Bordi i Radio Televizionit të Kosovës (RTK), ka shkarkuar të mërkurën mbrëma drejtorin e përgjithshëm të mediumit publik, Ngadhnjim Kastrati.

Sipas njoftimit të Bordit të RTK-së, Kastrati është shkarkuar me nëntë vota pro dhe asnjë kundër.

“Vendimi për shkarkim bazohet në shkeljet e shumta të Ligjit për RTK-në dhe akteve tjera nënligjore të bëra në RTK gjatë mandatit të z. Kastrati. Bordi i RTK-së konstatoi neglizhencë të Drejtorit të Përgjithshëm ndaj parregullsive, keqpërdorimeve, mospunës, nepotizmit, degradimit, raportimit të vazhdueshëm të anshëm e jo objektiv të transmetuesit publik të Kosovës. Bazuar në të gjitha këto shkelje, për Bordin e RTK-së ka qenë e pamundur vazhdimi i konsolidimit të reputacionit të RTK-së dhe funksionimit të tij me z.Kastrati si Drejtor i Përgjithshëm”, thuhet në njoftim.

Ndërkohë, sipas komunikatës së Bordit të RTK-së, mediumi publik numëron 765 punonjës të rregullt dhe se ish-drejtori funksionimin e njësive kryesore të RTK-së e kishte bazuar te punonjësit me kontrata për shërbime.

“Deri më 31 dhjetor të vitit 2021, RTK-ja ka pasur 239 persona të angazhuar me kontrata për shërbime. Shumë prej tyre janë angazhuar për punët më esenciale të funksionimit të RTK-së, si: gazetarë, kameramanë, montazherë, punëtorë të sigurimit, etj. Për më tepër, z. Kastrati e ka konfirmuar përmes kanaleve zyrtare se funksionimi i shumë njësive të RTK-së varet nga personat e angazhuar me këto kontrata”, thuhet në njoftim.

Lexo po ashtu:  Kush është Julius Von Boné, avokati i Salih Mustafës që e bëri paralajmërimin e madh në Gjykatën Speciale

Kastrati, përgjatë gjithë mandatit të tij ka dështuar të hapë konkurse për të rekrutuar punëtorët e nevojshëm për funksionimin siç duhet të RTK-së. Në mungesë të konkurseve, janë angazhuar persona të cilët nuk i janë nënshtruar vlerësimeve rekrutues. Kontratat për shërbime janë vazhduar pa një vlerësim të performancës së të angazhuarve.

Nga ana tjetër, Bordi është i shqetësuar për të drejtat e punës të personave që janë angazhuar me këto kontrata. Bazuar në kontratat e punës, kjo formë e angazhimit nuk parasheh pushimet dhe përfitimet e tjera që i garanton Ligji i Punës për punëtorët. P.sh., ka pasur raste kur pushimi i lehonisë nuk i është njohur grave të punësuara me kontrata për shërbime. Ka të angazhuar me kontrata për shërbime, që përmes emailit i kanë shkruar Bordit të RTK-së, se për shumë vite (përfshirë edhe tri vjetët e fundit) nuk kanë marrë asnjëherë pushim javor, mujor apo vjetor.

Për më tepër, deri më datë 23 dhjetor 2021 (sipas deklaratave të drejtorit të Përgjithshëm, nuk ka pasur ndonjë analizë apo vlerësim të saktë për nevojat e punonjësve me kontrata për shërbime. Fillimi për diskutimin e kësaj nevoje ka filluar vetëm pas kërkesës së Bordit aktual të RTK-së, thuhet në komunikatë.

Lexo po ashtu:  Tregu celular, më pak konkurrues – Përqendrimi në rritje, tendencë e kundërt me BE

Drejtori i Përgjithshëm, ka dështuar të sigurojë respektimin e Ligjit për RTK-në dhe Rregulloreve të brendshme të RTK-së. Si pasojë, ka punëtorë që kanë kontrata të rregullta dhe kompensohen rregullisht, ndonëse nuk paraqiten fare në punë. Disa prej tyre këtë e kanë konfirmuar përmes komunikimeve të brendshme, por edhe përmes deklaratave publike, thuhet më tej.

Për më tepër, disa nga këta punëtorë, të cilët paguhen nga RTK, marrin pjesë në debate të ndryshme, kryesisht politike, në media të tjera vendore, gjë e cila po ashtu është e ndaluar me rregullore të brendshme të RTK-së, por të cilat nuk janë zbatuar. Pjesëmarrja e të punësuarve në aktivitete të tilla me karakter debatues politik, publikimi i deklaratave të njëanshme politike në rrjetet sociale si dhe shpërndarja e përmbajtjes së mediave konkurrente nga personat e punësuar në RTK, dëmtojnë imazhin dhe pavarësinë editoriale të transmetuesit publik, për çfarë drejtori i Përgjithshëm i RTK-së nuk ka marrë masat e duhura sipas rregullativës në fuqi.

Sipas Bordit të RTK-së, drejtori i Përgjithshëm i RTK-së nuk ka prezantuar Strategjinë Zhvillimore të RTK-së, ndonëse kjo çështje kërkohet nga Ligji për RTK-në dhe nga Statuti i RTK-së. Mungesa e strategjisë për zhvillimin e RTK-së, paraqet problematikë të theksuar për arsye se në mungesë të strategjisë zhvillimore, bëhet projeksion joefektiv dhe joefikas i skemës programore dhe buxhetit për vitin pasues.

Lexo po ashtu:  Merkel nuk konsumohet. Ka mbështetjen e 59% të gjermanëve

Drejtori i Përgjithshëm ka dështuar të sigurojë adresimin dhe zbatimin e gjetjeve të Njësisë së Auditimit të Brendshëm, e cila ka evidentuar shkelje të ndryshme gjatë mandatit të tij, si avancimet e brendshme joligjore, keqmenaxhimi i aktiviteteve të prokurimit, keqmenaxhimi i kontratave të marketingut etj.

Bordi i RTK-së konsideron se lista e gjetjeve, përkatësisht shkeljeve është më e gjatë dhe më e ngarkuar, mirëpo duke pasur parasysh se disa çështje të identifikuara janë subjekt i auditimit nga Zyra Kombëtare e Auditimit, Inspektorati i Punës apo institucioneve tjera relevante, nuk përfshihen në këtë vendim për shkak të subjektivitetit deri në vlerësim nga autoritetet kompetente, përfundon komunikata.

Në këtë mbledhje, Bordi ka emëruar ushtrues detyre të Drejtorit të Përgjithshëm të RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekajn.

Për shkarkimin, është deklaruar edhe tashmë ish-drejtori Kastrati, përmes një postimi në Facebook. Sipas tij, qëkur ka ardhur në funksion Bordi i ri, ka nisur presioni ndaj tij.

“Unë ju kam thënë qartë anëtarëve politikë të këtij Bordi se unë nuk e largoj asnjë person nga puna. Arsyeja është e thjeshtë: Ata punojnë prej shumë vitesh dhe janë të nevojshëm, ndërsa me ato paga mbajnë familjet e tyre, e që është mjaft e vështirë në këtë situatë të rëndë ekonomike”, ka shkruar ai në Facebook.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *