Gomari i tha tigrit:

– “Bari është blu”.

Tigri u përgjigj:

– “Jo, bari është i gjelbër.”

Debati u ndez dhe të dy vendosën ta çojnë në arbitrazh, dhe për këtë shkuan para luanit, mbretit të xhunglës.

Që para se të mbërrinte në skajin e pyllit, ku luani ishte ulur në fronin e tij, gomari filloi të bërtiste:

– “Madhëria juaj, a është e vërtetë që bari është blu?”.

Luani u përgjigj:

– “Vërtetë, bari është blu.”

Gomari nxitoi dhe vazhdoi:

– “Tigri nuk pajtohet me mua dhe më kundërshton e më bezdis, të lutem ndëshkoje.”

Atëherë mbreti deklaroi:

– “Tigri do të dënohet me 5 vjet heshtje”.

Gomari u hodh përpjetë i gëzuar dhe vazhdoi rrugën, i kënaqur dhe duke përsëritur:

– “Bari është blu”…

Tigri e pranoi dënimin, por jo përpara se të pyeste luanin:

– “Madhëria juaj, pse më dënuat mua? Në fund të fundit, bari është i gjelbër.”

Luani u përgjigj:

– “Në fakt, bari është i gjelbër.”

Tigri pyeti:

– “Pse po më dënon?”.

Lexo po ashtu:  Kurti për Al Jazeera: Nuk jap garanci për mosarrestimin e kriminelëve që janë në listën e zezë të SHBA-së

Luani u përgjigj:

– “Kjo nuk ka të bëjë me pyetjen nëse bari është blu apo i gjelbër. Ndëshkimi vjen sepse nuk është e mundur që një krijesë e guximshme dhe inteligjente si ti, të humbasë kohë duke debatuar me një gomar dhe mbi të gjitha, të vijë e të më shqetësojë mua me atë pyetje.”

Humbja më e keqe e kohës është debati me budallain dhe fanatikun të cilit nuk i intereson e vërteta apo realiteti, por vetëm fitorja e besimeve dhe iluzioneve të veta. Kurrë mos humbisni kohë në debate që nuk kanë kuptim… Ka njerëz që, sado prova dhe fakte t’u paraqesim, nuk e kanë aftësinë për të kuptuar, dhe të tjerë që janë të verbuar nga egoja, urrejtja dhe inati, etj. Ata duan të kenë të drejtë, edhe nëse nuk kanë.

Kur injoranca bërtet, inteligjenca hesht. Paqja dhe qetësia juaj vlejnë më shumë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *