Shtator 1909. Qyteti i Elbasanit mirëpret Kongresin e shkollave shqipe, duke shënuar kështu, një ngjarje e shënuar në historinë e arsimit, shkollës e kulturës shqiptare, që në histori njihet si “Kongresi i Elbasanit” apo “Kongresi i shkollave shqipe”, nga 2 – 10 shtator të vitit 1909. Morën pjesë 35 përfaqësues nga 28 klube dhe shoqëri patriotike, brenda e jashtë territorit shqiptar.
Midis delegatëve të kongresit kishte veprimtarë të njohur të lëvizjes kombëtare si edhe mësues atdhetarë, siç ishin: Orhan Pojani, Grigor Cilka, Gjergj e Sevasti Qiriazi, Ahmet Dakli, Refit Toptani, Hamdi Ohri, Nikollë Kaçori, Andrea Konomi, Idhomen Kosturi, Kahreman Vrioni, etj.
Programi kulturor e arsimor që hartoi Kongresi i Elbasanit parashtronte njohjen zyrtare të gjuhës shqipe në të gjithë sistemin ekzistues arsimor dhe përhapjen e mëtejshme të arsimit në gjuhën shqipe.
Kongresi parashtroi edhe nevojën e krijimit të një shkolle të mesme në Elbasan.
Kongresi i Elbasanit, në rrugë demokratike zgjodhi kryetar Dervish Biçakçiun, si dhe nënkryetar Mit’hat Frashërin. Ndërsa shkronjës të Kongresit u caktuan Simon Shuteriqi dhe Josif Haxhimima. Kongresi i Elbasanit mori një sërë vendimesh të pasqyruara në Aktin e Vendimeve të Kongresit, prej 15-të pikash si dhe miratoi dhe rregulloren e klubeve dhe shoqërive patriotike. Në vendimet e këtij kongresi theksohet se Shoqëria “Përparimi”, që do të krijohej në Korçë, kishte për detyrë të financonte mbajtjen e Shkollës Normale (e hapur në 1 dhjetor të 1909), me ndihmat që do të grumbulloheshin, do t’u jepte ndihmë shkollave shqipe ekzistuese, do të orientonte çeljen e shkollave të rejave në shumë vise të vendit, si dhe futjen e mësimit shqip në të gjitha shkollat e huaja që ekzistonin. Jo rastësisht për mbajtjen e kongresit të arsimit u zgjodh qyteti i Elbasanit.
Ishin traditat e shkëlqyera patriotike, arsimore e kulturore dhe figurat e spikatura të Rilindjes Kombëtare të këtij qyteti që ndikuan në zgjedhjen e tij. “Njerëzia e Elbasanit jo vetëm tani, por edhe në kohët despotike, ishin quar për dashurinë e tyre për gjuhën shqipe”, shkruante Mid’hat Frashëri në ditarin e tij.
Kongresi i Elbasanit i dha një shtytje të re lëvizjes për shkollën dhe për arsimin kombëtar në përgjithësi. Të mbështetur në vendimet e tij, atdhetarët shqiptarë ngritën në Korçë, më 20 shtator 1909, Shoqërinë qendrore shkollore “Përparimi”, në kryesinë e së cilës u zgjodhën atdhetarët e njohur Orhan Pojani (kryetar), Stavri Karoli, Idhomenë Kosturi e Mihal Gramenoja.
Shkolla shqipe u hapën në këtë periudhë pas Kongresit të Elbasanit edhe në vende të tjera të Shqipërisë. Në fund të shtatorit u bë në Korçë përurimi i shkollës së riorganizuar të djemve (i mësonjëtores së parë shqipe të vitit 1887), çelur qysh në pranverën e vitit 1909, që ishte një nga shkollat më të plota me pesë klasa dhe pesë mësues. Në tetor u hapën shkolla shqipe në Progër, në Cukaj të Martaneshit, në Verlen të Bilishtit, në Margëllëç, ndërsa në muajin dhjetor u çel shkolla shqipe në Negovan (nën drejtimin e Petro Nini Luarasit) dhe në fshatin Koshtan të Tepelenës.
Jehona e Kongresit
Punimet e Kongresit të Elbasanit patën jehonë brenda dhe jashtë vendit. Kalendari “Korça”, në titullin “Kongresi i Elbasanit”, shkruante se “ky kongres është më i shënuari nga të gjithë kongreset. Me vendimet që mori e la emrin e tij të pavdekur nëpër faqet e historisë sonë”. Ndërsa e përkohëshmja “Italia për të huajt” (L’Italia al estero), do të theksonte se “në Elbasan u mbajt një kongres i madh, ku morën pjesë shqiptarë të shkëlqyer, me qëllim që të vënë në udhë të gjitha ato që janë të nevojshme për përparimin dhe paqen e Shqipërisë”.
Punimet dhe vendimet në rrafshin kombëtar të Kongresit të Elbasanit, përbëjnë vlerë dhe kontribut në drejtim të përhapjes së arsimit, gjuhës amtare e kulturës kombëtare.