Jonny Thomson *
Ushtria romake ishte ndër forcat ushtarakisht më efektive dhe më të suksesshme që ka njohur ndonjëherë bota. Në tokë, legjionet romake ishin të pamposhtura. Por Perandoria Romake nuk u ndërtua vetëm mbi gjeninë ushtarake dhe forcën e shpatave. Legjionet mund ta mundnin një popull, por nuk mund ta nënshtronin. Por dashuria për luksin dhe jetesën e lehtë e bëri pa shumë vështirësi.
Britanikët, vë në dukje Tacitus, ishin skllevër, jo në kuptimin e mungesës së lirisë, por skllevër të dëshirës për verë të mirë dhe darka elegante. Në fakt, guvernatori i Britanisë, Agricola, u përpoq qëllimisht ta qetësonte këtë shoqëri luftëtarësh fisnorë me anë të “shpërqendrimeve të lezetshme” si banjot e ngrohta, togat dhe shkollimi. “Britanët naivë i përshkruan këto gjëra si “civilizim”, kur në fakt ato ishin thjesht një pjesë e skllavërisë së tyre”, shkruan Tacitus.
Komoditeti dhe leverdia i kthyen luftëtarët e egër në civilë të qetë e shtruar. (Duhet të theksohet se Tacitus mund edhe ta ketë ekzagjeruar pak. Britania nuk ishte kurrë aq e bindur sa Franca apo Spanja në Perandorinë Romake.)
Megjithatë, përdorimi i luksit për të fituar mbi një popull është një taktikë e ndjekur shpesh. E përballur me një deficit tregtar me Kinën, Perandoria Britanike e mbushi vendin me opium të lire, të mbërritur nga India. Kjo drogë luksoze u bë varësi dhe britanikët e këmbenin opiumin e tyre me porcelan, çaj dhe mëndafsh.
Edhe Lufta e Ftohtë u fitua falë joshjes së luksit. Kur televizorët dhe frigoriferët e lirë amerikanë hynë në masivisht në Bashkimin Sovjetik, qytetarët e këtij të fundit filluan t’i shihnin këto elektroshtëpiake “luksoze” si thelbësore dhe vetëm SHBA mund t’u jepte.
Por shembulli më i afërt për shumicën prej nesh sot është marrëdhënia jonë me kompanitë Big Tech. të tilla si Facebook, Apple dhe Google e lidhin ngadalë dhe me siguri jetën tonë në algoritmet dhe platformat e tyre. Mediat sociale janë të dizajnuara dhe të kalibruara për të krijuar qëllimisht varësi. Shërbimet që kursejnë kohë ose para, si ruajtja në cloud, janë bërë kaq universale, saqë kthimi prapa po bëhet i pamundur. Po bëhet gjithnjë e më e zakonshme që ne të mos i mbajmë mend fjalëkalimet tona – ua kemi lënë smartfonëve ose aplikacioneve tona t’i shpikin dhe të na i ruajnë.
Një teknologji ose shërbim i ri është fillimisht një luks – derisa të bëhet aq normal dhe i përhapur kudo, aq thelbësor – sa nuk mund të kthehemi pas në kohën para se të shfaqej. Ajo që dikur ishte një “dëshirë” bëhet “nevojë”.
Novela e E.M. Forster, “Kur makineria ndalon”, imagjinon një botë ku çdo aspekt i jetës sigurohet nga “kompjuteri”. Ka butona “për të kërkuar ushqim, muzikë, veshje, banjë të nxehtë, literaturë dhe, natyrisht, komunikim me miqtë”. Sa parashikuese ka rezultuar kjo? Sot, ne kemi Uber, Skype, Hello Fresh dhe Amazon Prime. Miqtë dhe familja janë gjithashtu të regjistruar në këtë botë virtuale.
A është e mundur të shkëputesh?
Edhe pse ne e shohim teknologjinë si çliruese, në të njëjtën kohë, ajo na mbyll në njëfarë kutie. Nëse i besojmë Tacitit, tani jemi të skllavëruar nga gjërat që dikur i shihnim si luks. Është detyrë e filozofisë t’i shohë këta zinxhirë për atë që janë. Dhe, ndërsa e shohim jetën në këtë këndvështrim, atëherë ne mund të zgjedhim ta mbajmë këtë luks me kënaqësi ose të fillojmë udhëtimin e gjatë të vështirë për t’u çliruar prej tij.
*Profesor i filozofisë në Universitetin e Oksfordit, autor i “Mini Philosophy: A Small Book of Big Ideas”