Artisti i merituar, aktori i madh Mirush Kabashi i ka drejtuar një mesazh të fortë shoqërisë shqiptare nga një aktivitet fetar në qytetin e Fierit. Ai ka qenë i ftuar në një aktivitet për muajin e Ramazanit të organizuar nga Myftinia Fier dhe ka folur për besimin e vlerat e moralit.

Kabashi tha se shoqërisë shqiptare i mungon besimi dhe pikërisht mungesa e besimit ka bërë që të harrojë vlerat shpirtërore e të moralit. Artisti i njohur dha edhe një mesazh për politikën në vend.

“Nuk jam një besimtar në kuptimin e rregullave që ka besimi. Por jam kaq i sinqertë kur ju them se dhe unë kam mënyrën time të besimit. I çmoj dhe i vlerësoj shumë ata që besojnë. Besimi nuk është vetëm për besimtarët por është edhe për laikët. Nuk mund të jesh njeri, nuk mund të kesh fisnikëri dhe të jesh i denjë për shoqërinë në qoftë se nuk beson së pari tek vetvetja, tek familja së dyti, tek shoqëria, tek e ardhmja, e pastaj besimi në nivelin më të lartë të tij, te Zoti. Kam bindjen që sot shoqëria shqiptare është e ngërthyer me konfliktualitet, edhe me agresivitet për hir krejtësisht të përfitimeve dhe fshihen pas ideologjive, kjo është thembra e Akilit. Sepse shoqërisë sonë i mungon besimi dhe janë shumë të paktë ata që besojnë. Dhe unë gjykoj që në mënyrë të veçantë, tamam mungesa e besimit e ka bërë shoqërinë tonë të harrojë vlerat shpirtërore, të harroje vlerat e moralit pa të cilat nuk mund të futemi atje ku ne aderojmë të futemi në shoqërinë europiane, pa moral. Nuk është ligji, është morali ai që e mban shoqërinë dhe ligji është vetëm për raste ekstreme…Nuk ka të ardhme pa besimin”, ishte mesazhi i gjigandit të skenës shqiptare.

Lexo po ashtu:  “America First”. Magazina gjermane “Der Spiegel” provokon Trumpin: Biden, bëj Amerikën përsëri të shkëlqyer

Aktori i madh ka lexuar më pas një poezi të Andon Zako Çajupit, “Amaneti i Skënderbeut” për të cilën tha se është shumë aktuale për gjendjen politike që ka vendi sot.

“Ajo me të cilën fshihen politikanët tanë, duke treguar unitetin e fesë, ata për vete nuk e zbatojnë. Janë të parët që kanë zgjedhur konfliktualitetin”, tha më tej aktori i madh shqiptar. /MekuliPress.com/ 
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *