Sot (e dielë) në Itali janë zgjedhjet. Për herë të parë në histori Italia pritet të ketë një grua si kryeministre, e për herë të dytë, pas fiks 100 vitesh, vjen në pushtet një forcë me origjinë fashiste e simpati për Duçen.
Bëhet fjalë për partinë “Fratelli d’Italia” (“Vëllezërit e Italisë” – sipas vargut hapës të himnit kombëtar italian). Kjo parti e ka prejardhjen nga “Aleanza Nazionale” (Aleanca Kombëtare e Gianfranco Fini-t) e cila vetë rridhte direkt nga “Movimento Sociale Italiano” (Lëvizja Shoqërore Italiane), një parti neofashiste e krijuar nga ish-fashistët në periudhën pas Luftës së Dytë. Udhëheqësja e “Vëllezërve”, që mendohet se do të jetë edhe kryeministrja e parë, Giorgia Meloni, ka shprehur dikur edhe simpati për vetë Mussolinin.
Partia nacional-konservatore FDI në zgjedhjet e 2018 kishte vetëm 4.4% të votave, por tash pritet të marrë rreth 28% dhe të dalë e para. Duket se do të ketë koalicion me dy parti të tjera të së djathtës së fortë, sovranistët konservatorë të “Lega” (“Lidhja” e Matteo Salvini-t) dhe liberal-konservatorja populiste “Forza Italia” (“Para Italia” e Silvio Berlusconi-t).
Këto zgjedhje të parakohshme u shkaktuan nga dështimi i qeverisë së teknokratit Draghi. Teknokrati i cili u përpoq të punonte për interesat e gjithkujt, përfundoi që të punonte kryesisht për interesat e bankave dhe të konfirmonte status-quonë, gjë e cila edhe e rrëzoi.
E majta e qendrës, Partia Demokratike e Enrico Letta-s, nuk po del keq në sondazhe por duket se do të jetë e dyta.
Ndërsa Lëvizja pa identitet dhe pa ideologji, postmodernja 5 Yjet, ka pësuar rrjedhje të madhe të votuesve, sa djathtas majtas.
Tre partitë e djathta së bashku sipas sondazheve të Cluster17 marrin 58% të votës së punëtorëve, ndërsa e majta e qendrës merr vetëm 9% syresh. Punëtorët në total janë 30% e votuesve në Itali.
Sipas të njëjtit anketues, tre janë ndarjet më të përgjithshme në elektoratin italian:
1. Votuesit solidarë me emigrantët, pro BE dhe antiautoritarë VS. votuesve anti-emigrantë, ksenofobë, euroskeptikë dhe pro forcimit të autoritarizmit (ligje më të ashpra), presidencialistë, anti-parlamentaristë etj.
2. Votuesit pro politikave rishpërndarëse, pro asistencë sociale e solidaritet mes klasave, moshave etj. e sidomos pro investimeve shtetërore në regjionet më të prapambetura ekonomikisht VS. votuesve kundër rishpërndarjes, kundër investimeve te regjionet e varfra të taksave që mblidhen në regjionet e pasura, për kufizime të asistencës e solidaritetit, për ulje të taksave etj.
3. Votuesit pro-shekullarizimit të shtetit dhe politikës, skeptikë ndaj influencës së kristianizmit e vlerave fetare VS. votuesve që preferojnë normat e vlerat e kristianizmit (feja dominante dhe tradicionale në Itali, kryesisht në variantin katolik).
Cluster17 e ka ndarë elektoratin italian në 16 segmente, sa i përket prirjeve që ata kanë treguar në pyetjet që u janë shtruar në sondazhe. Ato 16 segmente, shoqëruar me përqindjen e elektoratit të cilit i korrespondojnë dhe disa karakteristika të tyre, janë:
Progresistë Radikalë – 6%
(Kryesisht anti-kapitalistë dhe progresistë, i përkasin të majtës kulturore, feministë, pro LGBT, ambientalistë, të zhgënjyer e të shqetësuar nga zhvillimet e politikës në Italu, votojnë ose të majtën e fortë, ose të majtën e qendrës, ose 5 Yjet, por asnjëra syresh nuk ua mbush mendjen e zemrën).
Social Demokratë – 7%
(I përkasin elitës kulturore dhe kryesisht me arsim më të lartë. Për çështjet shoqërore janë progresistë, për gjithë çështjet e tjera janë të moderuar, pragmatistë dhe pro-teknokratë. Të shqetësuar nga populizmi e autoritarizmi në rritje. Pro BE dhe pro demokracisë parlamentare. Votojnë kryesisht të majtën e moderuar dhe partitë e qendrës).
Social Kristianë – 5%
(Kryesisht persona të moshuar e në gjendje të mirë ekonomike. I përkasin një kristianizmi tolerant, që vlerëson solidaritetin dhe respektin për tjetrin. Kanë vlera të përbashkëta me të majtën e moderuar, si ndihma për emigrantët, respekti për të drejtat individuale, ndihma për skamnorët. Janë pro BE dhe pro parlamentarizëm. Janë një nga shtyllat e të majtës së qendrës në Itali).
Anti-sistem – 7%
(Kryesisht të rinj, që ndihen të lënë pas dore, që kanë kryer studime të shkurtra apo arsim profesional dhe vijnë nga klasa e mesme dhe ajo e ulët. Jo fort besimtarë, kryesisht me origjinë nga qendra e jugu i Italisë, kërkojnë politika sociale dhe rishpërndarje. Për çështje shoqërore janë progresistë, por antielitistë dhe i denoncojnë elitat italiane si “kastë”. Simbas tyre ndarja e vërtetë nuk është mes të majtës dhe të djathtës por mes popullit dhe elitave. Kryesisht nuk votojnë, por kur votojnë zgjedhin 5 Yjet dhe disi më pak të majtën).
Të moderuarit – 8%
(Kryesisht jetojnë në qendër e në jug të Italisë, janë zanatçinj, tregtarë, drejtues ndërmarrjesh, apo anëtarë profesionesh të rregulluara – mjekë, avokatë, llogaritarë etj. Kulturalisht katolikë, janë pro-evropianë dhe kanë qëndrime të nuancuara për çështjet që e ndajnë politikisht votuesin italian. Në pikëpamje ekonomike janë liberalë dhe duan zvogëlim taksash. Politikisht asnjëra parti nuk i kënaq dhe vota e tyre shpërndahet në forcat e qendrës së majtë dhe qendrës së djathtë).
Jugoristë – 6%
(Kryesisht besimtarë, kryesisht të moshuar, nga shtresat e ulëta, jetojnë ose janë me prejardhje nga jugu. Sistemi vleror i tyre orientohet nga katolicizmi social. Priren të mbajnë anën e të dobëtve: emigrantëve, të burgosurve, skamnorëve. Janë pro ndihmave sociale dhe rishpërndarjes. Por kanë edhe prirje anti-sistem e anti-elitë që i bën skeptikë ndaj BE-së dhe ndaj “kastës”, shpesh preferojnë një presidencializëm të fortë si zëvendësim të parlamentarizmit. Presidencializmi i fortë në Itali sjell në kujtesë Mussolinin. Dikur këta ishin votues kryesisht të 5 Yjeve, tash pritet të votojnë qendrën e majtë ose nacional-konservatorët e FDI).
Nacional-popullorë – 5%
(Kryesisht të rinj, shumica punëtorë dhe nëpunës. Kryesisht banorë të Italisë Qendrore, shumica jobesimtarë. U pëlqen politika e “të ardhurave prej shtetësisë” që u propozua nga 5 Yjet. Për çështje shoqërore janë shumë progresistë, kërkojnë të drejta të punëtorëve dhe rishpërndarje ekonomike. Edhe këta janë anti-sistem, pro daljes nga BE, pro sistemit të fortë presidencial. Janë kundër emigrantëve. Më shumë se gjysma nuk votojnë, më parë kryesisht kanë votuar 5 Yjet, tash ata që votojnë pritet ta votojnë FDI).
Pro-biznes – 7%
(Kryesisht të rinj, këta shpesh janë studentë, drejtues ndërmarrjesh, apo punonjës privatë me rroga goxha të larta. Besojnë në vlerat e privatit dhe janë kundër shtetit të madh dhe burokracisë. Sipas tyre Italia do të ishte mirë po të drejtohej si ndërmarrje, nga ndonjë CEO teknokrat. Prandaj janë pro presidencializmit të fortë dhe u duket budallallëk parlamentarizmi. Duan një lider – sipërmarrës. Më parë kanë qenë kryesisht me Berlusconin, tash e shpërndajnë votën te qendra e djathtë dhe qendra e majtë).
Qualunquistë – 11%
(Kryesisht të rinj, jo fort të diplomuar, nga klasa e mesme e vogël dhe klasa e ulët. S’u bëhet fort vonë për politikë, shpesh nuk votojnë. Nuk kanë qëndrim për çështje ekonomike a politike. Megjithatë janë kryesisht anti-emigrantë dhe ksenofobë. Kur votojnë, ia japin 5 Yjeve apo edhe më djathtas).
Konservatorë të moderuar – 5%
(Besimtarë, kryesisht të moshuar, rrallë kanë universitet, dhe vijnë nga klasa e mesme. Nuk e gjejnë veten te transformimet e shoqërisë dhe të vendit. Ankohen për ardhjen e emigrantëve dhe për humbjen e vlerave të familjes së krishterë. Janë kundër “shpërndarjes së homoseksualitetit”. Janë kundër asistencës sociale, sidomos kundër “të ardhurave nga shtetësia”. Janë krahu konservator i qendrës së djathtë, dhe tërhiqen nga politikat sociale të FDI).
Anti-asistencë – 5%
(Kryesisht në gjendje të mirë ekonomike, të moshuar dhe nga veriu. Pjesë e elitës ekonomike të vendit. Shumica jo vetëm besimtarë, por edhe praktikues. Megjithatë nuk janë shumë konservatorë në çështje sociale. Kryesisht janë kundër ndihmave sociale dhe pro “vlerës së punës”. Kundër “të ardhurave prej shtetësisë”, kundër investimeve dhe ndihmave për jugun e pazhvilluar të Italisë. Kundër taksave dhe pengesave për bizneset. Votën kryesisht e çojnë djathtas, por shpesh te liberalët e djathtë apo të qendrës).
Tradicionalistë – 5%
(Kryesisht në gjendje të mirë ekonomike, të moshuar dhe nga veriu. Po ashtu besimtarë e kryesisht praktikues. Identiteti italian sipas tyre ka në thelb vlerat e krishtërimit. Ekonomikisht janë liberalë dhe kundër asistencës. Por janë kundër ndryshimeve e reformave të mëdha, dhe shumë pro stabilitetit të sistemit. Janë pro BE. Vlerat e tyre kulturore dhe ato ekonomike i çojnë te koalicioni i së djathtës së fortë, ku janë një nga shtyllat elektorale. Kryesisht më parë kanë votuar Lega, tash pritet FDI).
Euroskeptikë – 7%
(Shumica syresh janë gra, shpesh punëtore apo nëpunëse jo dhe aq me arsim të lartë. Shumë të lidhura me vlerat e krishtera. Shumë kundër birësimit nga çiftet homoseksuale. Kundër emigrantëve, kundër të huajve. 94% e tyre dëshirojnë daljen nga BE. Shumica votojnë Lega dhe FDI).
Verioristë – 6%
(Punëtorë dhe nëpunës me të ardhura modeste nga Italia Veriore. Jo fort besimtarë. Vlerësojnë shumë punën por janë shumë kundër formave të asistencës sociale sepse mendojnë se ato u shërbejnë parazitëve të huaj e atyre nga jugu. Ekstrem anti-emigrantë. Kërkojnë rend dhe ligj të fortë. Më shumë se gjysma nuk voton, pjesa tjetër e ka çuar votën dikur te Lega, sot kryesisht te FDI).
Autoritarë – 5%
(Shumica syresh janë gra, kryesisht zejtarë e artizanë, tregtarë të vegjël, pronarë të vegjël, po edhe nëpunës. Kryesisht nga veriu dhe qendra, shumica shtresë e mesme, mbi 50 vjeç. Janë edhe kundër asistencës sociale, edhe pro taksave për më të pasurit. Shumë kundër emigrantëve dhe anti-BE. Por karakteristika kryesore: shumë pro autoritarizmit, janë për rikthimin e dënimit me vdekje, skeptikë ndaj parlamentarizmit, për presidencializëm të fortë. Dikur me Lega-n, tash me FDI-në).
Identitarë – 6%
(Kryesisht burra, jo fort të arsimuar, por me të ardhura të larta. Ndër segmentët më besimtarë dhe më praktikues në Itali. Kundërshtojnë çdo prani të të huajve dhe çdo formë të multikulturalizmit në Itali. Shumë të lidhur me identitetin kombëtar që sipas tyre mund të jetë vetëm i krishterë. Konservatorë, mbështetës të rendit dhe stabilitetit. Pra nuk janë dhe aq anti-sistem sa segmente të tjera të së djathtës. Kryesisht votojnë Lega dhe FDI).
Lexo po ashtu:  Fjalët e fundit që shkrimtarët e mëdhenj thanë para vdekjes

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *