Gëzim Mekuli

Dhuna që po shfaqet në filmin, muzikën, politikën dhe në mediat shqipe, padyshim se ka ndikim në sjelljen, veprimin dhe në të menduarit tonë.

Këtë e dëshmon edhe raporti i hulumtuesve amerikanë: «Media violence and the American public».

Ky raport dëshmon se 60 % e programeve televizive amerikane përmbajnë dhunë. Një nxënës amerikan, para se të fillojë në shkollën fillore, ka parë më shumë se 8.000 vrasje dhe më shumë se 100.000 akte dhune, ku videolojërat përmbajnë në më shumë se 85 për qind dhunë dhe seks.

Të nderuar lexues,
Dikurë mbizotëronte bindja se lidhshmëria mes dhunës në TV dhe dhunës në shoqëri nuk është aq e qartë. Industria e medias mendon se ekzistenca e dhunës në film dhe në TV nuk ka ndonjë ndikim në sjelljen agresive të të rinjëve.
Ç’thonë faktet?
Në vitin 2000, gjashtë organizata profesionale në SHBA hartuan një deklaratë të përbashkët, ku thuhej se ndikimi i dhunës televizive te të rinjtë është shumë i madh.
Por kjo kundërshtohet nga industria televizive dhe ajo e filmit, e cila pohon se efekti i ndikimit negativ te fëmijët është “shumë i vogël”!

Duke krahasuar lidhshmëritë mes dhunës në TV dhe agresivitetit që ajo ndikon në sjelljet e fëmijëve, del në pah se:
1. Lidhshmëria mes agresivitetit në jetë dhe dhunës në film, është po aq e lartë, sikurse lidhshmëria mes pirjes së duhanit dhe kancerit të mushkërive.
2. Është më e lartë se lidhshmëria që ekziston mes pirjes pasive të duhanit dhe kancerit në mushkëri.
Sot nuk ka dyshime për lidhjen e drejtpërdrejtë mes duhanit dhe kancerit, apo jo?
Deri në fillim të viteve ‘50 industrialistët e duhanit mohonin lidhshmërinë e duhanit me kancerin. Kështu ndodh edhe sot me industrinë argëtuese mediale.
Hulumtuesit amerikan argumentojnë se një për qind e shikuesve bëhen më agresivë pasi që kanë parë një program televiziv me përmbajtje dhune. Nëse një film me përmbajtje dhune shfaqet në televizion dhe ndiqet prej 400.000 shikuesve, atëherë, sipas këtij hulumtimi, 4.000 shikues bëhen më agresivë në jetën e përditshme.
Interesa të mëdha ekonomike ekzistojnë në skenën mediale, por redaktorët dhe gazetarët shqiptarë do të duhej të riktheheshin në idealin dhe etikën e gazetarisë e të mbrojnë të vërtetën shkencore mbi dhunën në media dhe ndikimin e saj në opinion, veçanërisht tek të rinjtë.

Lexo po ashtu:  Në nderim të të gjitha nënave që i rrisin fëmijet pa burrin e tyre dhe babanë e fëmijëve

Fëmijët dhe lajmet televizive
Si e konstruktojnë fëmijët shprehjen solidaritet? Në ç’mënyrë e identifikojnë ata veten e tyre me situatën e viktimës? Kur fillojnë fëmijët të kuptojnë se një fotografi është “realitet” e tjetra “fantazi”?

Tek ne njohuritë pedagogjike për lajmin në TV janë relativisht të varfra. Në anën tjetër, shohim se si lajmet “e këqija” dhe ”të forta” po marrin vendin e parë në media. Debatet ofenduese, akuzat lincuese me plot dhunë dhe urrejtje, vjedhjet e armatosura, tekstet e këngës, fjalori i deputetëve dhe i pseudoanalistëve, katastrofat e natyrës, e si pasojë edhe vrasjet për motive të dobëta etj., janë ndodhi me të cilat fëmijët dhe të rinjtë përballen çdo ditë. Televizioni shqiptar pa menduar po dërgon në publik helm; fotografi, fjalë dhe fjali të tmerrshme dhe rrëqethëse.

Në këtë luftë komerciale për të përfituar gjithnjë e më shumë shikues, televizioni dhe portalet parapëlqen elemente të shpejta apo efekte të fuqishme dhe ndikuese. (me tekst, zë dhe me fotografi)
Kjo bën që fotografia e lajmit të jetë e karakterizuar nga dhuna, nga shpejtësia, nga emocionet dhe nga sensacioni. Jo rrallë, fëmija përdoret si rekuizitë e lajmit. Për lajmin televiziv fëmijët konsiderohen si viktimat më të çmuara për të zgjuar emocion e patos te shikuesi.

Lexo po ashtu:  Manual për prinderit/ Si t’i mbrojmë fëmijët nga rreziqet në internet

Shtrohet pyetja: Çfarë fotografie ndërtojnë fëmijët për botën nga lajmi televiziv?
• Fëmijët nuk kanë mundësi të dallojnë kufirin mes fantazisë dhe realitetit.
• Fëmijët (mes moshës 9 dhe 13 vjeç), në një shkallë të madhe, mund të përdallojnë dhunën e vërtetë nga ajo fiktive.
• Fëmijët që kuptojnë se dhuna nuk është e vërtetë, ajo ka ndikim më të vogël.
Të nderuar lexues,
Do të këtë pasoja negative për fëmijët në qoftë se as shkolla dhe as prindërit nuk kanë njohuri e aftësi të mjaftueshme për t’ua sqaruar fëmijëve fenomenin “lajm” dhe ndërtimin e tij.
Frika, injorimi, mërzia dhe depresioni janë përgjigje e zakonshme ndaj lajmit me fotografi ”të forta”.
Fotografitë “e forta” dhe dhuna verbale, të paraqitura në lajmet televizive e në portale, mund të reflektojnë tek të rinjtë një bindje të pashpresë e të mbrapshtë të botës dhe të shoqërisë ku ata jetojnë.
Të rinjtë, në këtë mënyrë, e përjetojnë ardhmëninë si kërcënuese, të pashpresë dhe problematike.
Dhe kjo edhe në saje të lajmit, debateve, analizave, e “programeve argëtuese” çoroditëse që po transmetohen nga Televizionet dhe portalet tona; këto fabrika të ndryshkuara e kontaminuese të kulturës dhe të hapsirës shqiptare.

Lexo po ashtu:  Mediat e Vuçiqit dhe disa portale shqipe shpërthejnë në propagandë: Kurti çoi 200-300 policë specialë, nisi okupimi i Veriut

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *