Durim Abdullahu
Në pranverën e vitit 1999, gazetari dhe shkrimtari i njohur britanik Christopher Hitchens, kishte marrë një letër nga një student i tij serb, në të cilën ai e njoftonte se një mik i familjes së tij në Serbi që punonte shofer kamioni në distanca të gjata, kishte treguar se si kishte shkuar disa herë në Kosovë për të transportuar trupa shqiptarësh të vrarë që dërgoheshin për tu fshehur në Vojvodinë.
Atë kohë, Hitchens nuk e publikoi letrën dhe as informatat e saj, megjithëse ai ishte dhe mbeti përkrahës i fuqishëm i ndërhyrjes së NATO-s në Jugosllavi dhe i çlirimit të Kosovës.
Fshehja e krimeve të luftës që Serbia po kryente mbi shqiptarët e Kosovës, fillimisht doli pjesërisht në sipërfaqe që në prill të vitit 1999, kur një kamion frigorifer që përdorej për bartje të mishit nga therrtoret, i mbushur me trupa njerëzish të vdekur, doli mbi sipërfaqen e lumit Danub në Klladovë te vendi i quajtur Tekija.
Për autoritetet e Serbisë që atë kohë ishin në kulmin e operacioneve për spastrimin etnik të Kosovës nga shqiptarët, ky rast paraqiste rrezik për zbulimin e krimeve të kryera në Kosovë nga Serbia dhe të cilat po fshiheshin po në Serbi. Një kamion i mbushur me trupa shqiptarësh të vrarë dhe i fundosur në ujërat e Danubit larg vendeve të krimit në Kosovë, ishte një provë e fortë për Gjykatën e Hagës që të ngriste akuza për krime lufte ndaj krerëve të Serbisë dhe Jugosllavisë.
Kështu që vetë Sreten Lukić, kreu i Policisë së Serbisë në Kosovë gjatë viteve 1998-99, u angazhua të krijonte një ‘grup punues’ hetimor për këtë rast. Ky ekip policor, organizoi nxjerrjen e kamionit me trupat e shqiptarëve nga Danubi, bartjen e tyre në një zonë kufitare mes Serbisë dhe Rumanisë dhe rivarrosjen e tyre brenda një poligoni ushtarak në Batajnicë. Ky operacion për fshehjen e kufomave dhe zhdukjen e gjurmëve të tyre, ishte i koduar me emrin “Operacija Dubina II”, në shqip: “Operacioni Thellësia II”.
Në shtator të vitit 1999, një gazetar i panjohur serb që dikur kishte qenë polic, i quajtur Dragan Vitomirović, publikoi një artikull në revistën lokale të specializuar për kronikë të zezë, “Timočka krimi revija”, në shqip: “Revista për krime e Timokut”. Artikulli raportonte thashethemet për kamionin me trupa të gjetur në Danub, bashkë me spekulimet se ata ishin “trupa të kurdëve apo të talibanëve që kishin ardhur mistershëm në territorin tonë”. I botuar në një revistë lokale të Serbisë Lindore dhe pa shumë referenca të qarta, ky artikull nuk tërhoqi shumë vëmendje, megjithëse u bënte ftesë autoriteteve ta hetonin vërtetësinë e ngjarjes.
Por dy vite më pas, në maj të vitit 2001, kjo histori u riaktualizua pasi gazetari Dragan Vitomirović, shkroi një artikull të dytë po për këtë rast dhe të cilin e botoi po në të njëjtën gazetë. Kësaj radhe, ai kishte arritur ta intervistonte një person me emrin Živojin Đorđević, zhytës profesionist, i cili kishte treguar që më 6 prill 1999, i thirrur nga Policia e Klladovit, ishte zhytur në ujërat e Danubit ku kishte hasur një kamion të tipit Mercedes, që më vonë u spekulua se kishte tabela të Prizrenit apo të Pejës. Në intervistën e tij, Đorđević thoshte: “E këputa zinxhirin dhe e hapa derën e kamionit. Atë çast u shfaqën trupa njerëzish. Në shikim të parë, pashë fëmijë gjysmëlakuriq, veshje pleqsh dhe të rinjsh“.
Ky artikull bëri shumë bujë, aq sa detyroi autoritetet serbe të krijonin një grup hetues i cili më 25 maj 2001, publikoi një raport në të cilin adresa e operacioneve për fshehjen e krimeve serbe të luftës, ishte një mbledhje e mbajtur në mars të vitit 1999 në zyrën e Sllobodan Millosheviqit në Beograd.
Në atë mbledhje, ku ishte i pranishëm edhe shefi i Shërbimit të Sigurimit Shtetëror, Radomir Marković – “Rade”, gjenerali i policisë Vlastimir Đorđević, e kishte pyetur Millosheviqin për “pastrimin e terrenit” në Kosovë. Millosheviqi, e ngarkoi me këtë detyrë Vlajko Stojiljković, Ministrin e Punëve të Brendshme të Serbisë, i cili më tutje ia delegoi këtë detyrë gjeneralit Dragan Ilic ta kryente.
Ky grup hetues publikoi një raport të dytë më 26 qershor 2001, i cili merrej specifikisht me trupat e nxjerrë nga kamioni frigorifer prej Danubit dhe varrosjes së tyre në Qendrën 13 Maji në Batajnicë.
Në po të njëjtën ditë që grupi hetues publikoi raportin e parë në Serbi, pra më 25 maj 2001, duke qenë i informuar për këto lajme, gazetari britanik Christopher Hitchens u kujtua për letrën që ia kishte dërguar studenti i tij serb, duke e rrëfyer këtë histori te “The Nation”, në një artikull të titulluar “Numërim trupash në Kosovë” (“Body Count in Kosovo”).
Aty, teksa shpjegohej përse nuk e kishte botuar letrën e studentit të tij serb, Hitchens shkruante: “atë kohë, vendosa të mos e botoj këtë letër, sepse megjithëse dukej se ofrohej në mirëbesim, ajo gjithashtu dukej disi e çuditshme dhe fantastike, si dhe sepse thashethemet e këtij lloji kanë tendencë të qarkullojnë në kohë lufte dhe censure.”
Historia e vrasjes, bartjes, zbulimit, fshehjes, varrosjes dhe rizbulimit të trupave të shqiptarëve të vrarë nga serbët si dhe e zhvarrosjes së tyre nga varreza masive e Batajnicës pasuar nga identifikimi i kufomave, është shumë e gjatë, siç është gjurmuar veçanërisht gjatë proceseve gjyqësore kundër zyrtarëve të lartë të Serbisë, të gjykuar si kriminelë lufte në Tribunalin Ndërkombëtar të Krimeve në ish-Jugosllavi (ICTY).
Këtu, kjo histori është rrëfyer vetëm pjesërisht dhe qëllimisht nga një detaj fillestar si letra e studentit serb drejtuar Christopher Hitchensit, për të treguar se sa delikate janë fijet nëpër të cilat duhet ecur për të gjurmuar historinë e krimeve të luftës të kryera nga Serbia mbi shqiptarët e Kosovës gjatë luftës së viteve 1997-99.
Kjo, veçanërisht për tu patur parasysh përballë nismave për të denoncuar krimet e luftës, për të shkruar për krimet e luftës apo për të bërë muze të luftës në Kosovë, aq të shpeshta mes personash privatë, entuziastë dhe joprofesionistë, mes organizatash jokredibile dhe joserioze, jashtë apo edhe me interferime brenda institucioneve të Republikës së Kosovës.
Vërtetë Kosova ‘noton’ mbi një lum me trashëgimi të luftës dhe duket sikur ata që kanë kurajo apo guxim të futen në të, të gjithë duhen duartrokitur për këtë. Mirëpo, çdo zhytje në ujërat e lumit të kësaj trashëgimie, shkakton spërkatje jashtë shtratit të tij me pika uji që e pakësojnë sasinë e kësaj trashëgimie, duke e tharë atë dhe kështu duke e zhdukur pikërisht nga futja në të.
Trashëgimia e luftës nuk është e padëmtueshme! Kalimi i saj nëpër shumë duar dhe në mënyrë të pakotntrolluar, e shformëson atë duke e deformuar nga gjendja fillestare. Andaj këtij lumi që mban gjithë këtë trashëgimi lufte, së pari duhet t’i rregullohet shtrati, përpara se t’i përdoret uji, sepse duke i rregulluar shtratin, mund t’i kanalizohet rrjedha ujit të tij. Dhe kjo duhet të realizohet nga autoritetet e Republikës së Kosovës, me përgjegjësinë politike dhe kujdesin më të lartë institucional si dhe me maksimumin e profesionalizmit shkencor. Ashtu, siç kërkohen të trajtohen këto histori dhe trashëgimi përvojash njerëzore!
Lexo po ashtu:  Media e njohur greke jep alarmin: Erdogani kontrollon Shqipërinë, na duhen armë

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *