Njerëzit përqafonin njëri-tjetrin dhe këndonin “Macron”.
Kështu e përshkruan ndër të tjera agjencia “Reuters” rizgjedhjen e Emmanuel Macron si president të Francës. 58.2% të votave në raundin e dytë i kanë siguruar Macronit një mandat të dytë që është celebruar në mënyrë militante në Paris.
Një ekran i madh vendosur në kullën “Eifel”, tubim njerëzish. Të duket se turma ka strehën e vet në çdo qoshe të planetit. Është e çuditshme të shohësh festë për rizgjedhjen e dikujt që është provuar se çfarë di të bëjë e si di ta bëjë.
Në planin e brendshëm dhe të jashtëm. Por Franca zgjodhi status quonë sepse si një pjesë e madhe e Europës ka frikë nga çdo ndryshim. Kjo është edhe kriza kryesore e kontinentit. Jo se Le Pen është ndryshimi, por ajo luan me sfidën ndaj status quosë gjithësesi
Sot dikush shkruante në mediat franceze se Macron fiton sepse nuk ka alternativë. Dhe kjo e bën edhe më të pakuptimtë festën e francezëve, termin fitore që është rizgjedhje sidomos kur u konfirmua se në këto zgjedhje pati abstenimin më të madh të francezëve në 50 vjet.
Fitoi ambicia, arrivizmi i një njeriu, frika e një pjese, stigmat e rreme per rrezikun e radikalizmit i cili siç u pa në Greqi, ShBA apo edhe Itali as ka shanse të shkojë përtej retorikës pse askush prej këtyre që qëndrojnë në ekstreme nuk ka nga pas një strukturë të gatshme për ndryshime strukturore.
Rreziku prej kësi individësh është pse mënyra dhe fjala me të cilën ata fitojnë terren i bën subversion narrativës në fuqi dhe këtu zbulohet elementi i tretë i një krize të thellë e që është se demokracia liberale po luan në mbrojtje duke u shfaqur konservatore.
s.zaimi