Gazetari dhe redaktori i njohur serb, Dejan Anastasijeviq, ka vdekur të mërkurën, pas një sëmundjeje të rëndë, kanë raportuar mediat në Serbi.

Anastasijeviqi, i cili së fundi ka punuar për BBC-në në gjuhën serbe, është i njohur për raportimet e tij nga koha e luftës, përfshirë ato nga Kosova, për shkak të të cilave ka qenë vazhdimisht cak i pushtetit në Beograd.

Karrierën e tij gazetareske e ka nisur në Radion B92, ndërsa luftërat në territorin e ish-Jugosllavisë i ka përcjellë si gazetar i revistës amerikane me renome “Time” dhe javores politike serbe “Vreme”.

Në pranverë të vitit 1999, në kohën e bombardimeve të NATO-s, është detyruar të largohej nga Beogradi për në Vjenë, për shkak se ishte i shënjestruar nga regjimi i Slobodan Milosheviqit.

Në Beograd është kthyer pas rënies së Milosheviqit, ndërsa ka qenë edhe dëshmitar kundër tij në procesin për krimet e luftës të kryera në Kosovë, para Tribunalit të Hagës.

Në prill të vitit 2007 ka qenë cak i dy atentateve me bomba në Beograd, të cilat vetë ai ka dyshuar se ishin për shkak të shkrimeve dhe dëshmive të tij për krimet e luftës që kanë kryer serbët, para së gjithash ato, të cilat janë ndërlidhur me Vojislav Sheshelin dhe Jovica Stanishiqin.

Lexo po ashtu:  Horoskopi javor 15-21 mars - Nëse javën e kaluar ka pasur shqetësime në dashuri nuk është rasti të këmbëngulni. Lajme të mira në punë

Për shkrimet e tij nga viti 1998, në të cilat ka ekspozuar krimet serbe ndaj shqiptarëve të Kosovës, është paditur nga regjimi i Milosheviqit nën akuzën se “po përhap dezinformata dhe po i ndihmon terroristët”.
/MekuliPress.com/ 
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *