Nga Shaban Murati

Shënime nga blloku diplomatik

Portali serb “rs.n1info.com” njoftonte në 16 prill deklaratën e kryeministrit të Malit të Zi, Zdravko Krivokapiç, se Serbia i ka bërë shantazh Malit të Zi. Shantazhi ka patur të bëjë me furnizimet me produktet e nevojshme ushqimore, vetëm të bëhej anëtare e projektit serb “Ballkan i hapur”.

Kryeministri malazez e ka refuzuar shantazhin e Serbisë, sepse siç deklaroi ai, “nuk beson te ajo nismë rajonale”.

Aq arrogant dhe aq fyes duhet të ketë qenë shantazhi i presidentit serb ndaj Malit të Zi, sa që edhe kryeministri Krivokapiç, që njihet për simpatitë ndaj Serbisë, e ka hedhur poshtë shantazhin serb dhe pjesëmarrjen e Malit të Zi në “Ballkanin e hapur” serb.

I pyetur për formën e shantazhit të ushtruar nga presidenti i Serbisë Vuçiç ndaj tij, kryeministri i Malit të Zi deklaroi: ”Kur ju ndjeheni i fuqishëm, ahere ju mendoni se mund t’i vendosni kushte të tjerëve”.

Si nismë e izoluar nga Ballkani dhe nga BE, nismëtari dhe drejtuesi Vuçiç i “Ballkanit të hapur” ka menduar se për të shtuar numrin e shteteve anëtare mjafton të përdorë metodën klasike serbe të shantazhit në nivel të lartë për ta detyruar Malin e Zi të bashkohet me projektin e tij.

Lexo po ashtu:  Donika Gërvalla: Mbi 40 vjet kanë kaluar nga dhjetori i vitit 1979 kur Babi detyrohet të largohet nga Kosova e robëruar për të mos u kthyer më asnjëherë - Ai që nuk e di se nga vjen, ai nuk e di as se për ku është nisur.

Çdo qytetar i ish-Jugosllavisë nga përvoja e hidhur mund ta kuptojë shantazhin e presidentit serb ndaj një shteti të vogël fqinjë të ish-federatës për ta detyruar të futet me zor në projektin serb të “Ballkanit të hapur”.

Po besoj se nuk ka qytetar të ish-Jugosllavisë që të kuptojë se cilat janë arsyet që Shqipëria, që nuk ka qenë pjesë e ish-Jugosllavisë, i ka bërë aq shumë shantazhe në nivel të lartë Kosovës për ta detyruar të futet me zor në projektin serb të “Ballkanit të hapur”.

Asnjë qytetar i ish-Jugosllavisë nuk mund ta kuptojë dashurinë pakufi dhe me shikim të parë të Shqipërisë tani për presidentin e Serbisë Vuçiç dhe për “Jugosllavinë e re” të tij, kur të gjitha republikat e federatës jugosllave vrapuan të shkëputen në orë e më parë nga Serbia.

I vdekuri nuk ringjallet me shantazh, qoftë të hapur, qoftë të mbyllur, qoftë të nivelit më të lartë shtetëror, sepse “Ballkani i hapur” ka vdekur pa lindur.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *