114 vjet më parë nisi punimet Kongresi i Manastirit ku u unifikua alfabeti i gjuhës shqipe. Në këtë Kongres u zhvillua mbledhja e Komisionit për Çështjen e Alfabetit, ku morën pjesë intelektualë shqiptarë të kohës.

Synimi i mbledhjes ishte arritja e njehsimit të alfabetit që do të përdorej për shkrimin e gjuhës shqipe. Kongresi i mbajti punimet deri më 22 nëntor 1908, data kur në të gjitha trevat shqipfolëse kujtohet “Dita e Alfabetit”.

Në përmbyllje, Komisioni mbi çështjen e “Abecesë” doli me këtë vendim: “Pas që u-kënduan verbalet e ditëve t’jera e pas që e pamë se puna që kishim bërë ishte mjaft e madhe, po jo aqë sa të na kënaqte të gjithëve e t’i shërbente si përparimit të gjuhës, si të përhapurit të diturisë ndër ne, të shtyrë edhe nga disa shkaqe të përjashtme, u-këthyem prapa e me pëlqim të të gjithëve u-vendos që të mirret Abeja e Stambollit e me të bashkë edhe Abece fjesht latine, që të mësohen e të përdoren bashkarisht në mest të Shqypëtarëvet. Mësimi ndë shkollë do të jetë i shtrënguar e i detyrueshëm për të dyja.”

Lexo po ashtu:  Bill Gates: Steve Jobs bënte “magji”

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, në këtë përvjetor, sjell foto të vendimeve të Kongresit të Manastirit.

Në këtë kongres ishin të pranishëm 150 delegatë, të ardhur nga të gjitha anët e Shqipërisë, si dhe nga komunitetet shqiptare në Rumani, Itali, Greqi, Turqi, Egjypt, Amerikë, etj. Kryetar i Kongresit u zgjodh Mit’hat Frashëri, i biri i Abdyl Frashërit. Mit’hat Frashëri ishte në atë kohë redaktor i dy revistave që botoheshin në Selanik: Liria dhe Dituria.

Në këtë Kongres merrnin pjesë shqiptarë të të gjitha komuniteteve fetare si, myslimanë, katolike, ortodoksë, protestantë, njerëz të ditur, të bashkuar për një qëllim të madh kombëtar.

Gjithashtu, u vendos që pas dy vjetësh të mbahej një Kongres i dytë, në Janinë, për të shqyrtuar problemet drejtshkrimore e letrare, si dhe për të bërë përpjekje për shkrirjen e dialekteve gegë dhe toskë në një gjuhë të njehsuar shqipe.

Kongresi vendosi ngritjen e Shtypshkronjës Shqipe në Manastir nën drejtimin e Gjergj Qiriazit, e cila u bë shpejt e njohur anembanë vendit si shpërndarëse e librave dhe gazetave shqipe.

Lexo po ashtu:  The Litterary Gazette 1817: Ali Pashë Tepelena, njeriu me kujtesë të jashtëzakonshme

Një pjesëmarrës i shquar në Kongresin e Alfabetit ishte studiuesi, poeti dhe atdhetari nga Shkodra, Ndre Mjeda. Tetë nga trembëdhjetë propozimet e tij u miratuan nga Kongresi i Manastirit. Ndonëse jetoi në disa vende të huaja dhe fliste 13 gjuhë, mbi gjuhën shqipe ai nuk vinte gjë tjetër .

Ndër delegatët më të shquar qenë Gjergj Fishta, Mid’hat Frashëri, Sotir Peci, Ndre Mjeda, Shahin Kolonja, Bajo Topulli, Parashqevi Qiriazi, Fehim Zavalani. Delegat tjetër nga familja Zavalani ishte Izet Zavalani, përfaqësues i Follorinës. I zoti i shtëpisë, Fehim Zavalani, mbajti fjalën hyrëse.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *