“Punoj shumë që t’i bindi ata ta ndërrojnë mendjen. Janë pakicë, por kanë fuqi vetoje”.

Kështu është shprehur kryeministri Albin Kurti në një intervistë për francezen “Le Monde”, duke iu referuar pesë shteteve anëtare të BE-së – Spanjës, Qipros, Sllovakisë, Greqisë dhe Rumanisë – që ende s’e kanë njohur Kosovën.

Ai tha më tej se BE-ja është fati ynë, teksa shtoi se duke e inkuadruar Kosovën dhe vendet tjera të Ballkanit Perëndimor, “BE-ja mbron Evropën”.

“Presim që ta arrijmë këtë qëllim në nëntë vjet, që është koha mesatare për t’iu bashkuar Bashkimit Evropian”, deklaroi Kurti.

Tutje, kreu i ekzekutivit tha se në parim e mbështet planin evropian, i cili tha se ofron “njohje de fakto” mes dy vendeve, “si ajo që ishte bërë mes dy Gjermanive në vitin 1972”.

“E mbështes, në parim, planin aktual të mbështetur nga BE-ja, në veçanti nga Franca dhe Gjermania, i cili insiston në demokraci, integritet territorial, sovranitet, sundim të ligjit, vetëvendosje… Ai mundëson njohjen de fakto mes dy vendeve, si ajo që ishte bërë mes dy Gjermanive në vitin 1972”.

Lexo po ashtu:  Cilat janë sanksionet e reja që SHBA i vendosi Rusisë për pushtimin e Ukrainës!

Sipas tij, edhe përkundër luftës kundër krimit të organizuar e korrupsionit, të rinjtë po ikin nga vendi.

“…Por vendi është dëshmitar i ikjes së mijëra të rinjve çdo vit… Disa ikin, të tjerët kthehen. Dy nga ministrat e mi janë kthyer nga jashtë. Dhe luftoj të kthej në institucionet e vendit të diplomuarit me njohuri të fituara në vendet Perëndimore. Një e treta e kosovarëve nuk jetojnë në vend; kontributi financiar i diasporës paraqet 20% të BPB-së. Është shumë”, deklaroi kryeministri Kurti.

Kreu i ekzekutivit foli edhe për liberalizimin e vizave për kosovarët, për çka tha se kjo nuk rrezikon të theksojë “diasporën”. “Nuk besoj. Njerëzit që duan të ikin, veçse po ikin. Ajo që është e pandershme është se po duhet të paguajnë për këtë”, potencoi kryeministri Albin Kurti në këtë intervistë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *