Prishtinë, 25 prill 2022
Të nderuar punonjës të medieve,
Të dashur qytetarë,
E nderuara Ndihmës sekretare e shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, zonja Donfried,
Më lejoni që edhe një herë të ju uroj mirëseardhje në Republikën e Kosovës dhe të ju falënderoj për vizitën.
Është gjithmonë kënaqësi të mirëpres, dhe të takohem e të diskutoj me përfaqësues të institucioneve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Javën e kaluar patëm për vizitë një delegacion dypartiak nga Senati amerikan, me të cilët diskutuam për shumë gjëra. Edhe sot folëm për sukseset e shtetit të Kosovës dhe rolin e kontributin e madh që Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdojnë ta japin në zhvillimin dhe demokratizimin e vendit tonë. Biseduam për arritjet e qeverisë sonë gjatë vitit të parë dhe rëndësinë e bashkëpunimit më të thellë ndërmjet dy vendeve tona, sidomos në fushën e ekonomisë, të mbrojtjes dhe të sigurisë.
Vitin e kaluar, Kosova ka marrë pjesë në mesin e 16 vendeve mikpritëse dhe gjithsej 27 vendeve pjesëmarrëse në ushtrimin e madh ushtarak ndërkombëtar “Defender Europe 21”. Po ashtu, vitin e kaluar e realizuam edhe misionin e parë paqeruajtës përkrah ushtrisë amerikane në Kuvajt. Dhe deri më tani ne kemi strehuar 1471 refugjatë afganë. Këto janë dëshmi të forta të kapaciteteve të Kosovës dhe të kontributit tonë përkrah Shteteve të Bashkuara të Amerikës në sigurinë rajonale, evropiane e globale.
Dje u bënë dy muaj qëkur nisi invazioni dhe agresioni i paprovokuar dhe i pajustifikuar i Federatës Ruse ndaj Ukrainës. Kjo luftë që shumë liderë vendesh nuk e prisnin të ndodhte, po zgjatë shumë më gjatë se që agresori e priste të ndodhte. Por, derisa e mbështesim dhe e shohim me admirim rezistencën e popullit ukrainas, ne duhet të mbetemi të vëmendshëm për rreziqet që mund të nxisë dëshpërimi i Kremlinit despotik.
Reagimi dhe rreshtimi i Republikës së Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me Bashkimin Evropian dhe Mbretërinë e Bashkuar ka qenë i menjëhershëm. Një rreshtim i tillë është vlerë, orientim dhe aleancë. Vlerë humanitare dhe demokratike. Orientim perëndimor dhe aleancë euro-atlantike. Përpos sanksioneve që i kemi vendosur Federatës Ruse, kemi treguar solidarizim me popullin dhe shtetin e Ukrainës. Kemi shprehur gatishmërinë për të pranuar deri në 5000 refugjatë nga Ukraina dhe tashmë kemi mirëpritur gazetaren e parë ukrainase, znj. Lyudmila Makey e do të mirëpresim edhe të tjerë.
Por, jo të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor kanë vepruar njësoj. Është për të ardhur keq që kemi refuzimin e Serbisë për të sanksionuar Rusinë dhe për t’u distancuar nga ajo. Mund të ketë qenë një qëndrim i pritshëm, por assesi nuk duhet të jetë i mirëkuptueshëm. Një refuzim i tillë tregon për bindjen tonë vlerë, orientim dhe aleancë. Vlerë antidemokratike. Orientim joperëndimor edhe aleancë autokratësh.
Andaj, që të ruhet paqja dhe stabiliteti afatgjatë, siguria rajonale dhe jo vetëm është i domosdoshëm integrimi sa më i shpejtë i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian dhe në NATO, i shteteve të cilët janë demokratike dhe i kanë vendosur sanksione Federatës Ruse. Ndërkohë, Republika e Kosovës duhet të anëtarësohet në Këshillin e Evropës dhe të bëhemi pjesë e Programit të Partneritetit për Paqe të NATO-s, dhe për këtë edhe po përgatitemi por natyrisht edhe kërkojmë ndihmën e miqve e partnerëve tanë.
Kosova do të vazhdojë të qëndrojë përkrah botës së bashkuar demokratike në mbrojtje të demokracisë dhe të paqes në Evropë dhe rajon. Për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kosova do të mbetet mik, aleat dhe partner i besueshëm. Një i tillë që nuk pyet pse, por si. Jo sa, por kur.
Ju falemnderit edhe njëherë znj. Donfried. Ju falemnderit të gjithëve.