.. Lermë t’u marr erë, të thith thellë, pafundësisht, aromën e flokëve të tu, të zhys në to krejt fytyrën si në ujët e një burimi të kristalte e, pastaj, me gishtat e mi t’i shushpuris ato si një shami erëmirë që shpërndan kujtime të ëmbla në eter. Ah, sikur ti të mund të imagjinoje gjith’ato që unë shoh, gjith’ato që ndjej, gjith’ato që dëgjoj në flokët e tu! Shpirti im lundron mbi parfume si shpirti i të tjerëve në muzikë…

I zhytur mes flokëve të tu, shoh një ëndërr plot anije, vela e direke të cilët musonet i shtyjnë drejt klimash të mrekullueshme, mes detrash pafund, aty ku qielli është tepër blu e deti shumë i thellë, aty ku thithet ajër i parfumuar nga aroma e frutave, barit e lëkurës njerëzore. Ja, në oqeanin e flokëve të tu shoh një port plot dallgë këngësh melankolike, me njerëz të fortë racash të ndryshme e plot anije lloj-llojesh të cilat lartojnë arkitekturat e tyre të përkryera nenë një qiell të pafund ku prehët një ngrohtësi e përjetshme.

Lexo po ashtu:  Presidentja Osmani: Binomi Rugova – Jashari dhe guximi i pashoq i UÇK-së, bazament i themeleve të forta të shtetit tonë

Duke ledhatuar flokët e tu, ndjej ofshamat e lëngatat e dikurshme, të përjetuara shtirë mbi një divan, në dhomëzën e një anije të bukur përkundur nga valët e lehta të molos; aty mes vazo lulesh e amforash freskuese. Mes vatrës së zjarrtë të flokëve të tu, tani thith aromë duhani ekzotik përzier me opium e kallam sheqeri e, ndërkohë, në natën e flokëve të tu, më shfaqet shkëlqimi i pafund i kaltërsive tropikale; mbi brigjet e kadifenjta të flokëve të tu mbushem plot aroma ku ndjej përzier bashkë: bitum, myshk e vaj kokoje.

Ah, lermë të kafshoj flokët e tu ! Kur fus gojën mes masës së tyre elastike e rebele, më duket se shijoj kujtimet më të ëmbla!…

Charles Baudelaire /MekuliPress.com/ 
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *