Prag Krishtlindjesh 1914. Në front të Luftës së Parë Botërore, ushtarët e të dy kampeve qëndrojnë në llogoret e tyre, disa qindra metra larg nga njëri-tjetri. Pastaj një ushtar gjerman fillon të këndojë “Stille Nacht”, kënga më e njohur e Krishtlindjeve dhe nga llogorja përballë, një ushtar britanik i përgjigjet me tonet e “Silent Night”, versioni anglisht i këngës.
Pak nga pak, armiqtë dalin jashtë, me duart lart, dhe shkojnë drejt njeri-tjetrit. Përqafohen… Moment që hyri në histori si “Armëpushimi i Krishtlindjeve”. E ndali për disa orë konfliktin dhe bëri që armiqtë të shkëmbenin racionet e tyre ushqimore, ndonjë foto dhe madje të luanin edhe një ndeshje futbolli, para se, jnë ditë më vonë, të rifillonin të vriteshin, në atë që u quajt atëherë Lufta e Madhe, ndoshta më shumë se për gjë tjeter, për numrin e tmerrshëm të jetëve që mori.
Kjo ndodhi në të vërtetë disa herë dhe në disa pika të frontit, megjithëse pa aprovimin e komandave të larta të secilit krah.
Nëse armëpushimi filloi me të vërtetë kështu apo jo, nuk është tamam e qartë. Por kështu është rikrijuar ngjarja në një spot të shkurtër publicitar të zinxhirit të supermarketeve Sainsbury në Britaninë e Madhe. Në filmin që zgjat tre minuta, publikuar para disa ditësh, historia përfundon me shkëmbimin e palltove ushtarake mes ushtarit britanik dhe ushtarit gjerman, ky i fundit kthehet në llogore e zbulon një dhuratë në xhepin e palltos që ka marrë në këmbim: një çokollatë që anglezi e kishte marrë me postë, disa orë më parë nga shtëpia, bashkë me një foto dhe një letër të së dashurës, në të cilën shkruhej: “Krishtlindja është për të ndarë me tjetrin’’, pastaj thotë fjalën dhe duket marka e supermarketit. E cila do të shesë për një stërlinë, në të gjitha qendrat e saj një çokollatë si ajo e filmit, e njëjtë me origjinalen e vitit 1914 dhe të ardhurat do t’i shkojnë Legjionit Britanik, shoqata e veteranëve të luftës.
Ata ishin djem të rinj edhe pse jo ballkanas, që të nesërmen shkonin drejt vdekjes, por luajtën një lojë që bashkon e që duhet të jetë burim gëzimi… ku kundërshtari që të kanë vënë përballë, në mos tjetër, respektohet. E nëse plot njëqind vjet më pas kur dhe vetë loja e futbollit theret për vlera njerëzore, ndodh si ndodhi, që përkundrazi në një ndeshje futbolli luajtur po nga djem të rinj, e profesionistë të ekzistonte rreziku për jetën… me bazë a pa bazë të jenë mllefet, është mëkat, përveç se jo pak turp.
Sipas Daily Telegraph, ky spot, është parë 25 mijë herë vetëm në 12 orët e para. Megjithëse lind si film i shkurtër publicitar i një zinxhiri supermarketesh, është ndoshta filmi më i mirë me temë krishtlindjet, për 2014-ën. Nëqoftëse pastaj shërben edhe për të ndarë diçka me tjetrin apo të ndalemi disa sekonda reflektimi, aq më mirë. Mendoj se do ta porosis këtë çokollatë.
Andi Qinami