Zyra e Kryeministrit ka dalë me një njoftim lidhur me takimin që ka zhvilluar sot kryeministri Albin Kurti, me komandantin e KFOR-it, Angelo Michele Ristuccia dhe Shefin e EULEX-it, Lars Gunnar Wigemark.

Sipas njoftimit thuhet se në takimin e përbashkët me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi dhe Ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, u bisedua për bashkëpunimin e afërt ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës, Forcave paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë (KFOR) dhe misionit EULEX, përbrenda mandateve që kanë.

“U fol edhe lidhur me veprimet e strukturave kriminale në veri të Republikës së Kosovës, që cenojnë rëndë sigurinë në vend. Konstatim i përbashkët nga ky takim është se liria e lëvizjes duhet të rivendoset dhe se nuk duhet të ketë barrikada në asnjë rrugë”, thuhet në njoftim.

Më tej në njoftim thuhet se gjatë takimit u pajtuan për vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë ndërinstitucional dhe bashkërendimin e veprimeve, në shërbim të paqes dhe sigurisë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, që është qëllim dhe prioritet i përbashkët i institucioneve të Republikës së Kosovës, KFOR-it dhe EULEX-it.

Lexo po ashtu:  ​Raporti amerikan: Gjysma e policëve në Afganistan konsumojnë lëndë narkotike

“U theksua profesionalizmi, maturia dhe guximi i dëshmuar i Policisë së Kosovës, në ruajtje të sigurisë dhe rendit publik në mbarë territorin e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *