Edi Rama ishte ndoshta në të drejtën e tij, të shprehte të gjithë vrerin e mundshëm kundër Brukselit dhe mënyrës se si funksionon Bashkimi Europian. Për shumëkënd shpërthimi kryeministrit të një vendi që i mbyllin prej tetë vitesh derën në fytyrë, njëherë prej Francës apo Hollandës, një herë prej 15 kushteve të pazbatuara dhe së fundi, prej një sherri absurd mes Bullgarisë dhe Maqedonisë, me të cilën na e kënë lidhur pazgjithshmërisht fatin, mund të konsidohej mëse legjitim.
Edhe ata që fajësojnë qeverinë e Tiranës për instalimin e një demokracie iliberale dhe prishjen e rregullave të ekonomisë së tregut edhe të tjerët që nuk i vënë asaj asnjë faj, në ngecjen e procesit të integrimit, bien të gjithë dakord në një pikë: BE, po tregohet hipokrite.
Prandaj shigjetat e kryeministrit të Shqipërisë, menjëherë pas përfundimit të samitit të vendeve anëtare me Ballkanin perendimor, talljet e tij me Bullgarinë, cinizmi me Maqedoninë që e detyruan të ndryshonte dhe emrin, denoncimi i zhbërjes së “frymës së zgjerimit të shndërruar në një pengmarrje”, veç e veç, ose së toku mund të kishin kuptim.
Por, në të gjithë gjithë këtë sjellje të Ramës, një gjë është e pashpjegueshme deri në absurditet: Pse i gjithë ky sulm ndaj Brukselit u bë në një koordinim të plotë me presidentin Serb? Pse ata duhet të shantazhonin së bashku në fillim me bojkotin e samitit dhe pse këtë të enjte duhet të shfaqeshin krah për krah, në një konferencë shtypi për tu ankuar për vendimarrjen e 27-shes?
Vështirë të ketë një shpjegim racional se përse ndodhi kështu.
Pas përfudnimit të mbledhjes, kryeministri shqiptar dhe ai maqedonas mund të dilnin të dy në një konferencë shtypi, për të komentuar lajmin e keq të moshapjes për të disatën herë të negociatave. Por ama përfaqësuesi i Serbisë nuk kishte asnjë lidhje me këtë hall, sepse vendi i tij është tashmë shumë më para nesh, në fazën e negocimit të kapitujve për tu antarësuar në BE.
Një format tjetër mund të qe ai ku kryeministri shqiptar të renditej në një konferencë të përbashkët, tok me të gjithë liderët e tjerë të gjashtë vendeve të rajonit (duke përfshirë edhe Kosovën). Por as njëra as tjetra nuk ndodhi.
Dhe çudia më e madhe qe se në një ditë kur Shqipëria dhe Maqedonia kishin marrë sërish lajmin e hidhur të refuzimit të radhës, Edi Rama gjeti rastin të bëhet avokati i Serbisë para liderve të BE-së, disa prej të cilëve ishin shumë të ashpër për refuzimin e Beogradit për ti vënë sanksione Rusisë.
Një gjë të tillë e pranoi edhe vetë Vuçiçi duhe e falenderuar mikun e tij nga Tirana për mbrojtjen. Ndërsa Rama vetë spjegoi për gazetarët atë që u kishte thënë në fytyrë liderëve të kontinentit. Sipas tij një vendi ku 80% e popullsisë pëlqejnë Putinin, ku jo të gjithë e duan integrimin në BE, nuk i duhet vënë litari në fyt. Pasi lartësoi “sakrificat” që Beogradi kishte bërë kundër Moskës, kryeministri ynë kërcënoi se, nëse ndaj Serbisë do ushtrohej një trysni maksimaliste, kjo rrezikonte ti vinte sërish flakën fuçisë me barut të Ballkanit?
Pse e bëri Rama këtë? Pse vendosi të ketë në krah Vuçiçin kur foli për hallin tonë dhe pse i doli në mbrojtje atij, përballë udhëheqësve të Evropës, që ishin tejet të ashpër me rrefuzimin e Serbisë për ti’u bashkuar snaksioneve?
Këto pyetje bëhet edhe më legjitime atëherë kur dihet se vendi që sipas vetë fjalëve të tij admiron Putinin dhe nuk është i bindur për rrugën europiane, nuk mund të përbëjë një support që të ndihmon shumë për të përshpejtuar rrugën drejt Brukselit.
Të gjitha këto pyetje, sado absurde që të duken e kanë në thelb një shpjegim racional. Rama nuk u reshtua as vetëm përkrah Maqedonisë, as tok me gjithë liderët e tijerë të rajonit, sepse qëlllimi i tij ishte të shfrytëzonte samitin me BE, si një tribunë për Ballkanin e Hapur. Për ditë e më shumë, po bëhet e qartë se këtë nismë, që edhe diplomatët amerikanë të cilët e mbështesin, e kanë kushtëzuar si vetëm ekonomike, Rama dhe Vuçiç po e shohin si një trampolinë politike për forcimin e pushtetit të tyre autokratik. Për autokratët është më e mirë lodra e tyre ku luajnë pa kontroll, sesa kostumi i ngushtë dhe plot llogaridhënie i BE-së. Prandaj përditë e më shumë “Open Balkan” po ravijëzohet si një alternativë ndaj integrimit europian. Prandaj Vuçiç kritiokon Brukselin se s’hap negociatat me Shqipërinë, ndërsa Rama udhëheqësit evropianë se pse i bëjnë trysni Serbisë.