Fraza e famshme e presidentit amerikan Clinton, të fitojmë luftën, por të mos humbim paqen, u tha pikërisht për Kosovën. Më shumë se një parandjenjë e keqe, ka qenë një paralajmërim, fatkeqësisht, i saktë.

Krimi serb mbi shqiptarët: Njëzetmijë gra u përdhunuan anembanë Kosovës , mbi 800 fëmije nën moshën 5-vjeç u therën si berrat , mijëra djem, burra, gra, pleq  u masakruan, vranë , u dogjën  për së gjalli. Mbi një milion popull u përzunë me dhunë nga shtëpitë e tyre.

Mizori të papara në fytyrën e dheut iu bënë këtij populli martir.

Si një lajm i mirë, por tepër i pikëllueshëm, për t’u quajtur ashtu, midis padurimit të pritjes, një zë i ndryshëm, u ngrit për të dëshmuar atë që ngjante e padëshmueshme: dramën e grave në luftë. Nuk ishte ndonjë kor fantazmash, as zëra mistikë që kapërcenin të palejueshmen. Ishin ato vetë, u ngritën të dëshmonin, vajzat dhe gratë e Kosovës. Nëpërmjet librave dhe shkrimeve të Sanije Gashit, Flora Brovinës, Luljeta Selimit, Gordana lgric-it, Veprore Shehut e të tjerave, që për shkak të mosinformimit iu kërkohet ndjesë nuk po përmenden këtu, shpaloset tabloja, që e tremb dhe e spraps, atë që rrallë herë është trembur e sprapsur në këtë planet: rrëfimin botëror. Nuk ka asnjë teprim në këtë thënie. Aq më tepër që ajo  vjen nga një njeri i letrave, për të cilin nuk janë aq të panjohura raportet e tmerreve të rrokshme me ato të përfytyrimit. Është e lehtë të thuash se qysh nga hordhitë e Xhingis Hanit, e gjer në mbarim të shekullit XX, në Kosovë, ndoshta u arrit një nga kulmet e mizorisë njerëzore, asaj që përdhunimin e grave e kthente në mjet lufte. Kjo mizori, e njohur prej shekujsh, pësoi një risi, ashtu si makinat e tjera të luftës, topat, karrot e blinduara, bombardimet, gazi helmues, terrori dhe propaganda e tij. Të gjitha këto, në njëfarë mënyre njiheshin, por qëllimi kryesor i përdhunimit, nuk u kthye si kryesor i një doktrine: thyerjes morale të një populli. Jo  vetëm i grave, siç mund të merret në vështrim por në radhë të parë, i burrave. Jo vetëm për brezin që po e pësonte goditjen, por po aq për brezin e ardhshëm. Ishte një makinë  e llogaritur për veprim të gjatë  veprim të gjate, për kalendar ferri, ashtu siç janë afatet për shuarjen e një kombi. Ndaj ishte e rrallë si makinë dhe e paparë si lemeri. Dhe për të njëjtën arsye, e parrëfyeshme me format e njohura të artit: rrethet e ferrit dantesk, aktet e teatrit antik e të tjera të ngjajshme.Gjuhët kanë cilësinë, që  ngjan misterioze, të krijimit të fjalëve, jo vetëm për kohën e vet, por disa herë për të ardhmen. Shqipja e vjetër, si të parandjente një gjëmë të ardhme, për përdhunimin e femrës, krijoi fjalën dyfish të rëndë “shnjerëzim”. Me kalimin e kohës, rrjedhimisht zbehjen e tmerrit të dhunimit, fjala hijerëndë u tërhoq për t’ja lënë vendin një fjale më të re, më saktë, një kalku, siç ka ndodhur në shumë gjuhë  të sotme. Askush nuk mund ta mendonte se në mbarim të mijëvjeçarit, si për trill të fatit a pezmi per mënjanimin e parakohshëm, thelbi i fjalës së vjetër, do të rikthehej më kërcënues se kurrë.

Lexo po ashtu:  Eklipsi diellor në fundjavë, NASA shpërndan pamjet mahnitëse
“A s’jemi të dhunuar të gjithë, me dhunimin e tyre?”, thërret një tjetër humanist.

Vajzat dhe gratë e shnjerëzuara pushonin së qeni krijesa njerëzore për të dy palët: për përdhunuesit, por edhe për vetët. Qysh në ketë pikë, këto krijesa, ndaheshin nga personazhet e njohura të rrëfimit tradicional. Por ndarja do të shkonte edhe më tej. pas aktit të dhunimit, në vend të ngushëllimit e të kujdesit, ato do të përjetonin shkretëtirë tjetër, të pa njohur, të palogjikshme, sikur të kishin kaluar në anën tjetër të  pasqyrës, atje ku nuk ka më asgjë të kësaj bote.“Unë jetoj e vdekur dhe më marrin për të gjallë”, rrëfen njëra prej tyre. “Ne jemi morali dhe pamorali i Kosovës”, thotë një tjetër. Dhe shton se midis të gjallëve ato ndihen të vdekura. Është një ndarje që nuk ngjan me asgjë, e në radhë të parë, me vetë ndarjen. Zërat e tyre janë më të pakuptueshme se ato të fantazmave. Sipas një humanisti, kanë prekur fundin e ferrit dhe po ashtu, kulmoren e qiellit. Janë në mesin e asaj që  mund të quhet njëfarë bimorti (dyvdekje) e tyre, dhe s’kërkojnë gjë tjetër, veçse që, pas ikjes së shpirtit, t’i lënë të qeta, për të kryer gjysmën e dytë të ikjes, atë të trupit. “A s’jemi të dhunuar të gjithë, me dhunimin e tyre?”, thërret një tjetër humanist. Natyrisht, është përgjigja. Dhe e keqja s’mbaron me kaq. Moskuptimi ynë, në të dy anët e pasqyrës, vazhdon. Sepse, jo vetëm hapësira, por as koha s’është më si më parë. Ne do të kthehemi e do të rikthehemi te drama shumë herë, edhe atëherë, kur vullneti ynë do japë shenjat e lodhjes. Edhe atëherë kur fjala “mjaft” do të dëgjohet si lutje a si kërcënim. S’ka patur fund për atë torturë. Dhe fundet dhe fillimet kanë qenë të përziera. Dhe prologu dhe epilogu dhe pas tyre gjithçka. Dhunshëm, po të jetë nevoja, do ta çojmë përfytyrimin tonë te tryezat, sipër të cilave, vajzat dhe gratë e lidhura prisnin shnjerëzimin. Skenat ndodhnin shpesh në klasat e shkollave, ku në dërrasën e zezë ishin ende gjurmët e shkumësit, pas mësimit të fundit. Dhe përbri tyre, burrat dhe djemtë dhe adoleshentët e lidhur, që do shihnin me detyrim “përdhunimin e vajzave të tyre, të grave, të motrave, të nënave  dhe prapë të motrave të shikuara prej vëllezërve, prej burrave të rinj,  të vajzave prej prindërve, prapë prej adoleshentëve, të fejuarave, të kunatave, të  çikave të  axhës, dhe prapë vajzave, e kështu pa fund, përdhunim ushtarësh dhe midis tyre, tallja, po ti paske qenë e virgjër, bukuroshe, por unë do të marr për grua, të të çoj në Beograd, ha, ha,ha dhe prapë përdhunim, dhe aty këtu, një krismë plumbi, që pritej si dhuratë e shtrenjtë e si shpëtim./topkadare.com /MekuliPress.com/ 
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress 

Lexo po ashtu:  Kur Mekuli në vitin 1949 i shkruante gruas: Ti hymn i përjetshëm i përtërimjes, i gëzimit njerëzor, i vet jetës

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *