Këshilli Prokurorial i Kosovës ka reaguar pas kritikës nga Ambasada e Amerikës në lidhje me hapjen e konkursit për Kryeprokuror të Shtetit.

Ata kanë deklaruar se do të ftojnë partnerët ndërkombëtarë për monitorim, me qëllim që të jetë sa më transparente zgjedhja e Kryeprokurorit të ri të Republikës së Kosovës.

“Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), më 12 janar 2022, në takimin e 208-të me radhë të tij, duke respektuar afatet ligjore, respektivisht Rregulloren nr. 06/2019 për emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit dhe kryeprokurorëve të prokurorive të Republikës së Kosovës, e cila përcakton që konkursi shpallet së paku 90 ditë para skadimit të mandatit të Kryeprokurorit aktual të Shtetit, ka marrë vendim për shpalljen e Konkursit për zgjedhjen e Kryeprokurorit të ri të Shtetit. KPK-ja i ka njoftuar me kohë të gjithë partnerët ndërkombëtarë dhe vendorë me agjendën e takimit të 208 të saj, ku ishte caktuar si pikë e rendit të ditës propozimi për shpalljen e Konkursit për zgjedhjen e Kryeprokurorit të ri të Shtetit”, thuhet në komunikatë.

Lexo po ashtu:  10 gjëra që s’dini mbi gënjeshtrat!

Po ashtu, bëhet e ditur se Këshilli Prokurorial i Kosovës, “ashtu siç ka marrë vendim për shpalljen e konkursit, duke u bazuar në afatet ligjore, do të vazhdojë të gjitha procedurat deri në zgjedhjen e Kryeprokurorit të ri, duke respektuar ligjet dhe aktet e tjera nënligjore që rregullojnë këtë proces”.

“Po ashtu, Këshilli Prokurorial i Kosovës, sikurse në proceset e tjera, edhe në këtë proces do të ftojë partnerët ndërkombëtarë për monitorim, me qëllim që të jetë sa më transparente zgjedhja e Kryeprokurorit të ri të Republikës së Kosovës. Këshilli Prokurorial i Kosovës vlerëson lart mbështetjen e vazhdueshme që po japin partnerët ndërkombëtarë, andaj edhe do të vazhdojë të bashkëpunojë për të gjitha proceset e sistemin prokurorial të Kosovës, me qëllim të fuqizimit dhe ngritjes së vazhdueshme të efikasitetit të këtij sistemi”, thuhet në komunikatë.

Ndryshe, Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë, ka reaguar pasi Këshilli Prokurorial i Kosovës ka shpallur konkurs për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit.

Përmes një postimi në Facebook, nga kjo ambasadë kanë thënë se kanë qenë duke pritur përgjigje nga KPK, pasi kanë ofruar mbështetje në rekrutimin për këtë pozitë.

Lexo po ashtu:  Kurti, Rama dhe zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut

“Ambasada Britanike ka vite që mbështet Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK). Së fundmi, kemi ofruar mbështetje edhe për rekrutimin e pozitës së Kryeprokurorit të Shtetit. Përderisa ne ishim duke pritur përgjigje nga KPK, vendimi i djeshëm për ta shpallur pozitën pa mbështetjen tonë, ishte befasues. Edhe përkundër faktit se një mundësi për të dëshmuar partneritet dhe transparencë u humb, presim që KPK të zhvillojë proces rekrutues të mirë, transparent dhe meritor”, thuhet në reagimin e tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *