Të martën në Bruksel do të mbahet takimi i radhës ndërmjet kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi dhe homologut të tij serb Petar Petkoviq.

Pas tre muajsh ngërç, në takimin e nesërm në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi, i pari për këtë vit, pritet të diskutohet për të pagjeturit dhe për arritjen e marrëveshjes së përhershme për targat. Megjithatë, ujdia për të njëjtat shihet si vështirë e arritshme në momentumin aktual ndërkombëtar dhe në prag të zgjedhjeve në Serbi.

Njohësi i procesit të dialogut, Arbër Fetahu nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike thotë për KosovaPress se rikthimi në tavolinën e bisedimeve të kryenegociatorëve është aspekt pozitiv për avancimin e dialogut.

“Në parim mund të konsiderohet si lajm i mirë rikthimi i kryenegociatorëve në tavolinën e bisedimeve pasi ishte kërkesë e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por edhe të deleguarve veç e veç të Britanisë dhe Gjermanisë. Prandaj si nismë është e mirë e të dy qeverive që ulen për të diskutuar. Në anën tjetër, pritjet në perspektivën tonë janë të vogla duke marrë parasysh edhe momentumin që gjendemi, pasi Serbia është pranë zgjedhjeve parlamentare dhe ndonjë vendim i madh nuk është shumë i pritshëm që të merret në këtë periudhë ku fushata elektorale është në prag të vlimit dhe Kosova gjithmonë është një temë e nxehtë atje”, thotë ai.

Lexo po ashtu:  Kurti të hënën mban takim online me Universitetin Harvard

Ai thotë se nesër mund të diskutohen tema që kanë mbetur nga raundet e kaluara, sikur ajo për të pagjeturit dhe marrëveshja për targa.

“Në këtë raund të bisedimeve mund të flitet për disa tema që kanë mbetur nga herët e kaluara, siç është për personat e pagjetur, dëmet ekonomike, apo edhe për marrëveshjen e targave. Me siguri që Serbia do të vë theksin edhe tek marrëveshja e Asociacionit, pasi është edhe taktikë e tyre që në çdo raund të negociatave ta bëjë një gjë të tillë. Pasi kjo marrëveshje (për targat) pak a shumë është implementuar në mënyrë të mirë dhe ka pasur një pajtim të dy palëve, edhe kjo mund të jetë që të vazhdojë kjo marrëveshje ose të kapitalizohet si përfundimtare. Të gjendet një zgjidhje pak më afatgjatë për të, pasi bllokimi dhe situata e tensionuar nuk i konvenoi as Kosovës dhe as palës serbe”, shton ai.

Lidhur me takimin e nesërm, KosovaPress ka pyetur sot shefin e Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahirin dhe shefin e Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahirin, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.

Lexo po ashtu:  Komisioni Evropian, thirrje shteteve anëtare: Nisni vaksinimin e popullsisë kundër gripit

Tahiri kritikoi Qeverinë Kurti për mos transparencë në raport me dialogun dhe tha se çfarëdo draft-marrëveshje që mund të nënshkruhet së pari duhet të vijë në Kuvend.

“Qeveria e Kosovës është shumë jotransparente në këtë proces. Ne si deputetë dhe qytetarët pak dimë për angazhimin e Qeverisë në këtë drejtim. Andaj po e them edhe një herë se unë nuk mund të flas për draftin e mundshëm të një marrëveshjeje të cilën nuk e kemi pa. Do të shohim të ardhmen nëse Qeveria do të ndajë diçka me deputetët e Kuvendit para se të ndodhin takime të tilla”, tha ai.

Ndërsa, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, tha se për dialogun me Serbinë, pala kosovare duhet të diskutojë vetëm për arritjen e marrëveshjes përfundimtare.

“Është tepër me rëndësi që në këtë fazë të qartësohen gjërat, strategjia dhe qasja që e ka Kosova karshi këtij dialogu. Për neve është me rëndësi që dialogu të kalojë në një etapë tjetër”, deklaroi ai.

Lexo po ashtu:  “Ne sot kemi të kapur prej shteti gjyqësorin. Ne sot kemi të kontrolluara mediet. Bile një numër të tyre mund t’i quajmë medie të kolonizuara. Ne sot kemi një reformë arsimore që e ka ulur, zbritur, dëmtuar cilësinë e arsimit."

Takimi i fundit në nivel të kryenegociatorëve në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi ka qenë më 16 nëntor të vitit 2021.

Burimi : www.koha.net

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *