Nga Shaban Murati

Nuk e di cili profan e ka shkruar komunikatën zyrtare të Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë të datës 1 janar 2022 me titull “Shqipëria nis sot zyrtarisht mandatin dy vjeçar në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”, ku shkruhet e zezë mbi të bardhë se “Shqipëria do ta përdorë këtë mundësi për të avancuar çështjen e Kosovës”.

Të flasësh sot për “çeshtje të Kosovës” është një gabim i rëndë diplomatik, politik, kombëtar, historik dhe kulturor, edhe për një njeri të thjeshtë në Shqipëri dhe në Kosovë, pa le më për Ministrinë e Jashtëme të Shqipërisë, për të cilën mund ta klasifikosh gafë skandaloze profesionale.

Është e pafalshme që në komunikatën zyrtare të dikasterit kryesor të diplomacisë dilet dhe flitet publikisht për një të ashtuquajtur ”çeshtje të Kosovës”, një çeshtje jo vetëm inekzistente, por edhe një artifis diplomatik dhe prokovim konstant antishqiptar serbo-rus.

A nuk e di Ministria e Jashtëme e Shqipërisë atë që e di gjithë bota diplomatike e qytetëruar se “çeshtja e Kosovës” është e zgjidhur prej kohësh dhe që për “çeshtje të Kosovës” flasin vetëm ato shtete dhe ato diplomaci, që nuk janë dakord me shtetin e pavarur të Kosovës si zgjidhje përfundimtare e asaj “çeshtjeje”?

Ministria e Jashtëme e Shqipërisë duhet ta ketë dëgjuar ose lexuar që zgjidhja e “çeshtjes së Kosovës” përfundoi në 17 shkurt 2008, kur Kosova u shpall shtet i pavarur dhe sovran me shprehjen e vullnetit masiv unanim të popullit të Kosovës nga organi më i lartë legjislativ demokratik, parlamenti i Kosovës, dhe me përkrahjen e fuqishme të shteteve më të mëdha demokratike të botës me në krye SHBA.

Ministria e Jashtëme e Shqipërisë duhet ta ketë dëgjuar ose lexuar që zgjidhjen e të ashtuquajturës “çeshtje të Kosovës” e mbylli dhe e vulosi përfundimisht verdikti i tribunalit më të lartë juridik të OKB, Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në 22 korrik 2010 me vendimin që pavarësia e shtetit të Kosovës është në përputhje me ligjet ndërkombëtare dhe me rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB.

MPJ e Shqipërisë duhet ta dijë se shteti i pavarur i Kosovës është njohur nga rreth 120 shtete anëtare të OKB, përfshirë shtatë shtetet kryesore më demokratike dhe më të zhvilluara të botës të grupit G7, çka përbën shkallën e tretë të konfirmimit diplomatik ndërkombëtar të zgjidhjes së “çeshtjes së Kosovës”.

Ajo, që e bën më skandaloz qendrimin e ri të MPJ të Shqipërisë për një të ashtuquajtur “çeshtje të Kosovës”, është fakti se as tre shtetet e mëdha perëndimore anëtare të përherëshme të KS të OKB: SHBA, Britani e Madhe dhe Francë, as shtetet e grupit perëndimor G7, nuk flasin kurrë për ndonjë të ashtuquajur “çeshtje të Kosovës”.

Nuk ka një dokument zyrtar kolegjal të NATO-s dhe të BE, që të flasë për “çeshtje të Kosovës”. Për Perëndimin, ku duhet të bëjë pjesë Shqipëria, nuk ekziston “çeshtje e Kosovës”, sepse ajo është tashmë e zgjidhur me shtetin e pavarur të Kosovës.

Këtë realitet të ri politik, diplomatik dhe gjeopolitik të zgjidhjes se “çeshtjes së Kosovës” nuk e njohin dhe nuk e pranojnë Serbia dhe Rusia, të cilat vazhdojnë të mos i binden vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për pavarësinë e Kosovës dhe vazhdojnë të flasin për “çeshtje të Kosovës”, sepse sipas tyre nuk është zgjidhur ende.

Lexo po ashtu:  Kur shteti harron themeleuesin e vetë, Ismail Qemal Vlorën

Flet çdo ditë për të ashtuquajturën “çeshtje të Kosovës” ambasadori i Rusisë në Beograd, flet ministri i jashtëm i Serbisë dhe i Rusisë, flet presidenti i Serbisë dhe i Rusisë. Flasin Serbia dhe Rusia për “çeshtje të Kosovës”, sepse ato e quajnë të pazgjidhur ende, ngaqë Serbia konsideron “zgjidhje” rikthimin e Kosovës në koloni serbe, kurse Rusia ka interesin strategjik të vazhdimit pafund të krizës jugosllave dhe të tensioneve në Ballkan, të cilat e sanksionojnë Moskën si lojtare në tryezën e ngushtë ndërkombëtare të tratativave për Ballkanin.

Ndaj diplomacia serbe dhe ruse zhurmojnë pareshtur në forumet dhe në arenën ndërkombëtare për një të ashtuquajtur ”çeshtje të Kosovës”. Diplomacia amerikane dhe atlantike e kanë refuzuar dhe injorojnë këtë qendrim absurd serbo-rus.

Ajo, që e bën më të dëmshëm dhe më të rrezikshëm qendrimin e MPJ të Shqipërisë për ekzistencën e një të ashtuquajture “çeshtje të Kosovës”, është fakti që ajo e përkufizon si porosi dhe detyrë kryesore të veprimtarisë së Shqipërisë për mandatin e anëtarit jo të përherëshëm të KS të OKB “avancimin e çeshtjes së Kosovës”.

Çfarë avancimi mendon t’i bëjë Shqipëria “çeshtjes së Kosovës” në KS të OKB, kur ajo është çeshtje e zgjidhur dhe nuk ekziston? Çfarë, si dhe pse kërkon Shqipëria të ngrejë në OKB “çeshtjen e Kosovës”, kur atë nuk e kanë ngritur, sepse e quajnë të zgjidhur, SHBA, Britania e Madhe dhe Franca, tre anëtarët e përhershëm të KS të OKB? Do të përbënte një akt vetëvrasës diplomatik dhe njëkohësisht antikombëtar, nëse i dërguari i Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit në cilësinë e antarit jo të përhershëm, që i takon rradha në qershor 2022 të kryesojë për një muaj Këshillin e Sigurimit, do të ngrihej dhe do të fliste per “çeshtjen e Kosovës” dhe të bënte ndonjë propozim antishqiptar për të futur në rendin e ditës të Këshillit të Sigurimit të ashtuquajturën “çeshtje të Kosovës”. Kjo do ta bënte zyrtarisht Shqipërinë aleate të Rusisë dhe të Serbisë për zhbërjen e shtetit të pavarur të Kosovës.

E ashtuquajtura “çeshtje e Kosovës” është kurth diplomatik vdekjeprurës ruso-serb për të mbytur pavarësinë dhe lirinë e Kosovës. Rusia dhe Serbia këmbëngulin se ka një “çeshtje të Kosovës” të pazgjidhur dhe çdo javë e çdo muaj propozojnë që të rikthehet për diskutim në KS të OKB e ashtuquajtura “çeshtje e Kosovës”.

Kjo kërkesë absurde e diplomacisë ruse dhe serbe është hedhur poshtë me vendosmëri nga diplomacia perëndimore e tre shteteve të mëdha perëndimore, anëtare të përhershme të KS të OKB. Për tri fuqitë e mëdha perëndimore anëtare të përhershme të KS të OKB “çeshtja e Kosovës” është mbyllur me pavarësimin e Kosovës dhe me verdiktin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për përputhjen e aktit të pavarësimit të Kosovës me ligjin ndërkombëtar dhe me rezolutën 1244 të KS të OKB.

Befas në 1 janar 2022 në mënyrën më të habitëshme të mundëshme del MPJ e Shqipërisë me një qendrim zyrtar absurd dhe paraqet si drejtim kryesor të misionit të mandatit të Shqipërisë si anëtare jo e përhershme e KS të OKB promovimin e të ashtuquajturës “çeshtje të Kosovës”.

Duket si surreale, por fakti është se ky qendrim çfaqet si zbatim i një misioni diplomatik antishqiptar ruso-serb. Sepse Rusia dhe Serbia tani, në eventualitetin e ndonjë idiotizmi diplomatik shqiptar të ngritjes në KS të OKB të “çeshtjes së Kosovës”, mund të çarmatosin diplomacinë perëndimore në KS të OKB, duke argumentuar se promotori i hapjes së “çeshtjes së Kosovës” janë vetë Shqipëria dhe shqiptarët.

Lexo po ashtu:  Reagim ndaj artikullit të psikologut Batjar Halili, „Etër e bij - dy botëra përballë njëra tjetrës“

Duke punuar për një kohë shumë të gjatë në shërbimin diplomatik dhe duke pasur parasysh mungesën e formimit profesional të tufave të militantëve, që sillte nga rruga në Ministrinë e Jashtëme çdo parti, që vinte në pushtet, dhe sidomos duke pasur parasysh ndikimin e lobit serb në Ministrinë e Jashtme të Shqipërisë, në mënyrë të vazhdueshme kam ngritur zërin dhe kam tërhequr vëmendjen që diplomacia dhe diplomatët shqiptarë duhet të ruhen nga kurthi diplomatik serbo-rus për një të ashtuquajtur “çeshtje të Kosovës”.

Kjo nuk është çeshtje terminologjike, por çeshtje parimore e qendrimit strategjik ndaj pavarësisë, lirisë dhe shtetit sovran të Kosovës. Në librin tim “Kalvari diplomatik i shtetit të Kosovës” kam shkruar: ”Rusia dhe Serbia duan të rikthejnë prapë në OKB bisedimet midis Serbisë dhe Kosovës. Rusia dhe Serbia duan të zhbëhet njohja e pavarësisë së Kosovës. Përmbajtja e nismave dhe propozimeve të Vuçiçit është për ta “zgjidhur” çeshtjen e zgjidhur të Kosovës nëpërmjet eleminimit të pavarësisë së saj.

Nga pikëpamja legale Kosova është një çeshtje e zgjidhur”. (v.2018, fq.279-295). Në librin tim “Vetëvrasja diplomatike e Kosovës dhe e Shqipërisë” kam shkruar: “Diplomacia ruse po kërkon të rikthejë mbrapa historinë dhe flet sot për “çeshtje të Kosovës” në një kohë që nuk ka “çeshtje të Kosovës”. Qeveritë në Kosovë duhet të shprehen me forcë kundër idesë ruse të rikthimit të ”çeshtjes së Kosovës” në KS të OKB. Duhet të shprehet kundër me forcë edhe qeveria e Shqipërisë si shtet anëtar i OKB”.(v.2021, fq.269).

Kushdo që flet për ekzistencën e “çeshtjes së Kosovës”, kushdo që flet për hapjen në Këshillin e Sigurimit të OKB të të ashtuquajturës “çeshtje të Kosovës”, don të thotë se nuk është dakord me zgjidhjen e drejtë, që pati kjo çeshtje me krijimin e shtetit të pavarur të Kosovës në vitin 2008.

Sado indulgjent që të tregohesh, është tepër e vështirë që ta konsiderosh gafën e rëndë të Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë si lapsus i një profani, që shkroi komunikatën e 1 janarit 2022 dhe, për shkak të formimit të gjymtë profesional, ngatërroi terminologjinë. Duket një intrigë më e madh dhe më e rrafinuar futja e të ashtuquajturës “çeshtje të Kosovës” si detyrë kryesore e mandatit të Shqipërisë si anëtare jo e përhershme në KS të OKB.

Nuk mund të mos e lidhësh këtë me rritjen graduale të ndikimit të Serbisë në diplomacinë dhe në politikën e jashtme të Shqipërisë, sepse Shqipëria ka tre vjet që po adopton si të sajat njerën pas tjetrës disa teza të rrezikëshme serbe lidhur me Kosovën. Ndaj shfaqjen e të ashtuquajturës “çeshtje të Kosovës” si detyrë e diplomacisë së Shqipërisë në KS të OKB nuk mund të mos e shohësh si vazhdim i kësaj linje antishqiptare të adoptimit të tezave dhe qendrimeve serbe në politikën e jashtëme të Shqipërisë.

Në Ministrinë e Jashtme të Shqipërisë duhet ta dinë dhe ta kenë lexuar se e vetmja çeshtje që ekziston është ajo e normalizimit të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, për të cilën është nisur prej 10 vitesh dialogu midis dy vendeve në Bruksel me ndërmjetësimin e BE.

Lexo po ashtu:  Dy dështimet e Presidentit Meta

Ai është një dialog, që pret mbylljen me formulën e njohjes reciproke midis dy shteteve, siç e ka përcaktuar shumë qartë presidenti i SHBA, Xho Bajden, në mesazhin e shkruar drejtuar presidentit serb në shkurt të vitit të kaluar. Një marrëveshje përfundimtare midis Kosovës dhe Serbisë me njohjen reciproke midis tyre është çeshtje e marrëdhënieve dypalëshe për të cilën nuk ka punë fare Këshilli i Sigurimit i OKB.

Shqipëria mund të japë kontribut si anëtare jo e përherëshme e KS të OKB në disa drejtime. Shqipëria mund të shfrytëzojë mandatin e saj të ri në funksion të nxitjes së procesit të njohjeve ndërkombëtare të Kosovës. Ka disa shtete, që nuk e njohin Kosovën, dhe të cilët kanë e do të kenë çeshtje të hapura në KS të OKB dhe rrjedhimisht kanë e do të kenë interesa për votën e Shqipërisë në KS të OKB. Shqipëria ka hapësirën ta përdorë të drejtën e votës për të kërkuar nga njeri apo tjetri shtet nevojtar për votë njohjen e shtetit të Kosovës.

Deri tani është e pamundur të thuhet se ka një shtet të vogël apo të mesëm që ta ketë njohur Kosovën nën ndikimin e Shqipërisë. Mandati i ri i saj si anëtare jo e përhershme e KS të OKB i jep një pushtet të ri diplomatik, sepse i krijon mundësinë që të bëjë trading, siç thuhet në diplomaci, me shtete të vogla dhe të mesme, që do të kenë interes për votën shqiptare për çeshtje të tyre, që pritet të trajtohen në KS të OKB.

Diplomacia shqiptare mund ta konsiderojë mandatin e saj të ri në KS të OKB si pjesëmarrje në bursën diplomatike ndërkombëtare, ku ajo mund të luajë me çmimin e votës së saj me shtetet e vogla dhe të mesme me objektivin e arritjes së njohjeve të reja ndërkombëtare për shtetin e Kosovës.

Shqipëria si anëtare jo e përherëshme e KS të OKB duhet të përpiqet që të realizohet objektivi i largimit nga Kosova të misionit të kapërxyer të UNMIK-ut. Ky është qendrim zyrtar i SHBA, i Britanisë së madhe, i Kosovës, etj, pra Shqipëria e ka terrenin dhe detyrën që të lobojë në KS të OKB për mbylljen dhe largimin e misionit të UNMIK-ut nga Kosova.( Më gjërë shih: gazeta “Dita”, 13.6.2019).

Ministria e Jashtëme e Shqipërisë duhet menjëherë të gjejë formën e duhur publike dhe diplomatike për të përgënjeshtruar qendrimin e gabuar skandaloz të komunikatës së saj të 1 janarit 2022 për të ashtuquajturën “çështje të Kosovës”.

Ministria e Jashtëme duhet t’u dërgojë qarkore sqaruese të gjitha misioneve diplomatike të Shqipërisë nëpër botë për të përkufizuar saktë dhe prerazi qendrimet e drejta lidhur me mbrojtjen e interesave të shtetit të Kosovës përballë intrigave bizantine ruso-serbe kundër Kosovës në forumet dhe në arenën ndërkombëtare. Nuk ka “çeshtje të Kosovës”, siç nuk ka as “çeshtje të Shqipërisë”, në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Ka interesa të përbashkëta jetike të kombit shqiptar dhe të të dy shteteve shqiptare, që duhet të bashkojnë forcat dhe të koordinohen në planin diplomatik ndërkombëtar për të fuqizuar njeri-tjerin dhe rolin e faktorit shqiptar në rajon dhe në Europë.

Ky është rast i artë diplomatik për t’u shfrytëzuar nga Shqipëria për Kosovën gjatë mandatit të ri në KS të OKB.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *