Tani unë jam një i vdekur, një kufomë që dergjet në fundin e një pusi. Ka kaluar shumë kohë që nga dita kur dhashë shpirt dhe zemra më ndali së rrahuri, por askush, përveç vrasësit tim të poshtër, nuk i di ato që kam hequr.

Ndërsa Ai, maskarai i pafytyrë, për t’u siguruar nëse kisha vdekur ose jo më përgjoi frymëmarrjen, më mati pulsin dhe pasi më goditi me shqelm në fyt, më barti gjer te gryka e pusit e më lëshoi në fundin e tij. Kafka e kokës, e bërë shoshë nga goditjet me gurë, m’u coptua edhe më keq kur u përplas pas blloqeve të gurta: fytyra, faqet, balli, u shtypën e shpërfytyruan, kockat m’u shkërmoqën dhe nga goja më shpërthyen currila gjaku.

U bënë katër ditë që jam larguar nga shtëpia: Gruaja dhe fëmijët po më kërkojnë. Vajza, e cila po tretet së vajtuari, nuk i ndan sytë as edhe për një çast të vetëm nga porta e avllisë. Të gjithë e kanë gozhduar vështrimin te rruga, te pragu i derës.

Lexo po ashtu:  Përkthimi i dobët e largon lexuesin nga vepra dhe shkrimtari

A thua janë duke më pritur akoma te porta, nuk jam shumë i sigurt për këtë. Ndoshta, tashmë, janë mësuar me mungesën time, sa keq! Njeriut, kur është këtu ku ndodhem unë tani, i duket sikur jeta që la pas, rrjedh njëlloj si ditët që shkuan. Para se të lindja unë, ekzistonte diku një kohë që nuk kishte as fillim as fund. Edhe tani pas vdekjes më ndjek e njëjta kohë e pacakë! Kur isha në jetë as që më shkonte mendja për gjëra të tilla, jetoja i lumtur dhe pa e vrarë mendjen nën aureolën e dritës që tkurrej midis dy kohëve të errëta.

Isha i lumtur, paskësha qenë i lumtur, këtë e kuptoj vetëm tani: isha dekoratori më i mirë në atelienë e padishahut dhe s’kishte një të dytë që të mund të më konkurronte. Me punimet që bëja jashtë ateliesë, fitoja rreth njëqind akçe në muaj. Sigurisht që të gjitha këto e bënë vdekjen time akoma më të pashmangshme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *