugë pushteti: partneriteti me oligarkët dhe krimin e organizuar. Prandaj, presioni i tyre dhe kërkesa për dorëheqjen e Ramës synon t’u dërgojë të mësipërmve mesazhin se ata janë partnerë njëlloj të besueshëm dhe “tepsia” e famshme duhet rindarë përgjysmë.

Rrjedhimisht protestat e opozitës, pavarësisht dukjes së mirëkuruar, nuk janë mirëfilli të dhunshme. Këtu nuk e kam fjalën vetëm për antisistematizmin e munguar të tyre, por edhe për atë që mund të quhet stisje e dhunës fizike gjatë protestave. Pavarësisht se nga zyra e Ramës deri në Bruksel e Uashington duket se shqetësohen për dhunën, në të vërtetë në protestat e opozitës niveli i dhunës është i mirëkontrolluar, ka një fushëveprim shumë të ngushtë dhe kryesisht synon të shmangë njerëzit e t’u drejtohet më shumë xhamave e mureve. Nëse i shihni me kujdes, pjesa më e madhe e protestave përfundojnë me të shtyra të telekomanduara midis dhjetëra protestuesve dhe policëve. Shumica dërrmuese e të parëve dhe të dytëve thjesht bëjnë sehir. Pas pak tentativave disaminutëshe, palët kthehen në shtëpi duke premtuar se herën tjetër do të bëjnë namin.

Lexo po ashtu:  Perëndimi është tashmë në luftë me Rusinë

Në protestat e përpara 15-20 viteve – të cilat, ndonëse mund të ishin të iniciuara politikisht, mblidhnin një mllef të madh popullor – protestuesit e kishin zakon që ndjenjën e revoltës ta derdhnin jo vetëm kundër mureve të një institucioni publik, por edhe ndaj dyqaneve apo makinave luksoze. Në kushtet e sotme, një protestë mirëfilli i dhunshme – e ngjashme me ç’ndodh në kryeqendrat e Evropës Perëndimore – nuk do të linte mangut bankat apo qendrat tregtare. Fakti që diçka e tillë as ndodh, as imagjinohet të ndodhë, tregon se ajo pak dhunë që ushtrohet jo vetëm është e stisur dhe e kontrolluar nga lart, por edhe shërben si monedhë këmbimi politik në lojën e palëve për fatet e tepsisë. Fundja, nëse dhuna del jashtë kontrollit dhe merr karakterin e një zhakërie moderne, ku njerëzit u sulen edhe lagjeve me mure të larta të pasanikëve, bashkë me qeveritarët do ta pësonin edhe vilat e opozitarëve të sotëm.

Ecim më tutje. Midis interesave të opozitës dhe ligjërimit të saj publik po krijohet një hendek që po merr trajtën e kontradiktës. Për t’u pranuar në shoqëri, opozitës i duhet ta radikalizojë gjuhën e saj, ndërsa për t’u pranuar në tavolinën e të fortëve duhet të japë mesazhe të koduara se, pavarësisht ndryshimeve, në fund asgjë nuk ka për të ndryshuar. Kështu, opozitës i duhet të flasë për arsim publik falas, luftë ndaj krimit të organizuar, mposhtje të oligarkëve, një sistem të ri politik, ndryshime kushtetuese, sistem të ri zgjedhor, lehtësim të regjistrimit të flukseve të reja politike, por pa specifikuar gjë. Për këtë arsye kërkon të krijojë ura me grupet e të ashtuquajturës shoqëri civile. Mirëpo, paradoksalisht, e vetmja mundësi që presioni i opozitës të mos krijojë vetëm ndarje të tepsisë, por edhe reforma politike të domosdoshme, buron nga perceptimi i dobësisë së saj. Sa më e dobët të ndihet ajo, aq më pak i duket se ka për të humbur politikisht dhe aq më e hapur do të jetë që të sakrifikojë interesat e saj afatgjatë në emër të mbijetesës politike të tanishme.

Lexo po ashtu:  Policia është e Kosovës

Sidoqoftë, hëpërhë, ashpërsimi i konfliktit të vjetër partiak duket se e ka lënë të pagojë shoqërinë. Pas ezaurimit të fazës së parë të protestës studentore dhe pamundësisë së grupeve të tjera shoqërore për të artikuluar në mënyrë të pavarur nevojat e tyre, partitë mundën ta riafirmonin hegjemoninë e tyre politike, duke e ngushtuar sërish fushëbetejën politike midis tyre. Duopoli i parasë, mediave dhe pushtetit ua jep përkohësisht këtë përparësi. Po fuqitë e tyre janë të ezaurueshme. Dita e zgjedhjeve lokale po afron. PD-ja dhe LSI-ja po luajnë gjithçka në këto pak muaj që na ndajnë nga zgjedhjet lokale. Bojkotimi i tyre do të kishte një kosto të jashtëzakonshme për ta. Ndryshe nga djegia e mandateve parlamentare, bojkotimi i zgjedhjeve lokale nënkupton se qeveria do të marrë pushtetin në të gjitha bashkitë. Kjo mund të përbëjë një fitore të vogël ideologjike për opozitën, pasi do të krijohej përshtypja e një shteti autoritar ku të gjitha pushtetet janë në dorë të Ramës. Por, nga ana tjetër, do të nënkuptonte humbjen e qendrave të rëndësishme pushtetore. Bashkitë administrojnë para, të cilat i duhen partisë. Po ashtu, punësojnë mijëra njerëz, të cilët në një sistem politik klientelist janë shtylla kurrizore e partisë, më të devotshmit në veprimtari politike.

Nëse Rama ia del t’i njohë ndërkombëtarisht zgjedhjet lokale, opozita nuk do të ketë mundësi t’i rezistojë procesit të shpërbërjes së brendshme, çka do të afronte në kohë shpërbërjen e vetë PS-së. Nëse arrin në kohë marrëveshje për ndarjen e tepsisë, e gjithë veprimtaria e saj “radikale” e këtyre muajve do të përfundonte në kosh, çka do të shuante edhe iluzionin e fundit mbi mundësitë vetërregulluese të sistemit politik. Në të dyja rastet, sistemi politik shqiptar do të hynte në një fazë edhe më të thellë krize legjitimiteti. Kur ujërat e pushtetit turbullohen, një ditë e re po troket për popullin. 
/MekuliPress.com/ 
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *