Nga Nigel Jones “Spectator”
A mund ta vrasë Putinin një vrasës profesionist? Ashtu siç Lufta e Dytë Botërore nuk do të kishte ndodhur pa vullnetin djallëzor të Adolf Hitlerit, edhe pushtimi i Ukrainës – dhe gjakderdhja e saj e tmerrshme dhe mjerimi i papërshkrueshëm njerëzor – është lufta e Putinit.
Por a mund të ndalet ai? Lajmi i keq, është se për momentin shanset nuk duken të mira. Vladimir Putin mbrohet 24 orë në ditë në 7 ditë të javës nga një prej organeve më të forta të sigurisë në botë, që e kanë futur atë në një “flluskë” hermetike.
Çdo qasje tek ai kontrollohet rreptësisht, në një mënyrë gati maniakale, njëlloj siç ndodhte dikur me Stalinin dhe Hitlerin. Probabiliteti që një vrasës i vetëm të arrijë depërtojë nga jashtë si Fanny Kaplin – një grua ukrainase hebreje, që në vitin 1918, shtiu 3 herë në drejtim të liderit bolshevik Lenin, duke i shkaktuar një seri plagësh, që në fillim e sakatuan dhe në fund i morën jetën diktatorin sovjetik – për të arritur tek diktatori aktual i Rusisë është gati zero.
Nëse Putini do të ndalohet, rrëzohet dhe arrestohet apo vritet, autorët e një përpjekjeje të tillë do të duhet të vijnë nga brenda klikës që e rrethon. Kohët e dëshpëruara, sjellin edhe zgjidhje të dëshpëruara, dhe ajo ka të ngjarë të veprojë vetëm kur të mendojë se e ardhmja e saj rrezikohet drejtpërdrejt nga veprimet gjithnjë e më të rrezikshme të Putinit.
Tashmë Putin i ka poshtëruar publikisht anëtarët e rrethit të tij të brendshëm, duke i kritikuar kur kanë ngritur qoftë edhe pikëpyetjet më të buta në lidhje me veprimet e tij. Ata nuk mund të kenë shumë dashuri për këtë njeri tejet antipatik dhe të vrazhdë.
Por a do ta kapërcejnë dyshimet e tyre në rritje dhe frikën mbi të ardhmen e tyre? Historia është e mbushur me shembuj të atentateve të suksesshme të kryera nga njerëzit më të afërt të pushtetarëve diktatorialë. Jul Çezari u vra nga anëtarët e Senatit të Romës.
Shumë perandorë të tjerë si për shembull Kaligula, u vranë nga garda e tyre pretoriane dhe të paktën njëri prej tyre, Klaudi, u helmua ndoshta nga vetë gruaja e tij Agripina. Në kohët moderne, Mbreti Faisal i Arabisë Saudite u vra në vitin 1975 nga nipi i tij, ndërsa kryeministrja e Indisë, Indira Gandhi u qëllua për vdekje në vitin 1984 nga truprojat e saj të komunitetit Sikh, që ishin të indinjuar nga sulmi i saj në tempullin e tyre të shenjtë të Artë në Amritsar.
Afër fundit të sundimit të tij 30-vjeçar, një Stalin i sëmurë dhe i plakur ishte bërë aq psikotik, saqë i kishte arrestuar dhe po i torturonte mjekët e tij, me dyshimin se e helmonin dhe po kërcënonte jetën e miqve dhe të kolegëve të tij në Byronë Politike Sovjetike.
Ka shumë prova se njëri prej tyre, shefi i policisë sekrete sovjetike dhe i shërbimeve të sigurimit, Lavrenti Beria, veproi pa mëshirë për të shpëtuar lëkurën e tij duke e helmuar shefin e tij me helmin e miut, varfarin, gjë që i shkaktoi goditje në tru dhe vdekje brenda pak orësh më 5 mars 1953.
Vetë Beria u mburr me krenari për veprën që kishte kryer, duke i thënë shokëve të tij:”Unë e vrava,dhe ju shpëtova jetën të gjithëve!”. Spekulimet mbi vrasjen e Putinit, mund të duken si supozime imagjinare dhe të largëta.
Por siç e tregon historiani i shquar, profesor Michael Burleigh në studimin e tij të vitit 2021 për vrasjen gjatë epokave në librin e tij “Dita e vrasësve”, vrasja e udhëheqësve politikë nga Jul Çezari deri në ditët tona, ka qenë mënyra më e zakonshme për t’i dhënë historisë një shtytje të dobishme, sesa zgjedhjet apo zhvillimet abstrakte sociale dhe ekonomike.
Kur e gjithë vendimmarrja është e përqendruar në duart e një sundimtari të vetëm të gjithëfuqishëm, siç ndodh sot me Putinin, vetëm eleminimi fizik i tiranit, mund t’i japë fund tiranisë dhe të zhdukë rrezikun që paraqet ai. Por ndoshta duhet të kemi kujdes se çfarë dëshirojmë.
Vdekja e parakohshme e Leninit, i hapi rrugën ngjitjes drejt pushtetit suprem të idhullit dhe modelit të Putinit, Josif Stalinit. Vrasjet mund të shkaktojnë edhe luftëra. Më e famshmja ka qenë vrasja e arkidukës së Austrisë Franz Ferdinand nga Gavrilo Princip në vitin 1914, që përshpejtoi shpërthimin e Luftës së Parë Botërore.
Por ato edhe mund t’i japin fund një lufte. Sikur secila nga dy bombat që për pak vranë Hitlerin në nëntor 1939 dhe korrik 1944, do të kishin pasur sukses në qëllimin e tyre, s’ka asnjë dyshim se Lufta e Dytë Botërore do të kishte përfunduar më herët, dhe do të ishin shpëtuar miliona jetë.
Më pak e njohur, por ndoshta më e rëndësishme për presidentin Putin në rrethanat e tij aktuale, është atentati i suksesshëm ndaj Carit Pavli I në Kështjellën e Shën Mikaelit në Shën Petersburg në marsin e vitit 1801.
Ashtu si Putin, një Car gjithnjë e më ekscentrik dhe i izoluar, ishte armiqësuar me zyrtarët ushtarakë dhe civilë që e rrethonin, duke marrë vendime gjithnjë e më kaotike në politikën e jashtme. Pakënaqësia e tyre arriti kulmin me një komplot, që përfundoi me hyrjen e tyre në banesën e Carit dhe mbytjen e tij.
Ai u pasua në fron nga djali i tij Aleksandri I, që i dha fund aleancës së Pavlit me Napoleonin, dhe e rrëzoi perandorin e tërbuar francez. Prandaj nëse rrethi i ngushtë i gjeneralëve dhe zyrtarëve të korruptuar mbi të cilët mbështetet pushteti i Putinit, janë mjaftueshëm të alarmuar nga rrjedha gjithnjë e më kaotike e luftës së Ukrainës dhe reagimi i tmerrshëm i botës ndaj saj, a ekziston qoftë edhe shansi më i vogël, që ata të ndjekin shembullin e zyrtarëve të Berias dhe Car Palvit, duke i dhënë fund krizës nëpërmjet eliminimit të shefit të tyre?
Ndërsa opsionet e hapura për kleptokratët dhe ish-agjentët sekretë që Putini i ka mbrojtur dhe promovuar në detyrë, janë duke u reduktuar ndjeshëm, dhe zemërimi i vetë popullit rus po rritet, shpresa më e mirë për t’i dhënë fund kësaj krize, mund të jetë tek veprimi i njerëzve të këqij për të rrëzuar diktatorin më të keq dhe ndoshta të çmendur, që po i çon ata dhe Rusinë në humnerë.
Putini i tha një herë një gazetari gjatë një interviste televizive, se ai kishte mësuar një mësim të vlefshëm mbi pushtetin në rininë e tij, kur bllokoi një mi në cepin e dhomës në apartamentin ku u rrit. Në vend se të nënshtrohej, miu i kërceu në fytyrë dhe e sulmoi.
Ka ardhur koha që “minjtë” në Kremlin të mësojnë të njëjtin leksion. /abcnews.al/